LAJMI I FUNDIT:

Vazhdon plaçka me aviobileta

Vazhdon plaçka me aviobileta

Institucionet e Kosovës edhe më tutje po heshtin derisa në anën tjetër numri i qytetarëve që po bien viktimë e aviokompanive mashtruese po rriten nga dita në ditë.

Grupe kriminale nga Kosova, por edhe nga vende të ndryshme, përmes kompanive të tyre, që kryesisht i kanë hapur në Gjermani dhe Zvicër, deri më tash ua kanë vjedhur bashkatdhetarëve tanë dhjetëra miliona euro, duke ua marrë paratë dhe mos iu ofruar shërbim fare.

Të joshur kryesisht përmes mesazheve telefonike dhe “call centrëve” që operojnë në Kosovë, qytetarët e Kosovës që jetojnë nëpër shtete të ndryshme të Evropës, por edhe më gjerë, kanë paguar biletat kthyese, por kur ka ardhur koha për fluturime, sërish përmes mesazheve telefonike janë lajmëruar se kanë dështuar fluturimet për në Kosovë


“Me keqardhje ju njoftojmë se rezervimet tuaja janë anuluar, marrëveshjet tona me kompanitë e fluturimeve kanë dështuar! Kthimi i të hollave do fillon menjëherë përmes bankës, të dhënat tuaja i dërgoni në e-mailin: Info@prishtinatravel.net”.

Ky është mesazhi telefonik që iu ka shkuar nëpër telefonat e tyre mobil qindra bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në Gjermani dhe në Zvicër.

Mesazhe për anulime fluturimesh nga Gjermania për në Prishtinë ka dërguar te klientët e saj edhe kompania “Alba Reisen”.

Përmes mesazhit që ka dërguar kjo kompani ajrore lut klientët që t’i tërheqin paratë dhe rezervimet.

“Kjo kompani është nën hetime për ‘Mashtrime’ dhe udhëtimet e juaja nuk realizohen”, thuhet në mesazhin telefonik që iu është shpërndarë shumë bashkatdhetarëve.

Skënder Munishi, nga qyteti i Munihut në Gjermani, është një ndër ata që ka rënë viktimë e mashtruesve.

Munishi ka treguar se ka paguar gjashtë bileta nga 269 euro, që në total i bie 1614 euro. Ai thotë se njoftimi për këto bileta të lira i kishte ardhur përmes mesazhit telefonik.

“Para se t’i paguaj biletat e kisha ndjenjën se është fjala për mashtrim. Madje, unë e pyeta atë zonjën se mos është fjala për mashtrim, sepse kishim një diferencë prej 100 eurosh biletat me kompani tjera”, ka treguar Munishi.

Ai vazhdon të tregojë se pasi që kishte bërë pagesën kishin pranuar një javë më vonë biletat përmes “Viber”-it, përmes një numri të telefonit nga Kosova.

Zharku: Mashtrimet nuk po ndodhin në Kosovë

Në anën tjetër ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, thotë se deri më tash mashtrimet me aviobileta kryesisht kanë ndodhur nëpër shtete të ndryshme të Evropës e jo në Kosovë. Ai thotë se për t’i siguruar sa më shumë qytetarët Ministria po kërkon garanci më shkrim nga aviokompanitë e jo nga tour-operatorët.

“Ne kemi pasur shumë kërkesa nga tour-operatorë për fluturime në Kosovë, por ato nuk janë pajisur me licencë ngase aviokompanitë, nuk kanë sjellë garanci me shkrim në institucionet e Kosovës. Prej kur kemi filluar ta aplikojmë këtë masë, në masë të madhe kanë rënë mashtrimet me aviobileta. Ne kemi pasur shumë aplikacione për licencim, por deri më tash kemi licencuar nëse nuk gaboj 2 apo tre tour-operatorë” ka thënë ministri Zharku për gazetën “Zëri”

Ai më tej thotë se kohë më parë kompanitë që dëshirojnë të fluturojnë nga Kosova është dashur të deponojnë 500 mijë euro mjete si garanci, por, sipas tij, ajo është hequr me kërkesë të BE-së.

“Me ndryshimin e ligjit ne po shikojmë mundësinë që sërish ta vendosim një taksë jo 500 mijë, por më pak si garanci për probleme të mundshme eventuale”, ka thënë ai.

