LAJMI I FUNDIT:

Itali, kafshët shtëpiake shtojnë divorcet

Itali, kafshët shtëpiake shtojnë divorcet

Një nga shkaqet e numrit të larte të divorceve në Itali janë edhe kafshët shtëpiake. Miqtë më të mirë të njeriut shpesh herë kthehen edhe në armiq për një çift dhe në Itali janë identifikuar shumë raste të tilla, si p.sh. ai në Milano ku inxhinieri zgjodhi ta ndante krevatin me qenin dhe jo me bashkëshorten, ndërsa kirurgu në Bergamo iu kushtua aq shumë maces sa harroi bashkëshorten.

Për të mos folur këtu për rastin e bashkëshortit nga Veneto të fiksuar pas gjarpërinjve dhe atë të bashkëshortit që pavarësisht alergjisë që gruaja e tij kishte nga macet, nuk arrinte të shkëputej nga felini. Brenda një viti, rreth 1 mijë çifte kanë kërkuar ndihmën e shoqatës së kafshëve dhe ambientit, prej të cilëve 207 kanë pranuar se shkak i ndarjes janë bërë kafshët.

Milano qëndron në krye të listës me 247 divorce dhe me pas vijnë Roma, La Spezia, Brindisi, Alessandria, Brescia, Parma, Perugia dhe Ancona. “Gjëja që të bën më shumë përshtypje është se disa çifte u kushtojnë kafshëve po aq kujdes sa mund t’u kushtojnë një fëmijë”, shprehet ambientalisti Gian Ettore Gassani.

Ky fenomen nuk u ka shpëtuar as shkrimtarëve. Kështu, Jay McInerney ka publikuar një përmbledhje të titulluar “Në krevat me derrat”, ndërsa Stephen Bergman pyeste një javë më parë në një analize në “Boston Globe”: A janë qentë shkak divorcesh? /TCH/