LAJMI I FUNDIT:

Pakoja e re fiskale do të rritë cilësinë e prodhimeve

Pakoja e re fiskale do të rritë cilësinë e prodhimeve

Prodhuesit vendorë thonë se pakoja e re fiskale, do të ketë efekte të shumanshme, si në rritjen e cilësisë së prodhimeve, gjithashtu edhe në rritjen e eksportit.

Si rezultat i pakos së re fiskale, prodhuesit vendorë kanë mundësi të investojnë më shumë në teknologji dhe rrjedhimisht të rrisin cilësinë e prodhimeve vendore. Kështu thotë Burim Piraj, udhëheqës i kompanisë për përpunimin e mishit “Meka”.

“Mendoj se cilësia e produkteve vendore është në nivel, por gjithnjë ka hapësirë për përmirësime. Pakoja e re fiskale shpresoj që do të jetë me ndikim pozitiv në këtë drejtim, dhe do të ketë investime në përmirësimin e cilësisë”, thotë Piraj.


Piraj thotë se investimet do të ndikojnë edhe në përmirësimin e faktorëve të tjerë që ndikojnë në shitje, si marketingu, paketimi etj. Por sipas tij, pakoja e re fiskale do të ketë efekte pozitive edhe në rritjen e eksportit.

“Ne presim zhvillime shumë pozitive, ngase me vet faktin që nuk do të kemi nevojë të paguajmë avansë TVSH-në dhe taksën doganore në kufi, por do të paguajmë pasi të shitet produkti, ne kemi mundësi të investojmë në pajisje një sasi të konsiderueshme të cilën e kemi pasur të bllokuar dhe do ta shtojmë eksportin”, theksoi ai.

Ministrja e tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha ditë më parë se me zbatimin e pakos së re fiskale, prodhuesit vendorë mund të jenë konkurrues me prodhuesit e huaj. Por për këtë, sipas saj, duhet të përmbushet edhe një kriter.

“Bizneset tona duhet që të prodhojnë kualitet në mënyrë që të jenë konkurrente në tregun vendor dhe në tregjet e jashtme. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është shumë e zotuar që të gjejë fonde, qoftë përmes mobilizimit të fondeve të donatorëve, apo nga buxheti që të krijojmë një projekt për certifikim të produkteve për nga standardi i cilësisë”, ka thënë ajo.

Ndryshe me pakon e re fiskale që ka filluar të zbatohet nga muaji shtator, nga TVSH-ja janë liruar lënda e parë dhe makineria që përdoret për prodhimtari. Ndërkohë është përshkallëzuar edhe TVSH-ja për mallra, nga 16 në 8 dhe 18 për qind. /Gazeta Tribuna/Telegrafi/