LAJMI I FUNDIT:

Rritet kostoja e ndërtimeve

Rritet kostoja e ndërtimeve

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Kostos së Ndërtimit” për tremujorin e tretë 2015. Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit (IKN) në Kosovë është rritur për 0.5 për qind në TM3 2015, krahasuar me TM2 2015.

“Ngritja e Indeksit të Çmimeve të Kostos të Ndërtimit është vërejtur te disa kategori, si: te materialet elektrike për 1.6 për qind, me një ndikim prej 0.1 për qind në IKN; te materialet hidro-sanitare, çmimet u ngritën për 1.5 për qind me një ndikim prej 0.1 për qind në IKN; te materialet ndërtimore për 0.6 për qind, me një ndikim prej 0.4 për qind në IKN; te makineritë, çmimet u ngritën për 0.2 për qind; si dhe te energjia për 0.1 për qind, pa ndonjë ndikim të theksuar në IKN”, njofton ASK-ja.

Ngritja e çmimeve u neutralizua me rënien e çmimeve te kostot e tjera për -0.3 për qind, pa ndonjë ndikim në IKN.


Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (TM3 2014), IKN po ashtu është rritur për 1.0 për qind. “Ngritja e Indeksit të Çmimeve të Kostos së Ndërtimit është vërejtur te disa kategori, si: te energjia për 14.9 për qind, me një ndikim prej 0.2 për qind në IKN; te pagat për 4.4 për qind, me një ndikim prej 0.7 për qind; te materialet hidro-sanitare për 3.9 për qind, me një ndikim prej 0.2 për qind në IKN; te materialet elektrike për 2.6 për qind, me një ndikim prej 0.1 për qind, te makineritë për 1.6 për qind, me një ndikim prej 0.1 për qind”, tekson publikimi i ASK-së.

Ndërkaq, rgritja e çmimeve u neutralizua me rënien e çmimeve të materialeve ndërtimore për -0.5 për qind, me një ndikim prej -0.3 për qind; si dhe te kostot e tjera me -0.9 për qind, pa ndonjë ndikim të theksuar në IKN. /Telegrafi/