LAJMI I FUNDIT:

Kremlini fitoi luftën, por investitorët nxitojnë të largohen

Për lidershipin e Rusisë, duket sikur çdo gjë ka shkuar mirë. Në tre javë, vendi sulmoi, dërrmoi ushtrinë e saj dhe sfidoi opinionin ndërkombëtar duke njohur republikat e shkëputura të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë. Kërcënimet perëndimore nuk patën asnjë efekt. Sulmi i Rusisë ndaj Gjeorgjisë mbeti i pandëshkuar.

Por fitorja ishte minuar nga një largim alarmant i kapitaleve. Analistët vlerësojnë se, prej fillimit të luftës në 8 Gusht, 19 miliard USD janë tërhequr nga vendi. Kremlini gjithashtu është duke u përballur me probleme të tjera ekonomike. Ato përfshijnë një rënie të shpejtë të çmimit të naftës, i cili ka rënë pothuajse me 30% pasi arriti kulmin me 150 USD/fuçi, dhe me një rritje prej 9, 7% të inflacionit prej fillimit të vitit.

Analistët besojnë se lufta mund të bëhet një katalizator për një ngadalësim akoma edhe më të thellë në vazhdim të shtatë viteve të rritjes së paprecedentë ekonomike. Deri tani Kremlini ka punuar për të bashkuar rusët në mbështetje për pushtimin e Gjeorgjisë. Por ndërsa ekonomia ftohet, euforia është duke u shuar.


"Lufta në Gjeorgji ka qenë motori kryesor i gjithçkaje. Zyrtarisht kapitalet që janë larguar arrijnë 19 miliard USD. Ne vlerësojmë se ato mund të jenë 20-25 miliard USD", thotë Vladimir Osakovski, një analist nga Moska që punon për UniCredit. "Për pjesën më të madhe të këtij viti ne jemi parë si një strehë e sigurt. Kapitali ishte duke u derdhur në tregjet ruse dhe fondet financiare ruse. Ne kemi humbur këtë ndjenjë të strehës së sigurt".

Sipas Osakovskit, rënia filloi jo me luftën në Gjeorgji por në fund të korrikut, kur kryeministri Vladimir Putin, lëshoi një sulm të jashtëzakonshëm ndaj kompanisë së minierave dhe metaleve Mechel. Vlefta e aksioneve të Mechel ra në bursën e Nju-Jorkut me 38% pasi Putin kërcënoi të "dërgonte doktorë" për të ekzaminuar pronarët e saj. Aksionet e Mechel humbën 6 miliard USD në një ditë.

Ndërkohë, ekziston një debat i gjallë prapa dyerve të mbyllura në Kremlin. Sipas Andrei Piontkovsky, një shkencëtar në Akademinë ruse të Shkencave, që shkruante në "The Moscow Times", elita politike e Rusisë është e përçarë midis kleptokratëve kombëtarë dhe globalë.

Kleptokratët globalë kanë investuar pjesën më të madhe të aseteve të tyre në Perëndim, dhe janë frikësuar se konfrontimi i Rusisë me NATO-n mund të përshkallëzohet në një konflikt të plotë. Përkundrazi, kleptokratët kombëtarë kanë fshehur miliardat e tyre brenda Rusisë. Ata kanë shumë pak për të humbur nëse Rusia do të përpiqet të ripërsërisë sukseset e veta ushtarake në Gjeorgji në një tjetër ish-republikë sovjetike të tillë si Estonia ose Ukraina.

Nuk është asnjë sekret që elita e Rusisë i dërgon fëmijët e saj në shkollat private angleze, që ka shtëpi në Mayfair dhe South Kensington të Londrës, dhe që shijon pushimet duke bërë ski në alpet franceze. BE-ja ka dështuar për të gjetur mënyra efektive që të bindi Rusinë për ti dhënë fund pushtimit të Gjeorgjisë, por pakkush dyshon se taktika më shkatërruese do të ishte refuzimi i vizave Shengen për zyrtarët e Kremlinit.

"Është duke u bërë gjithnjë e më e vështirë për ta (kleptokratët globalë) të shpjegojnë përse gratë dhe fëmijët e tyre janë duke blerë pallate në kryeqytetet e vendeve të cilat supozohet se janë armiqtë e betuar të Rusisë", shkruan Piontkovsky në "The Moscow Times".

Ndërkohë, firmat ruse, janë duke e pasur të vështirë të kërkojnë kredi në tregjet monetare ndërkombëtare. Bursa ruse ka rënë ndjeshëm në nivelin e saj më të ulët për dy vjetët e fundit. Edhe dje një tjetër 7, 5% vlerë aksionesh ishte fshirë si rezultat i krizës politike në Ukrainën fqinje, qeveria pro-perëndimore e të cilës sapo ishte shembur.

Por ashtu siç nxjerr në pah Neil Cooper i Dhomës Ruso-Britanike të Tregtisë, rritja është akoma shumë më e lartë sesa në Britani. "Nëse ju krahasoni këtë me atë që po ndodh tek ne në shtëpi, kjo nuk duket edhe aq keq", thotë Cooper. "Ka një ngadalësim të lehtë (në Rusi). Por askush nuk është imun ndaj këtyre jehonave në botë". Ai tha se shkallët e rritjes në Rusia janë të gjalla. "Ekziston konsensusi se Rusia është akoma një vend i përshtatshëm për të investuar në të. Ajo është një vend i mundësive", tha ai.

Sigurisht Rusia është vendosur shumë mirë për të dalë jashtë një krize financiare. Rezervat valutore të nxitura edhe nga nafta arrinin dje në 582, 5 miliard USD, më shumë se 1 miliard USD në krahasim me një javë më parë.

Presidenti Dimitri Medvedev ka shmangur bisedën mbi largimin e kapitaleve dhe, në një intervistë të enjten, ka fajësuar për problemet e fundit SHBA. "Kjo në 80% të saj ka të bëjë me efektet negative në SHBA dhe 20% për shkak të Gjeorgjisë", tha ai. SHBA u është dashur të vënë në rregull sistemin e tyre të hipotekave dhe të shtojnë likuiditete në tregjet e tyre financiare, shtoi ai.

Kur u bë president në maj, Medvedev ishte përshëndetur si një lloj i ri udhëheqësi – një reformator, një fans i hershëm i grupit muzikor britanik Deep Purple, ndofta edhe një liberal. Megjithatë, pas më pak se 3 muajsh në detyrë, ai sulmoi Gjeorgjinë, u grind me perëndimin dhe mesa duket ka hequr dorë nga premtimet e mëparshme për ti dhënë fund korrupsionit.

Edhe pse ekonomia e Rusisë pritet që të rimarrë veten, vendit do ti duhet një kohë e gjatë për të rifituar reputacionin e tij si një destinacion mjaft i leverdishëm për investimet.

I pyetur për të përmbledhur pasojat e luftës në Gjeorgji për marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin, Grigorii Golosov, profesor i shkencave politike në Universitetin Evropian të Shën Petersburgut, thotë: "Dështim i pastër".