LAJMI I FUNDIT:

BB: Ja vendet që preken nga kriza

Vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore nuk janë të imunizuara ndaj krizës financiare

Zyrtarët e Bankës Botërore: Vendet të rritin ndihmën ndaj të varfërve

Shtetet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore nuk janë të imunizuara nga turbulencat që po ndodhin në botë sa i përket krizës globale financiare. Sipas zyrtarëve të Bankës Botërore shumë prej vendeve në këto rajone do të kenë rënie të rritjes ekonomike. Zyrtarët e Bankës Botërore u bënë thirrje këtyre vendeve që të marrin masa për të qenë të përgatitur, si dhe të rritin asistencën ndaj shtresave më të varfra.


Efektet

“Në këtë krizë financiare, që po lëviz shumë shpejt në të gjithë botën, edhe vendet e Evropës Lindore apo edhe ato të Azisë Qendrore po ndiejnë efektet e së bashku me pjesën tjetër të botës”, – theksoi Shigeo Katsu, zëvendëspresident i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore. Këto deklarata u bënë pas një takimi të përvitshëm të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. “Reformat strukturore në këto rajone gjatë viteve të fundit kishin si qëllim vendosjen e politikave makroekonomike shumë të forta. Këto kanë ndihmuar qëndrimin larg krizave deri në njëfarë mase. Por këto vende janë tepër elastike në ditët e sotme në krahasim me ç’ishin 10 vjet më parë. Gjithsesi, asnjë shtet nuk është i imunizuar nga ky impakt”, – tha Katsu.

Rënia e eksporteve

Zëvendëspresidenti për Evropën dhe Azinë Qendrore shtoi se ngadalësimi i vazhdueshëm i ekonomive në Evropën Perëndimore do të reduktojë në minimum kërkesën për eksporte nga vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, veçanërisht ato që bëjnë tregti me 15 vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Gjithashtu një ulje në vendet e Evropës Perëndimore do të ndikojë edhe në Rusi, Kazakistan dhe Ukrainë, sepse do të godasë ekonomitë me të ardhura të ulëta, duke ulur edhe më shumë dërgesat e emigrantëve. “Këto para që dërgohen në shtëpi janë sekondare krahasuar me investimet e huaja direkte, që janë një burim i rëndësishëm i jashtëm gjatë gjithë rajonit. Madje, ky është edhe burimi më i madh i të ardhurave nga jashtë për një numër të madh vendesh me të ardhura të ulëta. Gjithashtu ndikimi i kësaj krize do të jetë më i dukshëm në ato vende që tashmë janë prekur nga kriza e ushqimeve, e energjisë dhe ajo e karburanteve. Për shkak të këtyre efekteve një vëmendje e madhe duhet ti kushtohet marrjes së masave për të mbrojtur shtresat më vulnerabël, duke rritur edhe asistencën social.”

Inflacioni

“Inflacioni është në rritje në të gjitha vendet e rajonit, i ushqyer nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe presioni i kërkesës vendase ka arritur në nivele me dy shifra”, – tha Pradeep Mitra, kryeekonomisti i Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore. Mesazhi për këto vende vjen për politikëbërësit. “Ata duhet të përgatiten për tiu përgjigjur me shpejtësi ndryshimeve ndërkombëtare financiare”, – tha Mitra. Sipas një raporti të Bankës Botërore, numri i njerëzve të kequshqyer në të gjithë botën do të rritet nga 44 milionë në 967 milionë në vitin 2008. Kjo për shkak se shumë vende kanë përjetuar një rritje të inflacionit dyshifror.

Kriza financiare

FMN-ja e gatshme të kreditojë vendet e prekura

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka njoftuar se është i gatshëm ti kreditojë vendet që janë goditur nga kriza kreditore botërore. Me anën e zyrtarëve të saj më të lartë FMN-ja tashmë ka garantuar disa vende për ndihmën e saj. Ajo ka dërguar mision në Islandë, ku qeveria ndërmori kontrollin mbi bankat më të mëdha në vend. Drejtori ekzekutiv i FMN-së, Dominik Stros-Kan, deklaroi se janë aktivizuar procedurat e shpejta që të mundet Fondi të reagojë shpejt ndaj krizës. “FMN-ja është e gatshme të përgjigjet ndaj të gjitha nevojave të vendeve që kanë probleme”, – tha Stros-Kan. Mekanizmi për financim të FMN-së është krijuar në vitin 1995, si mënyrë për miratim të përshpejtuar të kredive të vendeve që ballafaqohen me probleme financiare. Kjo për herë të parë është shfrytëzuar në vitin 1997 që të ndihmohej Tajlanda, Indonezia dhe Koreja e Jugut gjatë krizës aziatike.

Rënia 20 për qind

Tregjet mund të shënojnë rënie deri në 20 për qind, por praktikisht rreziku për një tjetër Depresion të Madh është zero. Kështu deklaroi shefi i departamentit ekonomik të FMN-së, Olivier Blanchard. “Në rastin më të keq, qeverive të shteteve do tu duhen disa javë më tepër për të marrë masat e duhura, ndërkohë që tregjet mund të pësojnë një rënie prej 20 për qind, por më pas do të stabilizohet situata”, – u shpreh Blanchard.