LAJMI I FUNDIT:

Përkujdesja e lëkurës gjatë ditëve të ftohta

Përkujdesja e lëkurës gjatë ditëve të ftohta

Temperaturat e ulëta, lagështia e ajrit dhe moti i ftohtë mund ta dëmtojnë lëkurën tuaj. Në stinën e dimrit duhet treguar kujdes i veçantë për lëkurën.

Duhet të përdorni skrabin
Dermatologët këshillojnë përdorimin e skrabit të paktën tri herë në javë. Është më shumë i nevojshëm në ditët e ftohta, pasi skrabi ndihmon në heqjen e qelizave të vdekura, papastërtive dhe e përmirëson lëkurën.

Hidratimi
Në stinën e ftohtë të dimrit lëkura ka nevojë për më shumë krem sesa në verë, pasi lëkura thahet shumë nga të ftohtët. Mund të aplikoni një sasi më të madhe kremi në lëkurë ose të përdorni një krim që është i posaçëm për në dimër, i cili ka një përbërje më të trashë.

Bëni dush të shpejtë dhe me ujë të ftohtë
Në stinën e ftohtë, pjesa më e madhe e njerëzve parapëlqejnë të rrinë gjatë në dush dhe të lahen me ujë të nxehtë. Në fakt, dushi me ujë të nxehtë e dëmton lëkurën dhe e dehidraton atë, aq më tepër në mot të ftohtë. Nuk duhet të harroni të përdorni krem hidratues për trupin pas dushit, në mënyrë që lëkura të mos thahet.


Përdorni krem mbrojtës kundër diellit edhe në dimër
Shumë femra mendojnë se kremi kundër diellit nevojitet vetëm në verë. Në fakt, nëse nuk përdorni krem kundër diellit gjatë gjithë vitit, lëkura mund të dëmtohet nga dielli në stinët e ftohta, pasi shoqërohet edhe nga era e fortë. Nëse kremi i përditshëm nuk përmban SPF me vlerë 15 ose më të lartë, atëherë përpara se të vini kremin hidratues, vendosni patjetër një krem me mbrojtje SPF.

Kujdes me dietën
Dihet mirë nga të gjithë se lëkura reflekton mënyrën tonë të ushqyerjes. Gjatë dimrit duhet të konsumoni më shumë produkte me yndyrë sesa në verë. Për këtë arsye, dietat me pak kalori dhe me pak yndyrë është më mirë t’i mbani në verë dhe pranverë. Dietës nuk duhet t’i mungojë kurrsesi mishi, peshku, si edhe frutat e zarzavatet e stinës.

Mos harroni dorashkat
Shumë njerëz i konsiderojnë dorashkat si një aksesor që duhen mbajtur vetëm kur temperaturat janë shumë të ulëta, shkruan Living. Për t’i mbrojtur duart nga era dhe të ftohtët e dimrit, këshillohet që t’i përdorni vazhdimisht dorezat. Kini parasysh t’i lyeni duart me krem përpara se t’i vini dorashkat. /Telegrafi/