LAJMI I FUNDIT:

Zonja “Hundai”, guximtarja e biznesit

Është e vetmja grua milionere, sipërmarrëse në një vend maskilist. Më 3 tetor të 2007-ës, përfaqësuesit e dy Koreve u takuan për takimin e dytë diplomatik nga fundi i luftës, që në 1953-shin shkaktoi ndarjen e vendit. Protagonisti i takimit nuk ishte lideri koreanoverior King Jong-il, e as Presidenti i Koresë së Jugut, Roh Moohyun. Të gjithë i kishin ngulur sytë te një grua 52-vjeçare koreanojugore e veshur me të zeza, që gazetat e cilësonin si një "shtëpiake". Kamerat e fiksuan gjatë një pushimi të shkurtër, teksa vështronte e menduar lumin Teadong. "Im shoq thoshte se sa herë kthehej në Pyongyang, i dukej gjithnjë e më i bukur. Tani e kuptoj se pse…".

Hyun Jeong-eun është një grua e mbyllur, nënë e tre fëmijëve. Në faqen e saj personale në internet shkruan se i pëlqen të gatuajë. Hyun është edhe presidentja e kompanisë "Hyundai", e krijuar në vitin 1946 nga vjehrri i saj. Në fillim kjo kompani ishte thjesht një ofiçinë automobilistike. Më pas, në 10 vitet pasardhëse, "Hyundai" bleu anije cisternë, grataçiela, procesorë për kompjuterë, magazina të mëdha, hotele dhe banka. Kompania pati një rritje të menjëhershme, aq sa shumë persona filluan ta quanin Korenë e Jugut "Republika e Hyundai"-t, ose të paktën kështu ishte në të shkuarën. Gjatë viteve ‘90, "Hyundai" prodhonte 16 për qind të prodhimit kombëtar bruto, por pas krizës financiare që goditi Azinë në vitin 1998, të ardhurat u pakësuan, borxhet u shtuan, aksionet e familjes së themeluesit të kësaj kompanie humbën vlerën dhe disa aktivitete u lëshuan me qira me çmim shumë të ulët. Sot llogaritë e kompanisë janë stabilizuar, por nuk është më kompania e kohërave të mëparshme.

Duket se rikthimi drejt suksesit është i afërt. Presidentja Hyun dëshiron ta zgjerojë sipërfaqen edhe në Korenë e Veriut. Dikur ishte qendra e industrisë kombëtare, ndërsa sot është një nga tregjet e mëdha të paeksploruar në të gjithë Azinë. Rrogat e punëtorëve koreanoveriorë janë më të ulëtat në vend, pothuajse sa një e dhjeta e kinezëve. Duke qenë se qëndron mes tre ekonomive të mëdha aziatike (Japonisë, Kinës dhe Koresë së Jugut), Koreja e Veriut është në qendër të vëmendjes së shumë investitorëve të huaj. Gjithsesi, Hyun është me e favorizuar ndaj konkurrencës: në Korenë e Veriut mund të mbështetet te koncesionet e rëndësishme, pasi prej kohësh kontrollon një park industrial, në të cilin ka punësuar 8 për qind të forcës punëtore të vendit dhe administron një resort turistik që çdo vit tërheq rreth 500 mijë koreanojugorë. Pas takimit në tetor të 2007-ës, Hyun ka fituar të drejtën për të realizuar fluturimin e parë lidhës mes Veriut dhe Jugut, i cili ishte ndërprerë që nga kohërat e luftës.


Vejusha e zezë

Në Perëndim askush nuk ka dëgjuar të flitet për Hyun Jeong-eun, edhe pse kurrë më parë nuk ka dhënë një intervistë. Por, nëse Koreja e Veriut do të lidhet me pjesën tjetër të botës, atëherë kjo do të jetë një meritë e saj. Hyun ka luftuar shumë për këtë ndryshim, duke vënë në rrezik aftësitë e saj si administratore e deleguar dhe duke bërë investime të mëdha në këtë vend të varfër. Rezultatet do të jenë edhe më mbresëlënëse nëse gjithçka do të shkojë mirë, pasi në Korenë e Jugut femrat janë të përjashtuara nga bota e biznesit. Hyun ka arritur t‘i mposhtë paragjykimet maskiliste të brezave koreanoveriorë, për këtë arsye, disa persona e konsiderojnë si një shembull që duhet imituar, ndërsa për të tjerët një shembull që duhet urryer. Që kur trashëgoi kompaninë "Hyundai", përgojuesit e saj e quajnë "vejusha e zezë" dhe e sulmojnë për paaftësi.

