LAJMI I FUNDIT:

6 milionë euro korrupsion, rastet dërgohen në prokurori

6 milionë euro korrupsion, rastet dërgohen në prokurori

Qeveria e Kosovës ka dërguar 8 raste në prokurori, gjykata 4 raste, pushteti lokal tre raste ndërsa nga ndërmarrjet publike janë tre raste.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka prezantuar sot raportin e punës për 6 muajt e parë të këtij viti, në të cilin është konstatuar se gjatë kësaj periudhe në këtë institucion janë paraqitur rreth 68 raste si të dyshuara për korrupsion, ku prej tyre 33 janë në procedurë , ndërkaq 21 raste tashmë kanë përfunduar në duart e prokurorëve.

“Nga 21 informata të përcjella në prokurori, buxheti i Kosovës është dëmtuar rreth 6 milionë euro”,- tha Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Preteni tha se gjatë kësaj periudhe AKM-ja dhe Ministria e Kthimit nuk kanë bashkëpunuar me AKKK-në.


Ai theksoi se ndaj të gjithë atyre që kanë refuzuar të bashkëpunojnë me Agjensionin Anti Korrupsion është ushtruar kallëzim penal në prokuroritë përgjegjëse.

“Duke e parë që bashkëpunimi nuk është në nivelin e duhur me prokuroritë ekzistuese apo prokuroritë nëpër qendra tjera, kemi vendosur që në bashkëpunim me ndërkombëtarët këto t’i adresojmë në prokuroritë speciale. Tani shumicën e informatave jemi duke i përcjellë nëpër prokuroritë speciale ku në këtë fazë po tregohet shumë më efikase se prokuroritë ekzistuese”, -ka thënë Preteni.

"Në bashkëpunim më Shërbimin Policor të Kosovës (SHPK) kanë arritur që dy shërbyes civil komunal t’i arrestojnë".

Ndërsa për sa i përket deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë, Preteni tha se 97. 5 % e zyrtarëve institucionalë e kanë deklaruar pasurinë.

Sipas tij për mospërmbushjen e afateve ligjore të deklarimit të pasurisë ndaj 31 zyrtarëve është kërkuar që institucioni ku ata janë të punësuar të ndërmarrin masën e zvogëlimit të pagës mujore për 20 %, për tre muaj.

Preteni deri tani është ankuar se ka dërguar qindra raste në prokurori por për shkak të korrupsionit dhe abuzimeve të ndryshme si vonesat, neglizhencës etj, prokuroria nuk fillon ndjekjen e tyre me arsyetimin se ka mungesë faktesh. /Telegrafi/