LAJMI I FUNDIT:

Reklama multimilionere e Kryeministrit Berisha

Taksapaguesit tanë janë mësuar tashmë që paratë e tyre të shpërdorohen nëpër tendera, shpenzime kolltukësh tutillarësh apo për teka të tjera të administratës shtetërore kombinuar me grykësinë tradicionale të pushtetarit të mesëm shqiptar.

Në rastin më të mirë, paratë thjesht janë keqpërdorur duke u shpenzuar – ndonëse ligjërisht në mënyrë korrekte – për çështje të cilat nuk janë objektivi logjik i shpenzimit të të ardhurave nga taksat.

Por, së fundmi të gjithë u përballën me një risi. Një mjet i ri transparence nga qeveria për të luftuar korrupsionin. Shqiptarët, ata që paguajnë taksa, panë t’u shpenzoheshin kontributet në buxhetin e shtetit bash para syve.


Bëhet fjalë për spotin e ri të Kryeministrit Sali Berisha, i cili më shumë se të evokojë luftën kundër korrupsionit, trumbeton në fakt “fitor-j-et” e qeverisë së tij në këtë drejtim, duke përkthyer gjithçka në standarde më të mira dhe jetë të lumtur për shqiptarët.

Gjetja e re për ta bërë publikun dëshmitar të shpenzimit të parave që mblidhen nga taksat në tre televizione të vendit, sekondë pas sekonde, numëron në fakt mbi 60 000 të tilla, ndryshe mbi 1000 minuta transmetim televiziv, ndërsa vetë spoti tipikisht elektoral është përsëritur rreth 600 herë, duke u përkthyer në një faturë të përgjithshme prej rreth 25 milionë lekësh (të reja).

E gjitha kjo vetëm për muajin shtator, ndërkohë që transmetimi, i cili ka nisur në fund të gushtit po mbyll tashmë muajin e dytë. Revista MAPO, falë një investigimi dhe monitorimi të gjatë arriti të sigurojë të gjitha shifrat dhe
detajet e kohëzgjatjes së spotit në orë dhe ditë të ndryshme të transmetimit në këto tre televizione, shoqëruar me tarifat përkatëse, si dhe skontot promocionale.

Kjo shifër është e përafërt me çmimin prej 300 000 dollarësh që kushtoi spoti i qeverisë në CNN për promovimin e vendit. Por ndërsa me spotin në CNN kishte shpresë se mund të vinte ndonjë turist më shumë në vend, në rastin e këtij spoti nuk dihet mirë se ç’ndodh.

Gjithashtu kostoja e spotit të triumfit mbi korrupsionin është sa dyfishi i kostos së skandalit të “misrit pa kokrra”, i cili vende-vende la derrat pa ushqim, ndërsa në zona të tjera u mori bukën e gojës fshatarëve. Ndërsa rasti aktual, i cili paraqitet aspak aksidental, por i mirëpërpunuar ka ngjallur dyshime e debate të shumta mbi shpenzimin e ligjëruar të buxhetit të shtetit për motivet elektorale të një force të vetme politike.

“Boom” në tregun e reklamës!

I gjithë tregu i reklamës në Shqipëri vlerësohet në një total prej rreth 30 milionë eurosh në vit. Këtu përfshihen reklama televizive, radiofonike, gazeta, revista, fletëpalosje, lokale, spote në rrugë, në autobusë, në fasada ndërtesash, në kodra etj., anembanë vendit. Kjo do të thotë se një mesatare mujore e të ardhurave të këtij tregu vlerësohet diku te 300 milionë lekët.

Por së fundmi ky treg pa shënuar një rritje historike dyshifrore, e cila nuk vjen si rrjedhojë e rritjes ekonomike, por si pasojë e një spoti gati personal të Kryeministrit Sali Berisha, prej 25 milionë lekësh. /Mapo/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Bisha Lamborghini Revuelto tani në Kosovë, ekskluzivisht nga Auto SHERRETI

Bisha Lamborghini Revuelto tani në Kosovë, ekskluzivisht nga Auto SHERRETI

Auto Sherreti
Shijuat verën, por humbët formën? Ja si të riktheheni në formë pa pasur nevojë të dilni nga shtëpia

Shijuat verën, por humbët formën? Ja si të riktheheni në formë pa pasur nevojë të dilni nga shtëpia

Melodia Px
Për flokë dhe lëkurë rrezatuese: Këto 3 lloje të kolagjenit janë gjithçka që ju duhet

Për flokë dhe lëkurë rrezatuese: Këto 3 lloje të kolagjenit janë gjithçka që ju duhet

E Bukura e Dheut
Udhëto sigurt drejt top destinacioneve evropiane me Prishtina Ticket

Udhëto sigurt drejt top destinacioneve evropiane me Prishtina Ticket

Prishtina Ticket
Punëtorët në Mbretërinë e Bashkuar mund të kenë të drejtën të kërkojnë “një javë pune katër-ditore”

Punëtorët në Mbretërinë e Bashkuar mund të kenë të drejtën të kërkojnë “një javë pune katër-ditore”

Botë
Inaugurohet investimi më i ri për lumturinë e fëmijëve - ATC Kids

Inaugurohet investimi më i ri për lumturinë e fëmijëve - ATC Kids

ATC Kids
Kalo në kategori