Karriera e Hyun filloi më 3 gusht të 2003-shit. Sipas biografit të saj Joo Chi-ho, atë natë Hyun po darkonte në një restorant së bashku me bashkëshortin Chung Moung-hun dhe një çift tjetër. Pas darkës dy gratë u kthyen në shtëpi. Ishte ora 23.00 e mbrëmjes kur dy burrat u ndanë dhe Chung shkoi te një berber nate për të qethur flokët para se të shkonte në zyrë. Gjatë darkës nuk i kishte pasqyruar për asnjë sekondë presionet e mëdha që po përjetonte në punë. Ashtu si bashkëshortja e tij, ishte një njeri i mbyllur. Pak javë para se të vdiste, Chung ishte marrë shumë herë në pyetje nga policia, e cila dyshonte se ishte në qendër të një prej skandaleve më të mëdha të vendit. E akuzonin se kishte dërguar ilegalisht gjysmë miliardi dollarë në Korenë e Veriut. Më vonë, një gjyq vërtetoi se ato para kishin kaluar (nga qeveria koreanojugore te "Hyundai" dhe në fund në Pyongyang) në mënyrë tangjente në Korenë e Veriut.

Mëngjesin tjetër, rreth orës 06.00, Hyun u njoftua të vinte në kompaninë e të shoqit. Policia, që kishte rrethuar parkingun, i tregoi trupin e pajetë të të shoqit. Chung ishte hedhur nga kati i 12-të i ndërtesës. Në fotot televizive të funeralit, Hyun duket e heshtur. Si të gjitha vejushat koreane, vuan dhe qëndron pranë fëmijëve të saj. Kjo pamje i përshtatet jashtëzakonisht: heshtja është dhuntia e saj.

Ditën pas funeralit, Hyun kuptoi se kompania që sapo kishte trashëguar ishte në krizë të thellë: çmimet e aksioneve të të gjitha shoqërive të grupit "Hyundai" po zvogëloheshin. Në fakt, një aksioner i panjohur po blinte aksionet e "Hyundai Elevator". Sapo kishte bërë të tijin 15 për qind dhe do të blinte edhe 35 për qind të tjera. Hyun zbuloi se blerësi ishte xhaxhai Chung Sang-yung, vëllai i themeluesit të kësaj kompanie, i cili i kishte qëndruar pranë gjatë funeralit. Tani kërkonte t‘i merrte nga duart kompaninë.

Jashtë të zakonshmes

Në Korenë e Jugut femrat nuk marrin kurrë detyra si menaxhere, por Hyun është e vetmja në vend. Bashkëshortet e menaxherëve nuk kanë të drejtë madje të merren as me vepra bamirësie. Ndryshe nga femrat e tjera, Hyun i ka sfiduar këto bindje. Është diplomuar në Universitetin Fairleigh Dickinson në Nju Xhersi, më pas u bë pjesëtare e Kryqit të Kuq korean dhe presidente e shoqatës kombëtare të "Girls Scout" (Vajzat zbuluese). Hyun nuk është një grua e zakonshme dhe këtë xhaxhai i burrit duhej ta dinte. Por kur ajo e kuptoi këtë gjë, ishte tepër vonë. Dhjetë ditë pas funeralit, shkoi të vizitonte varrin e të shoqit bashkë me një grup gazetarësh. Ndërsa kalonte kangjellat e varrezave, dukej si një gjeneral që vjen në fushën e betejës. Atë ditë të gjitha televizionet shfaqën një grua tepër të ndjeshme. Pasi vuri lule mbi varrin e të shoqit, pëshpëriti nëpër dhëmbë një plan për shitjen e një pjese të madhe të "Hyundai Elevator", një veprim ky që do t‘i çonte në djall ambiciet e xhaxhait Chung.

