LAJMI I FUNDIT:

Pacolli hap muzeun “Ibrahim Kodra”

Pacolli hap muzeun “Ibrahim Kodra”

Në Lugano të Zvicrës, konkretisht në vendin më piktoresk të tij, në katër vjetorin e vdekjes është hapur muzeu “Ibrahim Kodra”. Ky muze është hapur me iniciativën e Behgjet Pacollit, i cili edhe është autorizuar nga vetë piktori Kodra sa ishte gjallë që të përkujdesej për gjithë trashëgiminë e tij kulturore.

Muzeu në Lugano ka 16 vepra kulturore të Ibrahim Kodrës. Rëndësia e këtij muzeu, qëndron edhe në disa elemente shumë karakteristike: aty gjenden veshmbathja dhe gjërat që ai i mbante me vete. Aty gjenden edhe shallet e tij, të cilët gjatë tërë jetës së tij u bënë pjesë e figurës së këtij artisti.

Këtij muzeu, Pacolli ia dedikoi një ndërtesë të vjetër shekullore, që do të jetë një edhe një muze shtesë shumë i rëndësishëm për kulturën shqiptare, për Zvicrën dhe artin botëror në përgjithësi. Rëndësinë e hapjes së këtij muzeu, e tregoi pjesëmarrja e autoriteteve shtetërore të Zvicrës, dhe një numri të madh të kritikëve të shquar të artit.

“Unë e ndiej veten edhe më të dinjitetshëm dhe më krenar që guxoj të përfaqësoj një figurë si Ibrahim Kodra, ndër figurat më të shquara të kubizmit botëror dhe figurën më shquar të kombit shqiptar, bashkë me Nënë Terezën”, ka deklaruar ai.


Por, si i autorizuar me testament që të kujdesët për krijimtarinë kulturore të Ibrahim Kodrës, ka treguar edhe një detaj interesant. Ai ka thënë se: para vdekjes së tij, Kodra kishte lënë një amanet, që të varroset në Tiranë, e nëse jo aty, diku në Kosovë, por kurrsesi në fshatin Ishëm, në të cilin e varrosi qeveria e asaj kohe, pa miratimin e të autorizuarve të testamentit të tij. Fatos Fazliu dhe Behgjet Pacolli kanë deklaruar se nuk do të ndalen deri sa ta plotësojnë këtë dëshirë të tij, që eshtrat e tij të varrosen aty ku ai e la amanet dhe në varrin e tij të ketë dy gurë, një nga Kosova dhe një nga Shqipëria. /Telegrafi/