LAJMI I FUNDIT:

Fshatarët indianë të bindur se breshka është Zot

Fshatarët indianë të bindur se breshka është Zot

Me qindra fshatarë indianë, në lindje të Indisë, kanë refuzuar të dorëzojnë një breshkë të autoritetet vendore, për shkak se besojnë që, mu ajo breshkë, është Zot.

Fshatarët nga katundet e largëta janë mbledhur në tempullin Kendrapar, në shtetin indian Orissa, ku kanë përgatitur rituale për nder të breshkës – ndërsa përpjekjet e autoriteteve vendore për t’ua marrë atë, kanë rezultuar të pasuksesshme.

“Kemi kërkuar nga fshatarët që të na e dorëzojnë breshkën, pasi mbajtja e saj është kundërligjore, mirëpo ata kanë refuzuar të bëjnë një gjë të tillë”, ka thënë P. K. Behera, zyrtar qeveritar për mbrojtjen e natyrës.

Breshka është e mbrojtur me ligj në Indi dhe mbajtja e saj pa leje përkatëse, mund të dënohet me 1 vjet burg, apo edhe dënim me para.


Megjithatë, fshatarët kanë kundërshtuar fuqishëm dorëzimin e kësaj breshke, duke thënë se ajo bart në guaskën e saj simbole të shenjta dhe se është reinkarnim i Jaganatit, idhullit indian.

“Jaganati ka ardhur në fshatin tonë në formë të breshkës dhe nuk do të lejojmë askënd të na e marrë atë”, ka thënë Ramesh Mishra, prijës i tempullit. /Telegrafi/