Hapi tjetër ishte organizimi i një takimi me 500 drejtuesit më të rëndësishëm të "Hyundai"-t në qendrën e kongreseve të Seoul-it, për këtë rast ajo i kishte bërë një statujë prej floriri Chung Ju-yung, themeluesin e mjerë të kompanisë. Gjatë takimit ajo u premtoi drejtuesve se do t‘i rikthente kompanisë suksesin e dikurshëm. Shpresa e Hyun për t‘i kthyer kompanisë së saj shkëlqimin e dikurshëm, bazohej sidomos te projektet e ekspansionit në Korenë e Veriut. Por koreanoveriorët nuk e njihnin dhe nuk kishin besim tek ajo. Lideri i tyre, Kim Jong-il, nuk e merrte seriozisht dhe pa aprovimin e tij nuk do të ishte i mundur asnjë investim.

Edhe pse udhëtimi i saj i parë në Pyongyang si presidente e re e kompanisë "Hyundai" nuk dha rezultate, Kim Jong-il nuk pranoi të takoheshin, ajo nuk u dekurajua. Vendosi të vizitonte Pyongyang, për t‘u përqendruar më pas te Kaesong, qyteti koreanoverior që ndodhet më afër Seoul. Aty pritja ishte shumë më e ngrohtë. Bashkëpunëtorët e saj kanë shkuar shpesh në Kaesong, duke prezantuar projekte për realizimin e impianteve të reja industriale. Në dhjetor të 2004-ës, Hyun inauguroi hapësirën e parë industriale të Koresë së Veriut. Gjatë ceremonisë mbajti një fjalim të nxehtë mbi bashkimin e Koresë, gjë e cila u vlerësua shumë nga funksionarët koreanoveriorë.

Mësime kuzhine

Një vit e gjysmë më vonë, Hyun u rikthye në Pyongyang me një reputacion më solid, por King Jong-il refuzoi sërish ta takonte. Më 15 korrik 2005, Hyun kishte shkuar me pushime me vajzën Chung Ji-yi në malin Kumgang, në Korenë e Veriut, një resort turistik i cili administrohej nga "Hyundai". Një ditë më vonë, Kim Jong-il e ftoi për drekë në qytetin e Wonsan. Hyun mori me vete edhe vajzën. Në vilën e mrekullueshme me pamje nga deti, Kim Jong-il u shërbeu të dyjave vodka dhe i tha Ji-yi se i ngjante shumë të atit. Më pas i bëri një mësim kuzhine, duke i thënë veçanërisht se vaji i lulediellit ishte ideal për të skuqur. Hyun qëndronte e heshtur. Diçka nuk shkonte: në tavolinë vendi i nderit i ishte rezervuar Kim Yun-gyu, ish-krahut të djathtë të bashkëshortit të saj. Ajo nuk konsiderohej ende si drejtuesja kryesore e "Hyundai"-t.

Vendimi i saj ishte i shpejtë dhe i pangatërrueshëm: një muaj më vonë Hyun pushoi nga puna Kim Yun-gyu, duke përballuar problemin me vendosmëri staliniste. Koreanoveriorët u nxehën shumë për këtë veprim dhe kërkuan hapur rikthimin e tij. Hyun nuk ishte dakord me këtë kërkesë të tyren dhe shkroi në faqen e saj të internetit se gjendej "në një udhëkryq" dhe se nuk e dinte nëse "do të vazhdonte të bënte marrëveshje me Korenë e Veriut". Me këtë ajo po kërcënonte hapur se do t‘i ndërpriste paratë që shkonin në Veri. Në fund, King Jong-il bëri hapa prapa, duke pranuar largimin e Kim Yun-gyu. "Pyongyang duhet të kuptojë se shumë koreanojugorë ndihen të qetësuar nga vendosmëria e presidentes Hyun", ka shkruar një nga gazetat vendase.

Biografia

Lindi në Korenë e Jugut në vitin 1956. Në 2003-shin, pas vdekjes së bashkëshortit, mori drejtimin e kompanisë "Hyundai". Në 2007-ën, nga regjimi koreanojugor fitoi të drejtën për të krijuar lidhjen e parë ajrore mes Koresë Veriore dhe asaj Jugore, të ndara që nga lufta e 1953-shit