LAJMI I FUNDIT:

Digjitalizohen biletat në stacion të autobusëve në Prishtinë

Digjitalizohen biletat në stacion të autobusëve në Prishtinë

Për herë të parë në Kosovë, sot u bë digjitalizimi i biletave për udhëtarë dhe hapja e laurave digjitale për çdo hyrje-dalje të automjeteve në stacion. Kjo është faza e parë e punimeve të digjitalizimit në stacionin e autobusëve në Prishtinë, ndërsa në të ardhmen pritet që të gjitha shërbimet brenda këtij stacioni të digjitalizohen.

Digjitalizimi i hapjes së laurave mundëson që pagesat të kryhen qoftë në mënyrë mujore apo edhe në mënyra të ndara për çdo hyrje që bëhet në stacion.

Me këtë rast kryeshefi ekzekutiv i stacionit të autobusëve, Nol Dedaj, tha që ky sistem i pranon tabelat e regjistrimit dhe pastaj bëhet hapja e laurës në mënyrë digjitale pas pagesës. “Sot u bë hapja solemne e laurave digjitale dhe digjitalizimi i biletës… në fazën e parë që e kemi bërë është përshkruar…ata të cilët e kanë pagesën mujore edhe ata të cilët i kryejnë shërbimet brenda stacionit, ata e kanë pagesën mujore, në këtë formë atëherë sistemi i pranon tabelat e regjistrimit dhe në këtë formë hapet në mënyrë automatike laura(rampa)…për automjete të vogla është 1 euro”, tha Dedaj.


E, për shitjen e biletave janë të ndara 3 sportele ndërsa për shitjen e biletave të parkingut janë të ndara dy sportele.

Sipas Dedajt, këto shërbime po bëhen më kualitative në mënyrë që të rritet buxheti i stacionit dhe më pas të vazhdohet me fazat tjera në digjitalizimin komplet të të gjitha shërbimeve brenda stacionit të autobusëve në Prishtinë.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tregoi për idenë e këtij digjitalizimi. Ai tha se kjo po bëhet që të lehtësohet puna, të rritet transparenca dhe të rriten të hyrat brenda stacionit. “Ideja e krejt kësaj ka qenë që përmes digjitalizimit e dhe të bëhet puna më e lehtë por efekti kryesor i digjitalizimit të këtyre shërbimeve ka të bëjë me rritjen e transparencës dhe rritjen e të hyrave në stacionin e autobusëve. Ky digjitalizim e pamundëson vendimin arbitrar të individëve për të treguar se kush mundet me hy …një autobus i cili nuk është i regjistruar dhe nuk ka marrëveshje me stacionin e autobusëve nuk mund të hyjë në stacion pa e bërë pagesën…në të ardhmen planifikojmë të bëjmë ndërlidhjen e stacionit të autobusëve si stacion ndër urban me trafikun urban…kjo i ka kushtuar stacionit të autobusëve 35 mijë euro”, tha Ahmeti.

Pasi e provoi i pari se sa është e zbatueshme kjo procedurë, Ahmeti shtoi se këto bileta kanë masa mbrojtëse. Ai po ashtu tha se ndalesat e autobusëve të cilat nuk janë të lejuara, do të dënohen. “Kjo është bileta e re e cila lëshohet në stacion e cila i ka disa masa mbrojtëse për të digjitalizuar këtë shërbim. Tash e tutje ne do ta dimë saktësisht numrin e udhëtarëve në secilin relacion dhe do të ju bëjmë me dije autobusëve që në qoftëse nuk blihet bileta në stacion pamundëson ndalesat që nuk janë të lejuara, ato do të dënohen”, tha Ahmeti.

Sa i përket hyrjeve në stacion të automjeteve të autoshkollave, ata do të kenë mundësi që të bëjnë pagesë mujore e cila ka kosto prej 13.5 eurove në muaj ose 50 cent për secilën hyrje. /Telegrafi/