LAJMI I FUNDIT:

Forumi ekonomik gjermano-kosovar, rast i mirë për promovim të kompanive vendore

Forumi ekonomik gjermano-kosovar, rast i mirë për promovim të kompanive vendore

Shumë kompani kosovare do të kenë mundësi t’i prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre në Forumin ekonomik Gjermano-kosovar që do të mbahet më 27 nëntor në Berlin të Gjermanisë.

Ky forum është rast i shkëlqyeshëm dhe mundësi e mirë e avancimit të bashkëpunimit ekonomik në relacion Gjermani – Kosovë në përgjithësi dhe kompanive nga dy vendet në veçanti. Forumi ekonomik gjermano-kosovar ka informuar më shumë se 4.500 ndërmarrje të ndryshme në Gjermani për këtë takim dhe njëkohësisht janë të ndara edhe 15 stende që kompanitë nga Kosova të ekspozojnë produktet e veta.

Siç bënë të ditur Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), pjesëmarrjen deri më tash e kanë konfirmuar 40 ndërmarrje nga Kosova. Ky do të jetë një rast i mirë që në takimet B2B ndërmarrësit nga Kosova dhe Gjermania të bisedojnë konkretisht për mundësitë e bashkëpunimit.


Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, ka thënë për KosovaLive se Kosova në rrugëtimin e vet drejt familjes evropiane duhet të jetë e fokusuar që krahas integrimit politik të arrijë edhe integrim ekonomik. Në këtë drejtim, sipas tij, duhet punuar sa më shumë që është e mundur në internacionalizim të ndërmarrësisë.

Ai e sheh këtë forum si rast për promovimin e vlerave të reja të Kosovës në Gjermani dhe mundësi që të avancohet partneriteti me kompanitë gjermane, në mënyrë të drejtpërdrejtë, për të shikuar mundësi të krijimit të konsorciumeve kosovaro-gjermane, për hyrje të përbashkët në tregjet e treta. Këtu rol të madh, sipas tij, luan edhe diaspora kosovare.

“Kjo nënkupton që kompanitë tona duhet të jenë të certifikuara, të licencuara dhe t’i përmbushin të gjitha kriteret e parapara për një konkurrencë të barabartë, jo vetëm në tregun e brendshëm, por që të jenë konkurrent dhe aktiv edhe në tregjet ndërkombëtare”, ka thënë Gërxhaliu.

Duke parë parasysh rëndësinë e zhvillimit ekonomik në Gjermani si fuqi botërore, ai ka thënë se partneriteti dhe bashkëpunimi ekonomik me institucione gjermane, e në veçanti me komunitetin e biznesit ka një rëndësi të veçantë.

Sipas tij, sektorët kyç që dëshirojnë t’i promovojnë janë ndërtimtaria, energjetika, minierat, por orientimi kryesor do të jetë edhe promovimi i produkteve bujqësore. /Telegrafi/