LAJMI I FUNDIT:

Ekonomi e lartë informale në Bullgari dhe Rumani

Dy anëtarët më të rinj të BE-së, Bullgaria e Rumania kanë ende ekonomi të mëdha informale. Ndërtimi e turizmi janë midis sektorëve më të prirur për veprimtari gri të tregut, thonë analistët, shkruan Southeast Euopean Times.

Rreth 200,000 bullgarë punojnë në ndërtim, sipas Institutit shtetëror Kombëtar të Statistikave (NSI). Zyrtarisht, paga mesatare mujore në sektor është 211 euro. Por kjo shifër të orienton tërësisht gabim, këmbëngul Georgi Angelov, ekonomist i lartë në Institutin e Shoqërisë së Hapur në Sofje. Në realitet, nuk ka punëtor ndërtimi në vend që të paguhet më pak se 500 euro, tha ai. Kjo do të thotë se sistemet e taksave dhe sigurimeve shoqërore po humbasin rreth 665 milionë euro në vit, shtoi ai.

Sipas Angelov, gjendja në sektorin e hoteleve dhe restauranteve, që punëson më tepër se 100,000 persona, është e njëjta, në mos me keq. Nuk ka kamariere apo pastruese hoteli që do të pranonte të punonte për vetëm 161 euro cituar në statistikat zyrtare si mesatarja mujore në sektor në tremujorin e parë të vitit 2008, tha ai. Kështu që të ardhurat e fshehura të sektorit shkojnë së paku në 250 milionë euro në vit.


Ndërkaq, një informim politik lëshuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë (CSD) këtë vit cilësonte bujqësinë dhe shërbimet, veçanërisht riparimet, arsimin privat dhe kujdesin shëndetësor, si të shoqëruara me veprimtarinë e ekonomisë informale. "Studimi ka treguar gjithashtu se ka xhepa të konsiderueshëm gri në prodhimin industrial, në veçanti në industritë e akcizave (prodhimin e cigareve dhe të karburantit), tekstileve dhe transportit," tha instituti kërkimor me bazë në Sofje.

Ndonëse disa nga masat e marra nga autoritetet bullgare gjatë pak viteve të shkuara kanë ndihmuar reduktimin e pjesës së ekonomisë gri të vendit, ajo mbetet një pengese kyçe për investimin e rritjen, paralajmëroi grupi.
Përmasat e ekonomisë gri në Bullgari në vitet 2002-2003 ishin rreth 40% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), tregonte një raport i Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD) mbi punësimin informal në Bullgari e Rumani, publikuar në korrik.

Studimi ka treguar gjithashtu se përmasa e ekonomisë gri në Rumani ishte pakëz më e vogël se ajo në Bullgari duke qëndruar në 37% të PBB-së, shumë përmbi Kroacinë, Republikën Çeke, Hungarinë, Lituaninë, Poloninë dhe Republikën Sllovake.

Në lidhje me rastet e punës së padeklaruar, Rumania është në krye të vendeve të Evropës Qendrore e Lindore, ndjekur nga Bullgaria, thoshte raporti 83-faqesh, duke i përshkruar nivelet e punësimit informal në dy vendet e Ballkanit si "tepër të larta".

Sipas raportit të OECD-së, përqindja më e madhe e punëtorëve pa kontratë pune është gjetur në rishitjet dhe shitjet me pakicë, ku shifra arrin në 22%. Prodhimi industrial dhe ndërtimi vijnë të dytat me 21% dhe 15% përkatësisht. Në bujqësi dhe administratën publike, përqindja është më e ulët se 10%.

"Punësimi i përgjithshëm informal në vetvete apo i kombinuar me veprimtari të tjera, duket të jetë një strategji e rëndësishme jetese për shume familje pasi ai ndihmon të ardhurat shtesë nga burime te tjera," tha organizata 30-vendëshe me bazë në Paris.

"Megjithatë, kjo nuk është pa rreziqe potenciale të lidhura me mungesën e mbulimit shëndetësor apo pensioneve, papunësisë dhe pasigurisë."

Nivelet e larta të taksave janë përmendur si arsyeja kryesore për punëdhënësit për të mos regjistruar një biznes dhe punonjësit, apo për punonjësit për të mosdeklaruar pjesë apo të gjitha të ardhurat e tyre. Të tjerë faktorë që shihen se i shpien njerëzit të priren ndaj informalitetit dhe jo formalitetit, përfshijnë mungesën e besimit në institucionet publike, perceptimin negativ të rolit të shtetit, mirëkuptimin e pjesshëm apo nënvleftësimin e përfitimeve të rrjedhura nga sigurimi shoqëror, sipas OECD-së.

Sipërmarrësit në Rumani kanë rreshtuar gjithashtu ngarkesën e procedurave administrative, rregullat e komplikuara dhe strikte dhe procedurat e zgjatura tregtare si të tjerë faktorë që shpesh i shpien ata në anashkalimin e strukturave formale dhe veprimit në mënyrë informale.