LAJMI I FUNDIT:

Pse mërgimtarët blejnë vetura të shtrenjta!?

Pse mërgimtarët blejnë vetura të shtrenjta!?

Koha e pushimeve në vendlindje, përveç që i mbush qytetet me mërgimtarë, mbush edhe rrugët me vetura nga më të ndryshmet. Natyrisht, veturat luksoze janë ato që më së shumti tërheqin vëmendjen e qytetarëve.

“Është normale që vetura ime dallon prej veturave të atjeshme. Me kushtet ekonomike që janë atje, edhe mundësitë për të pasur veturë luksoze janë më të vogla”, thotë Kastriot Kryeziu, i cili ka veturë BMW të markës X5.

Kastrioti jeton në Zvicër që nga viti 2009 dhe thotë se deri tash ka pasur vetura edhe Mercedes e Audi.


“Në të ardhmen kam në plan që ta kem një BMW 7. Kjo është një ëndërr e imja”, shprehet Kastrioti 28 vjeçar që jeton në Cyrih.

Thuajse çdo i ri që vjen për herë të parë në Zvicër, ka dëshirë të blejë një veturë luksoze, kryesisht të prodhimin gjerman. Pse? A është në pyetje nevoja për makinë të fortë apo dëshira për t`u “parë”?

“Ne rregullisht udhëtojmë në pushim në vendlindje dhe kemi nevojë për një veturë të fuqishme. Kjo është arsyeja e vetme se pse shqiptarëve, po edhe të tjerëve, u interesojnë veturat e gjermanit”, thotë Jashar Zymberi.

Ai, së bashku me vëllain e tij Nexhatin, tash e një kohë merren me shitblerjen e veturave. Ata thonë se interesimi për veturat gjermane është i madh.

“Gjermanët njihen për kualitetin e punës dhe shqiptarët kanë besim tek puna e tyre. Por, po ashtu edhe pjesët mund të gjinden më lehtë, pasi Gjermania është në Evropë. Ne kemi më shumë klientë zviceranë, por një përqindje e mirë e tyre janë edhe shqiptarë”, shton ai.

Në vendlindje thuajse është krijuar një mit se nëse je duke jetuar në Zvicër, sigurisht që “duhet” të kesh një BMW, Audi apo Mercedes!

“Zviceranët pa i bo një milion franga, nuk blejnë veturë luksoze. Kurse, tek ne shqiptarët është më ndryshe. Është më ndryshe sepse ne nuk jetojmë vetëm në Zvicër. Nëse i kemi një apo dy javë pushim, shkojmë në vendlindje. I bëjmë 2000 kilometra rrugë dhe kemi nevojë për vetura të sigurta, sepse udhëtojmë me familje” shton Nexhati.

Është shkruar shumë nëpër portalet online për lojtarët shqiptarë si Xherdan Shaqiri, Blerim Xhemaili e Pajtim Kasami, të cilët në grumbullimin e përfaqësueses së Zvicrës, para ndeshjes me Slloveninë, kanë shkuar me veturat më luksoze, duke u veçuar nga të tjerët që madje kanë shkuar me autobus.

“Zviceranët i kanë kaluar shumë më herët këto kënaqësi, kurse ne shqiptarët ende nuk jemi të ngopur me luks” thotë Jashari.

Sipas vëllezërve Jashari, interesimi për blerjen e veturave me “leasing” është i mirë, por këta u preferojnë klientëve të tyre që të presin dhe të kenë durim që të ruajnë të hollat dhe që kur të blejnë ndonjë veturë këtë ta bëjnë me të holla në dorë.

Shumica e mërgimtarëve shqiptarë vendlindjen e vizitojnë minimum dy herë në vit: gjatë pushimit të dimrit dhe të verës. Fatkeqësisht, për këto dy sezone çmimi i biletave të fluturimit është shumë i lartë. Kështu, ata janë të “detyruar” të udhëtojnë me vetura, 20 orë në rrugë – nëse kanë fat të mos kenë kolonë në kufijtë e Serbisë. /albinfo/