Më tej ministri Zharku thotë se para pak ditësh edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka bërë një shkelje shumë të rëndë, ngase ka lejuar të aterojë në Aeroport një kompani në të cilën kanë qenë të përzier shtetas kosovarë, sllovenë e turq.

Ai thotë se në këtë rast Ministria e Infrastrukturës ka marrë masa edhe ndaj Aeroportit për shkeljen e bërë.

Policia i bie në gjurmë grupit

Por, derisa ministri Zharku thotë se mashtrimet kryesisht kanë ndodhur në diasporë, Policia e Kosovës si duket ka rënë në gjurmë të grupit mashtrues, që kanë vjedhur qytetarët e Kosovës.

Burime të besueshme brenda Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se deri më tash është marrë në pyetje së paku një person, i cili ka pasur lidhje direkte me këtë skemë mashtrimi.

Mirëpo, sipas tij, në ditët të vijim Policia e Kosovës do të marrë në pyetje edhe persona tjerë që janë të lidhur me këtë skemë mashtrimi.

“Deri më tash hetimet po shkojnë mirë. Në ditët në vijim Policia do të marrë në pyetje persona tjerë që janë të këqyrur direkt në këtë skemë mashtrimi. Po ashtu për rastin në fjalë, Policia ka kontaktuar edhe me Policinë zvicerane dhe atë gjermane, ku që të dyja i kanë ofruar Policisë së Kosovës informacione të bollshme për grupin mashtrues”, thotë burimi i besueshëm brenda Policisë së Kosovës.

Rasti “Dardania Airways”

Kompania “Dardania Airways” gjatë muajit qershor të këtij viti dyshohet se ka mashtruar rreth pesë mijë bashkatdhetarë. Kah fundi i muajit maj të këtij viti, pronari i kësaj agjencie për të pasur më të lehtë mashtrimin kishte afruar afër vetes edhe bashkëpunëtorë. Atij në ndihmë për këtë mashtrim i del programori, Muharrem Musa, i cili është pronar i booking-sistemit të rezervimit “webkos.de”, si dhe Bali Rramanaj, pronar i “Alba Reisen”.

E gjithë shitja e biletave duke mashtruar ka ndodhur brenda një periudhe 3-javore, për aq kohë sa edhe ka qëndruar “Dardania Airways” në sistemin e “webkos.de”. Në mashtrim të bashkatdhetarëve ndihmë agjencisë “Dardania Airways” i ka ofruar edhe pronari i tour-operatorit “Alba Air”, Shefki Rramanaj, i cili është vëllai i Bali Rramanajt.

E për të qenë sa më efektiv në operacionin që kishin filluar, pronari i “Alba Air”-it kishe lëshuar në shfrytëzim “Call center”-in e tij që ka në zyrat e “Alba Air”-it në qendër të Prishtinës.

Më tej, burime të besueshme të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se Rramanaj kishte urdhëruar punëtorët e tij që nga fillimi i muajit maj e deri në fund të qershorit të bëjnë marketing në formë të SMS-ve dhe thirrjeve për agjencinë “Dardania Airways”.

Nga aty u ishin dërguar oferta qindra mijëra bashkatdhetarëve se kinse një biletë kthyese nga Zvicra për Kosovë do të kushtonte 280 euro. Po ashtu, “Dardania Airways” ka mashtruar bashkatdhetarët duke iu shitur bileta në numra fluturimi të kompanisë “Adria Airways” dhe “Germanwings”. Për këto dyshime të ngritura dhe pas ankesave të shumta të pasagjerëve për anulime të fluturimeve policia e dy shteteve evropiane, Zvicër dhe Gjermani, kanë filluar hetimet. Hetimet i ka filluar edhe Policia e Kosovës në lidhje me këtë rast.

“Belle Air” mashtroi 26 mijë pasagjerë

Mashtrimet më të mëdha me bileta aeroplani i ka bërë aviokompania “Belle Air”. Vetëm në vendin tonë më shumë se 26 mijë qytetarë janë viktimë e kësaj kompanie. Dyshohet se në mashtrim ishin të përfshira edhe tour-operatorë si “Select Fly”, “Air Munich”, “Reisebüro Prishtina”. I gjithë ky organizim ishte bërë me ndihmën e “Select FLY”, menaxher i së cilës ishte Florim Rudaj, “Air Münich”, me pronar Gazmend Vatovci, dhe “Reisebüro Prishtina” mbrapa së cilës qëndron Gafur Aliu. “Belle Air” në fund të nëntorit të vitit 2013 kishte shpallur falimentimin.

