LAJMI I FUNDIT:

Spote zgjedhore prej 2 sekondash

Spote zgjedhore prej 2 sekondash

Televizionet e Kilit kanë filluar të emetojnë porositë parazgjedhore të kandidatëve në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe ato parlamentare – ku disa prej kandidatëve kanë pasur një detyrë goxha të vështirë – t’ia thonë elektoratit porositë e tyre brenda vetëm dy sekondash.

“Quhem Tomas dhe gjëja më e rëndësishme në fushatën time është…” – kjo ka qenë porosia që ka arritur ta thoshte kandidati i pavarur për deputet, Tomas Diaz Hidalgo.

Spotet publicitare me pagesë janë të ndaluara në Kili, ndërsa kanalet televizive duhet që brenda një muaji para zgjedhjeve, çdo ditë të rezervojnë 40 minuta për spotet politike.

Katër kandidatë presidencialë – sipas ligjit – marrin më se shumti minutazh, 20 minuta – ndërsa të gjithë kandidatët të tjerë për Parlament kanë në dispozicion 20 minuta të tjera.


Koha ndahet në bazë të përfaqësimit të partive politike në Parlament, që do të thotë se kandidatët e pavarur duhet të kënaqen me pjesën e mbetur të kohës, që në fakt do të thotë se nuk u mbetet fare kohë – kështu që duhet të jenë shumë kreativë për t’i shfrytëzuar 2 sekondat e rezervuara për ta.

Disa prej tyre, siç është Diaz Hidalgo, kanë protestuar ndaj sistemit absurd, disa të tjerë e kanë bojkotuar paraqitjen në televizion, ndërsa disa syresh kanë arritur ta bartin porosinë e tyre – duke i shqiptuar fjalët “Punë, punë, punë”.

Disa kandidatë kanë arritur të shqiptojnë emrin e tyre, ndërsa kandidati i pavarur Rodrigo Garcia Pinochet, nipi i diktatorit kilian, ka vendosur të dalë para portretit të gjyshit.

Zgjedhjet në Kili mbahen më 13 dhjetor. /Telegrafi/