0Shares

Hulumtuesit tashmë e dinin se fruthi e kërcënon sistemin imunitar të fëmijëve. Ata që janë të prekur nga kjo sëmundje mund të mbeten të ndjeshëm ndaj pneumonisë, periudhave të shkurtra të diarresë dhe infeksioneve të tjera për disa javë apo muaj.

Por studimi i ri tregon se zbehja e sistemit imunitar zgjat më shumë – dy deri tre vjet. E ashtuquajtura "amnezi e imunitetit" e bën të vështirë për fëmijët që të mbrohen kundër sëmundjeve të tjera edhe pasi të jenë reduktuar simptomat e fruthit.

"Sistemi imunitar në një mënyrë rikthehet," tha Michael Mina, autori kryesor i studimit për NPR. "Problemi i vetëm është se ai (sistemi) e ka harruar atë që e dinte dikur".

Mina, që tani është student mjekësor në Emory, ka punuar në hulumtim si student post-akademik i biologjisë në Princeton. Studimi u prezantua kohët e fundit në revistën Science.

Eksperimentet e kanë demonstruar më parë një dukuri të ngjashme tek majmunët. Infeksioni i fruthit i reduktoi rruazat e bardha të gjakut tek majmunët makaki, të trajnuara për të shmangur sëmundje të tjera.

Tani, të dhënat epidemiologjike konfirmojnë se e njëjta gjë po ndodh tek njerëzit.

Duke i analizuar rezultatet shëndetësore qysh nga vitet 1940 në Shtetet e Bashkuara, Uells, Danimarkë dhe Angli, studiuesit zbuluan se numri i infeksioneve të fruthit e parashikoi numrin e vdekjeve nga sëmundje të tjera të fëmijërisë për disa vjet.

"Vërtet nuk ka rëndësi grupmosha, dekada apo vendi", tha ai për “Los Angeles Times”.

Provat e theksojnë më tej rëndësinë e vaksinimit kundër sëmundjes, transmeton Koha.net. Më shumë se t’i ndihmojë fëmijët ta shmangin fruthin, vaksina mund ta parandalojë një gamë të tërë të infeksioneve.

Mina shpreson se hulumtimi jo vetëm që do të frymëzojë mbrojtje më të madhe imunologjike, por edhe më shumë studime si ky.

"Shpresoj që punimi, përtej rezultateve të veta, do ta paraqesë një mënyrë të re të bashkimit të imunologjisë dhe biologjisë së popullsisë". /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)