“Airbuchurest” la në aeroport 4600 pasagjerë

Po atë vit 2013, rreth 2800 udhëtar kishin mbetur pa udhëtuar në destinacionet e tyre, pasi aviokompanitë “Airbuchurest”, “Adria Airways” dhe “ Air Dolomiti” nuk kishin realizuar fluturimet për të cilat kishin shitur bileta. Në ndihmë për të mashtruar, këtyre aviokompanive u kishin ardhur “Airwings” dhe “Reisebüro Prishtina”. Biletat nga këto aviokompani ishin shitur nga Dyseldorfi, Shtutgardi, Baseli.

Kthimi i pasagjerëve nuk ishte realizuar pasi aviokompania “Airwings” kishte mbyllur zyrat, për shkak të presionit të pasagjerëve. “Airbuchurest”, një kompani nga Rumania me pronar të nacionalitetit turk, së bashku me kompaninë “Levingstone” nga Italia dhe “Adria Airways”, nga Sllovenia, kishin operuar gjatë kohës shtator dhe gusht 2012, duke realizuar fluturime nga Dyseldorfi, Stutgarti, Baseli.

Një vit më herët në rrugë kishin mbetur po ashtu rreth 1800 udhëtarë, kësaj radhe nga aviokompanitë “Airbuchurest” dhe “Mistral”. Pjesë e këtyre mashtrimeve ishin edhe tour-operatorët “Airwings”, “Eurowings” dhe “Reisebüro Prishtina”. Gjatë vitit 2011 ishin organizuar fluturimet gjatë muajit gusht dhe shtator, ku destinacioni ishte nga Dyseldorfi, Stutgarti, Baseli drejt Prishtinë, në bashkëpunim me kompaninë “Eurowings”, me pronar Feti Salihu.

Rasti “Vallahia Air”

Në vitin 2013 mashtrime me bileta kishte bërë edhe “Vallahia Air”, duke lënë rrugëve rreth 400 pasagjerë. Organizator i kësaj kompanie ishte “Flywings”. Në këto mashtrime kontributin e tyre e kishin dhënë edhe institucionet e Kosovës, pasi që në atë kohë licencuan aviokompani mbrapa të cilave po qëndrojnë persona mashtrues. Burime të besueshme të gazetës bëjnë të ditur se Fahri Zeneli, Kujtim Beqiri dhe Ajan Xhaferofski janë personat, të cilët kanë qëndruar mbrapa këtij mashtrimi.

“Livingston” mashtroi 1700 pasagjerë

Për këta mashtrues ishin në dijeni edhe institucionet e Kosovës, pasi që vite më parë mashtruan udhëtarët përmes aviokompanisë italiane “Livingston”, duke përfituar rreth një milion euro. Edhe viti 2012 nuk kishte kaluar pa mashtrime, pasi në skenë kishin dalë kompanitë si “Airbuchurest”, “Levingstone”, “Adria Airways”, të cilat kishin lënë në rrugë rreth 1700 pasagjerë. Në ndihmë këtyre aviokompanive për mashtrim u kishin dalë këta toru-operatorë: “Airwings”, “Uskana”, “Reisebüro Prishtina” dhe “Eurowings”.

“Mistral” la në rrugë 2000 udhëtarë

Aviokompania “Mistral” i kishte lënë në rrugë rreth 2000 udhëtarë në vitin 2010. Në ndihmë i kishin ardhur tour-operatorët “Airwings” dhe “Reisebüro Prishtina”. Po këtë vit me “Airwings”, me pronar Kujtim Beqirin, dhe “Reisebüro Prishtina”, me pronar Gafur Aliun, kishin operuar me kompaninë “Mistral”.

“Pron Air” la 3500 pasagjerë

Mashtrimi i madh i udhëtarëve kishte ndodhur edhe në vitin 2009 nga aviokompania spanjolle “Pron Air”, të cilët kishin lënë në rrugë rreth 3500 pasagjerë. Në ndihmë për mashtrim të bashkatdhetarëve me bileta të aeroplanit ishin përfshirë “Air Dardania”, “Munich Airlines”, “Air Kosova”.

