LAJMI I FUNDIT:

130 vjet kriza financiare

Sipas Çarls P. Kindwllbergerit, krizat financiare janë si gratë e bukura: "Është e vështirë t’i përshkruash, por cilido i dallon menjëherë." Në këtë pikëpamje, tri dekadat e para pas Luftës së Dytë Botërore ishin joproduktive për adhuruesin e gjinisë femërore. Midis 1945-ës dhe 1973-it ka pasur vetëm kriza financiare të dobëta të veçuara. 28 vjet qëndrueshmëri – kjo është unike dhe me gjasa do të mbetet unike. Cilat ishin arsyet? Natyrisht, lulëzimi ekonomik i Europës mbi gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore, Plani Marshall, ndarja e botës, gara e sistemeve, ndodhën njëkohësisht me shtytje të fuqishme rritjeje ekonomike.

Por, po kaq i rëndësishëm: Sistemi i Bretton Woods-it. Në fshatin e vogël malor amerikan, në kufirin me Kanadanë, aleatët ishin marrë vesh në vitin 1944 për kontrolle të qarkullimit të kapitalit dhe për kurse këmbimi fikse; të dyja shtylla të sistemit financiar botëror, i cili nxori mësime prej gabimeve që e zhytën botën në Depresionin e Madh të viteve tridhjetë dhe që vulosën në Gjermani fundin e demokracisë parlamentare.

Marrëveshja e Bretton-Woods-it mbajti deri më 14 Gusht 1973. Atë ditë, presidenti amerikan, Riçard Nikson, e prishi në mënyrë të njëanshme sistemin monetar të kohës së pasluftës. Luftën e Vietnamit SHBA e kishin financuar me anë të kredive. Si rezultat u rrit shumë sasia e dollarit në qarkullim. Nikson-i nuk ishte më në gjendje t’i përmbushte detyrimet që lindnin prej Bretton Woods-it, për të këmbyer 35 dollarë kundrejt onsës së arit. Kishte rënë kambana e epokës së re; vite më vonë ajo mori edhe emrin: globalizim. Që atëherë kurset e këmbimit janë të liberalizuara dhe kapitali rrjedh pa u penguar përreth globit – gjithnjë në kërkim të "hanxhiut më të mirë".


Vala e parë e liberalizimit të fluksit të kapitalit nisi rreth vitit 1870 dhe përfundoi me fillimin e Luftës së Parë Botërore. Dëshmi e pranverës mbarë botërore, ishin veprimtaritë ndërkombëtare të përmasave të mëdha si ekspozitat botërore në Londër, Paris, Filadelfia, Çikago. Kapitali rridhte drejt Botës së Re dhe drejt kolonive; ndërtimi i hekurudhave ofroi hapësirë të mjaftueshme për depozita spekuluese; industria elektrike dhe kimike konkurronin në tregun botëror për hegjemoni. Në gusht 1941 morri papritur fund epoka e globalizimit.

Faza e dytë e qarkullimit të liberalizuar të kapitalit filloi pas Luftës së Parë Botërore në vitet njëzet. Kredi afatshkurtra nga SHBA mbulonin nevojën për financim në Europën e pasluftës. Franca dhe Britania e Madhe e kishin financuar luftën kryesisht me kredi nga SHBA dhe donin t’i lanin huatë me reparacione nga Gjermania. Gjermania nga ana tjetër e kishte financuar luftën me obligacione të shtetasve të vet dhe me shtypje të re kartëmonedhash. Pas të Premtes së Zezë në bursën e Nju-Jorkut investuesit amerikanë i tërhoqën paratë brenda natës nga Gjermania. Pasojat janë të njohura.

Bota pas Luftës së Dytë Botërore kishte për tri dekada rregull. Me prishjen e sistemit Bretton-Woods në 1973-in nisi vala e tretë e qarkullimit të lirë të kapitalit dhe keqësoi dramatikisht krizën e borxheve në vendet e Botës së Tretë. Vala deri tani e fundit nisi njëkohësisht me kolapsin e bllokut të pushtetit socialist.