LAJMI I FUNDIT:

Krim-industria!

Gati çdo ditë njoftohet për raste të rënda të trafikimit, kontrabandimit, qarkullimit të dokumenteve apo monedhave false, pastrimit të parave dhe shumë “të zezave të tjera ekonomike”, derisa lajmi për zbulimin e tyre apo ndëshkimin e të inkriminuarve është shumë i rrallë.

Në një konferencë për pasojat e krimit financiar, Kryeministri i vendit e tha atë që mediat e thonë gjatë gjithë periudhës së pasluftës – Gjykatat flenë mbi dosje krimi! Dallimi i vetëm në këtë pikë është se ai atakoi direkt gjykatësit, ndërsa kur shkruajnë mediat gjysmën e fajit ia atribuojnë edhe Qeverisë.

Bindja e parë që të krijohet për sistemin gjyqësor në Kosovë është se ky segment është kthyer në një industri, ku çështjet penale dhe civile trajtohen si lëndë e parë nga të cilat nxirren fitime të mëdha e të pakontestueshme.


Në rastet e konflikteve mes individëve apo subjekteve të tjera private dhe institucioneve, interesat e shoqërisë minohen, ngase gjykatat kanë prirjen të favorizojnë atë kategori, edhe kur këta nuk kanë të drejtë, por vetëm se ata japin ryshfet apo janë pjesë e politikës.

Nëse Qeveria do të ketë ndërmend të luftojë përnjëmend krimin, nuk duhet lënë që çështja të mbetet në nivelin e deklaratës së thënë në “Grand”. Pas asaj deklarate, Qeveria duhet të tregojë vullnet politik dhe kushtetues se me të vërtetë është e interesuar të “shkundë” dosjet e krimit, dhe atë pa dallim, referenca a preferenca, të cilat do të bënin që ndonjëri të shpëtonte nga “shkundja” .

Për të qenë më bindëse, gjërat duhet të fillonin nga “dosjet zyrtare”, me ç’rast si një bazë e mirë hetimi do të shërbenin raportet e Auditorit Gjeneral të Kosovës, të cilat me shumë pak përjashtime kanë filluar të pluhurosen ashtu sikurse dosjet në raftet e gjykatës apo prokurorisë!

Pasojat e korrupsionit gjyqësor janë më shkatërrimtaret nga të gjithë llojet e tjera të korrupsionit. Një thellim në kahje negative do të ishte goditja përfundimtare drejt eliminimit të atij pak besimi në sistemin e drejtësisë në Kosovë, si dhe do të prishte çdo raport në marrëdhëniet juridike-civile mes qytetarëve, gjyqësorit dhe ekzekutivit!

Realiteti “legjislativ” ndoshta është përgjigjja më e mirë për kërkesën e gjykatësve për rritje pagash, ndërsa raportet e auditorit – përgjigje për “trumbetimin” institucional për zbatueshmërinë e rregullave procedurore dhe financiare, si dhe nivelin e përgjegjësisë!

(Autori është redaktor i rubrikës “Ekopolitikë” në gazetën “Lajm”)