Rasti “Aurora Airlines”

Edhe vitin kur ishte shpallur pavarësia e Kosovës, më 2008, udhëtarë në rrugë kishte lënë edhe kompania ajrore “Aurora Airlines”. Rreth 4500 pasagjerë kishin mbetur pa udhëtuar drejt destiancioneve të caktuara, pasi ishin anuluar fluturimet. “Aurora Airlines” ka qenë kompani me orgjinë nga Sllovenia. Në ndihmë për mashtrim kësaj aviokompanie i kishin ardhur “Airkosova”, me pronar Sebush Hazirin, “Munich Airlines”, me pronar Florim Rudajn, të cilët kishin shitur biletat në destinacionet nga Gjermania: Stuttgart, Hannover, Dysseldorf, Mynheni dhe kanë sjellë udhëtarët në Aeroportin e Prishtinës dhe kthimi i tyre nuk ishte realizuar.

“Bardha Travel” la në det VIP-at

Në listën e aviokompanive mashtrueseve hyn edhe “Bardha Travel”, e cila kishte lënë nëpër oborre të hoteleve, në Turqi, disa zyrtarë të lartë të shtetit. Në atë kohë kompania në fjalë kishte joshur VIP-at kosovare me oferta joshëse me çmime të ulëta, por në fund të gjithë ata që kishin fluturuar me këtë kompani, kanë mbetur në rrugë, duke u detyruar që edhe një herë të paguajnë aranzhmanin te ndonjë kompani tjetër.

Rasti “Tafa Air” dhe “Illyrian”

Po ashtu edhe “Tafa Air” dhe Illyrian” hyjnë ne listën e kompanive mashtruese, të cilat u kanë marrë paratë kryesisht bashkatdhetarëve dhe nuk ua kanë kryer shërbimet. Në vitin 2009 në prag të ndërrimit të motmoteve “Tafa Air” kishte lënë në Aeroport duke pritur me orë e ditë të tëra mijëra pasagjerë dhe në fund e kishte shpallur falimentimin, praktikë kjo e ndjekur nga rrjeti kriminal i mashtruesve me aviobileta. Po ashtu, njëjtë si kjo kishte vepruar edhe kompania “Illyrian”, ku fillimin e operimit të saj në atë kohë e kishte inauguruar ish-ministri i Financave, Ahmet Shala. Madje, si për çudi në atë kohë Shala kishe fluturuar drejt Shqipërisë me kompaninë e njëjtë edhe pse ajo nuk kishte pasur leje për operim në vendin tonë.

Në trend Ekonomi

Më shumë
Qeveria paralajmëron largimin e UNMIK-ut nga përfaqësimi në CEFTA, Bislimi: Zhvillim shumë pozitiv, shpresoj që kjo frymë të bartet edhe në dialog

Qeveria paralajmëron largimin e UNMIK-ut nga përfaqësimi në CEFTA, Bislimi: Zhvillim shumë pozitiv, shpresoj që kjo frymë të bartet edhe në dialog

Ekonomi
Informata të rëndësishme për konsumatorët e ujit në regjionin e Prishtinës

Informata të rëndësishme për konsumatorët e ujit në regjionin e Prishtinës

Ekonomi
Pensioni bazik rritet në 120 euro, i kontributpaguesve deri në 318 euro - ja nga sa do të marrin pensionistët pas rritjes prej 20 për qind

Pensioni bazik rritet në 120 euro, i kontributpaguesve deri në 318 euro - ja nga sa do të marrin pensionistët pas rritjes prej 20 për qind

Ekonomi
Mungesa e grave në tregun e punës, Mustafa thekson se kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit është një nga arsyet

Mungesa e grave në tregun e punës, Mustafa thekson se kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit është një nga arsyet

Ekonomi
Bislimi: Kosova mund të përfitojë 882 milionë euro nëse plotësohen reformat e dakorduara me KE-në

Bislimi: Kosova mund të përfitojë 882 milionë euro nëse plotësohen reformat e dakorduara me KE-në

Ekonomi
Qeveria miraton Projektligjin për Shërbimet e Pagesave

Qeveria miraton Projektligjin për Shërbimet e Pagesave

Ekonomi
Kalo në kategori