LAJMI I FUNDIT:

Dukagjini hapi dyert për prodhuesit vendës

Dukagjini hapi dyert për prodhuesit vendës

Ekspozimi i prodhimeve vendore ka vazhduar para konsumatorëve në Pejë, në kuadër të projektit tradicional të “Javëve të Biznesit Kosovar 2015”, organizuar nga Aleanca Kosovar e Bizneseve, ku edhe është hapur edhe Zyra regjionale e AKB-së.

Agim Shahini, kryetar i AKB-së tha se tradita vazhdon me projektin “Javët e Biznesit Kosovar” i cili realizohet për trembëdhjetë vjet rresht. “Dukagjini hapi dyert për prodhuesit vendës dhe nga sot bizneset kanë mundësi ku ti adresojnë hallet e problemet që kanë dhe ato mund ti bëjnë në Zyrën Regjionale të AKB-së në Pejë dhe ku nga aty zgjidhen”, tha Agim Shahini.

Kryetari i AKB-së, tregoi se prioritet kryesor kanë promovimin e ekonomisë, ngritjen e konsumimit të prodhimeve vendore, stimulimin e biznesit vendor, përmirësimin e cilësisë së prodhimeve sipas standardeve më të larta.


Ai të falënderoi kryetarin e Pejës për mbështetjen dhe inkurajon atë, por edhe Qeverinë e Kosovës që të vazhdojnë të krijojnë mjedis dhe politika më të favorshme për zhvillim më të hovshëm ekonomik.

Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës, në hapjen e Zyrës së AKB-së në Pejë, tha se vazhdojnë të mbështesin fuqishëm biznesin, sidomos prodhuesit vendës. “Me hapjen e zyrës, po tregojmë gatishmërinë tonë për mbështetje të vazhdueshme dhe kjo tregon se pos që zhvillohet AKB-ja, zhvillohet edhe biznesi në Dukagjin dhe zhvillimi ekonomik i vendit”, tha Gazmend Muhaxhiri.

Kryetari i Pejës, tregoi se kanë bërë investime adekuate së bashku me KEDS-in, në përmirësimin e rrjetit elektrik që ishte një problem i bizneseve dhe që investimet dhe përmirësimet me energji do të vazhdojnë.

Ai ka premtuar mbështetje të vazhdueshme bizneseve me qëllim që të ketë edhe rritje ekonomike dhe në anën tjetër inkurajoi qytetarët që të konsumojnë sa më shumë prodhime vendore. .

Artan Gashi, drejtor për zhvillim Ekonomik në Komunën e Pejës, tha se ekonomia e kësaj komune ka treguar që ka një traditë të lashtë në zhvillimin e aktiviteteve ekonomike, e që shquhet me zejtar të zellshëm, ekonomi familjare, traditë në artizanate.

Sipas tij gjer më tani qyteti e ka fituar epitetin kryesor të Kosovës, duke zhvilluar tregti me vende të ndryshme dhe ka shumë kompani që janë eksportues kryesor drejt vendeve të rajonit BE-së e më gjer.

“Ne vazhdimisht përkrahim dhe stimulojmë prodhuesit vendor të cilët konsiderohen edhe akterët kryesor në zhvillimin ekonomik dh të rritjes së mirëqenies sociale”, tha drejtori për Zhvillim Ekonomik.

Besart Dreshaj, këshilltar në Ministrinë e Tregtisë e Industrisë, tha se institucionet e vendit vazhdojnë të krijojnë politika sa më të mira për bizneset, me të vetmin qëllim të rritjes ekonomike.

Diamant Elshani, koordinator i AKB-së për regjionin e Pejës, falënderoi Komunën e Pejës, që bënë të mundur hapjen e zyrës së AKB-së e cila do të jetë një strehë e bizneseve të Dukagjinit ku dhe zëri i tyre do të jetë më I fuqishëm në eliminimin e barrierave që hasin.

Ai ka kërkuar nga qytetarët jo vetëm të Dukagjinit, por të gjithë Kosovës, që sa më shumë ti konsumojnë prodhimet vendore, të cilat janë më cilësore sesa ato të importuarat.

Më pas u mbajt edhe debati lidhur me sfidat dhe pengesat e prodhuesve të regjionit të Pejës, ku kërkuan lehtësira dhe mjedis më të mirë për bizneset. /Telegrafi/