LAJMI I FUNDIT:

Perëndimi i (pa)fajshëm

Perëndimi i (pa)fajshëm
22 Nov 2014, Kosovo --- Nov. 22, 2014 - Prishtina, Kosovo - Kosovo's independent political analyst Fadil Lepaja, sitting next to his home library in Pristina, Kosovo's capital city. Lepaja, is one of most active public figures in political and social opinions and analyst in the country's level, his main field of interest depict the national traditional policy making analysis, as well as international relations. (Credit Image: © Vedat Xhymshiti/ZUMA Wire) --- Image by © Vedat Xhymshiti/ZUMA Press/Corbis

Ne as që do të kishim dyshuar në pafajësinë tonë. Sa për ne, kjo temë as që do të bëhej çështje debati, aq më tepër global. Por, dikush e tha se as SHBA-të nuk janë aq të pafajshme sa ndoshta mund të duket. Këtë fjali, tashmë të famshme, nuk e tha asnjë armik i SHBA-ve, e rrjedhimisht as i yni, por vet kryetari i zgjedhur i superfuqisë së vetme globale.

Është çështje e debatit global, tashmë, nëse është apo nuk është krejtësisht e pafajshme superfuqia e vetme globale, apo vetëm mund të duket ashtu. Është po aq çështje debati sa janë të (pa)fajshëm emigrantët, refugjatët? Apo nuk është fare çështje faji?


Është bërë çështje debati edhe (pa)fajësia e ish-superfuqisë së dikurshme e cila, tash, pas aneksimit të Krimesë dhe krizës në Ukrainë, po përballet me një mur sanksionesh, ndërkohë që presidenti i saj nga mediat perëndimore portretizohet si një diktator apo si car i ri. Por, deklarata tjetër e famshme e presidentit të zgjedhur rishtazi, thotë se presidenti Putin meriton respektin e tij.

(Pa)fajësia mund të jetë e diskutueshme, për këdo, e edhe për administratën e re, por SHBA-të gjithsesi në mënyrë efektive garantojnë që struktura e rendit aktual botëror të mos rrënohet dhe të zë nën rrënojat e veta civilizime të tëra, të shndërrohet në një luftë të të gjithëve kundër të gjithëve, pra për një rend i cili do të vendosej detyrimisht pas një lufte shkatërrimtare, natyrisht nëse mbijetonte ky Planet i vetmuar dhe i trishtuar në univers.

Duke pasur parasysh prognozat për zhvillimet deri në vitin 2050, Donald Trump e sheh si sfidë kryesore mbijetesën e superfuqisë së vetme dhe hapat e domosdoshëm mbrojtës dhe aleanca të reja për të ruajtur rolin udhëheqës. Kjo e ridefinon edhe konceptin për të mirët dhe të këqijtë, për miqtë dhe armiqtë.

Sido që të jetë, me ardhjen e Trumpit në krye të SHBA-ve, gjërat u komplikuan. Deri atëherë dihej qartë se kush ishte i miri dhe kush i keqi. Dihej edhe radha kush ishte më i miri, pastaj i dyti, treti, deri në fund të radhës, dhe renditja bëhej me raportet vjetore. Vëllai i madh i paguante të gjitha shpenzimet dhe kujdesej për tufën, në një mision të pakryer përfundimisht kur të bardhët po luftonin kundër të gjitha ngjyrave të Planetit, madje edhe kundër disa të bardhëve të cilët sipas listës së kritereve – të cilat i posedonin mediat dhe shoqëria civile – nuk ishin të mirë, pra nuk ishin krejtësisht “të bardhë” në kuptimin ideologjik të fjalës.

Nëse dikush nuk ishte në rrugën e duhur, kjo merrej vesh nga raportet e mediave globale, ose nga raportet e OJQ-ve globale. Shtetet korrigjoheshin, sipas tyre, ose ndëshkoheshin. Edhe bankat, instrumentet kryesore rregulluese të shoqërisë perëndimore dhe globale, në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, i lexonin me kujdes këto raporte dhe i merrnin në konsideratë, kështu që pasojat ishin të menjëhershme.

Ardhja e Trumpit e “ngatërroi” krejt skenën. Disiplina perëndimore, qoftë përmes bankave, shoqërisë civile, medias apo NATO-s, pësoi plasaritje dhe mund të pësojë sikurse Muri i Berlinit nën marrshin e refugjatëve të cilët për herë të parë pas shumë dekadash e vunë në pyetje rendin e gjërave në Perëndim dhe rrjedhimisht atij global.

Duke shfletuar median, shohim se kancelarja Angel Merkel dhe presidenti Donald Trump kanë rrëfime të ndryshme. Sidomos për refugjatët. Po na pushtojnë refugjatët apo po ikin nga tmerret e luftës që e zhvillojmë edhe ne atje? Pra, pozicionet janë të kundërta. Derisa presidenti ngre mure rreth SHBA-ve, kancelaria fton që secili vend evropian të pranojë sa më shumë refugjatë nga vatrat e luftës në Siri. Një vend i ngritur nga emigrantët thotë se nuk ka vend më për të tjerë, ndërkohë që një civilizimi modern evropian i ngritur nga kombet, përpiqet të hapë rrugë për emigrantë, për kultura të ndryshme. Sidomos kancelaria Merkel.

Pra, një kulturë globale e krijuar nga përzierja e kulturave, emigrantëve, po shndërrohet kështu në një kulturë dhe një komb, ndërkohë që kombet evropiane dhe kulturat autentike po ftohen të hapen për kultura të ndryshme, në përpjekje për të krijuar kombin evropian. Deklarata e zonjës Merkel fsheh idenë e kombit evropian dhe Gjermanisë si liderë që si “material “ ndërlidhës do të përdorte popuj dhe kultura të tjera, pra refugjatët të cilët – sipas idesë – nuk kanë kapacitet të rrezikojnë vlerat evropiane, as frymën e cila përkundrazi do të forcohej përmes një diferencimi në vet korpusin islamik i cili vet duhet të sqarojë se çfarë është besim, çfarë është kulturë e çfarë marrshim i islamit drejt portave të Evropës. Pra, Trumpi bën vet diferencimet në mysliman të mirë dhe të rrezikshëm, sipas shteteve, ndërkohë që kancelarja fton udhëheqësit fetarë islamë që ta bëjnë këtë.

Padyshim, për civilizimin perëndimor, të krishterë, të bardhë, rreziku në kontinentin amerikan është më serioz sesa ai në Evropë, pavarësisht se duket e kundërta. Rendi demokratik të cilin e njohim ne, ka arritur kulmet e veta pikërisht në këtë hapësirë dhe kjo është padyshim nënshtruar presioneve nga të gjitha anët dhe civilizimet të cilat vështirë se mund të thuhet (me përjashtime) se e ka pranuar demokracinë si mënyrën e vet të qeverisjes dhe (mbi)jetesës.

Presidenti Trump thotë po ashtu se nuk do të zhvillojë më luftëra për të ndryshuar regjimet, pra as për të përhapur demokracinë. Thjeshtë, do të mbyll kufijtë. Kancelarja ka tregimin e saj. Në Evropë ka shumë forca që mendojnë ndryshe dhe të cilat po fuqizohen.

Presidenti dhe kancelarja po llafosen para mediave globale. Duken vetëm deklarata për media, por në fakt zaret janë hedhur…! Terrorizmi mbetet armik i përbashkët i Perëndimit. Por, mbetet të definohen edhe (ar)miqësitë e reja. Nga kjo varet se kush do të kalojë kufijtë dhe si! Me pasaportë apo me skaf…!