LAJMI I FUNDIT:

Rënia e eksporteve për në SHBA, Japonisë i ngadalësohet tregtia

Rënia e eksporteve për në SHBA, Japonisë i ngadalësohet tregtia

Eksportet e Japonisë janë rritur në një normë më të ngadaltë në muajin janar, krahasuar me dhjetorin, për shkak të rënies së dërgesave në SHBA. Eksportet për janarin u rritën me 1.3 për qind me bazë vjetore, krahasuar me 5.4 për qind rritje me bazë vjetore në dhjetor. Megjithatë, janari shënon muajin e dytë të rritjes pas 14 muajsh tkurrje.

Ndërkohë, importet drejt ekonomisë së tretë më të madhe në botë rezultuan në rritje për të parën herë që prej dhjetorit 2014. Rritja e fortë ekonomike në SHBA tregon se rënia e eksporteve atje mund të jetë e përkohshme, megjithatë premtimet e Administratës së re për t’u tërhequr nga marrëveshjet e tregtisë së lirë kanë shtuar shqetësimet mbi përhapjen e proteksionizmit. Analistët thonë se, nëse prodhuesit japonezë të makinave vazhdojnë të mbajnë pjesë tregu në SHBA, do të ketë shqetësime nga Donald Trump.


Rritja në të dhënat për tregtinë është nxitur kryesisht nga çmimet më të larta, duke maskuar shifrat mbi volumin e eksporteve dhe importeve, që rezultuan të dobëta në disa klasa të produkteve. Eksportet u rritën në Janar prej dërgesave më të mëdha të karburantit, pjesëve të makinave dhe çelikut, por rënia e eksportit të makinave solli ngadalësimin në shifrën totale, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Financave. Eksportet e Japonisë në SHBA ranë me 6.6 për qind në Janar me bazë vjetore.

Suficiti tregtar me Shtetet e Bashkuara ra me 26.6 për qind me bazë vjetore në janar, në 3.54 miliardë dollarë. Eksportet drejt Kinës, partnerit më të madh tregtar, u rritën me 3.1 për qind për janarin me bazë vjetore, një normë më e ngadaltë se 12.4 për qind që ishte në dhjetor.

Importet u rritën me 8.5 për qind në janar, duke shënuar rritjen e parë në 2 vite, për shkak të importit të naftës bruto nga Arabia Saudite dhe qymyrit nga Australia. Balanca tregtare në Japoni, rezultoi në një deficit prej 9.7 miliardë dollarë në muajin janar. /Telegrafi/