LAJMI I FUNDIT:

Për sa Evropë kanë nevojë evropianët?

Për sa Evropë kanë nevojë evropianët?

Në fjalimin e tij të fundit para Parlamentit Evropian më 1995, François Mitterrand, në atë kohë president i Francës, shëndeti i përkeqësuar i të cilit qe shumë i dukshëm, gjeti fjalë të paçmueshme për të karakterizuar të keqen e madhe të Evropës: “Le nationalisme, c’est la guerre!”

Nacionalizmi dhe lufta qenë eksperiencat përcaktuese të karrierës politike të Mitterrand dhe ai nuk po i referohej vetëm të shkuarës së tmerrshme – gjysmës së parë të shekullit të njëzetë me dy luftërat botërore, diktaturat dhe Holokaustin. Ai e shikonte nacionalizmin si kërcënimi më i madh i të ardhmes për paqen, demokracinë dhe sigurinë në Evropë.


Megjithëse lufta nacionaliste po bënte copash Jugosllavinë në atë kohë, shumë pak prej atyre që dëgjuan Mitterrand në Strasburg atë ditë mund ta imagjinonin se, 21 vjet më vonë, nacionalizmi do të përjetonte një rigjallërim mbarëevropian. Por politikanët nacionalistë, objektivi i deklaruar i të cilëve është shkatërrimi i unitetit të Evropës dhe integrimit paqësor që tashmë ka fituar në shumicën e zgjedhjeve demokratike dhe referendumeve.

Vendimi i Mbretërisë së Bashkuar në qershor për të ikur nga Bashkimi Evropian shënoi një kulm të përkohshëm për një nacionalizëm të rishfaqur, por ky lloj nacionalizmi mund të shihet duke marshuar në Hungari, Poloni dhe Francë, ku Fronti Nacional i ekstremit të djathtë i Marine le Pen ka qenë duke fituar fuqi në pritje të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Po si shpjegohet që mbërritën më këtë pikë, duke marrë parasysh eksperiencat e drejtpërdrejta të Evropës me fuqinë shkatërrimtare të nacionalizmit përgjatë shekullit të njëzet, kur nacionalizmi shkaktoi miliona vdekje dhe shkatërroi një kontinent të tërë?

Sa për fillim, kriza financiare e vitit 2008 dhe recesioni botëror që pasoi shihen gjerësisht dhe në mënyrë të logjikshme si një dështim masiv nga ana e “estabilishmentit.” Ndjenjat anti-elitë vijojnë të gërryejnë solidaritetin ndër-Evropian dhe besimin e ndërsjellët dhe BE-ja është zënë në ngërçin e një rritjeje të ngadaltë ekonomike dhe papunësisë së lartë.

Nëpër Perëndim, ndjesia e përgjithshme e rënies ka filluar të dominojë, për shkak të ndryshimeve botërore në pasuri dhe fuqi në drejtim të Azisë. Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga pikëpamja gjeopolitike ndërsa Rusia ka rigjallëruar ambiciet e saj prej fuqie të madhe për të sfiduar hegjemoninë dhe vlerat e Perëndimit. Në të gjithë botën, ka një pakënaqësi në rritje ndaj globalizimit, digjitalizimit dhe tregtisë së lirë, shoqëruar nga një zhvendosje e ngadaltë drejt proteksionizmit. Evropianët, në veçanti, duket se kanë harruar se proteksionizmi dhe nacionalizmi janë të lidhur në mënyrë të pandashme – njëra nuk mund të bëjë pa tjetrën.

Në fund, ka një frikë të përgjithësuar ndaj të panjohurës, për shkak se shumë vende përballen me çështjet e lidhura me flukset hyrëse të të huajve – qofshin refugjatë apo migrantë – dhe ndryshmet e brendshme të shkaktuara nga fuqizimi në rritje ekonomik dhe politik i grave dhe minoriteteve. Këto zhvillime, të cilat kanë përkuar me transformimet më të mëdha në shkallë që ka pësuar Evropa që nisi në vitin 1989, kanë shkaktuar frikë arsye për frikë, të cilën partitë e vjetra politike dhe institucionet demokratike kanë dështuar ta trajtojnë.

Si gjithmonë, kur frika është e gjithëpërhapur në Evropë, njerëzit kërkojnë shpëtim te nacionalizmi, izolacionizmi, homogjeniteti etnik dhe nostalgjia – “ditët e mira të vjetra,” kur supozohet se gjithçka ecte mirë në botë. Nuk mendohet gjatë për faktin se e shkuara qe kaotike dhe e përgjakshme e aspak perfekte. Udhëheqësit nacionalistë dhe mbështetësit e tyre tashmë janë duke jetuar në një realitet “post-empirik”, ku e vërteta dhe eksperienca nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.

E gjitha kjo pasqyron ndryshimin e thellë të mënyrës se si Evropianët e shohin veten. Pas dy Luftërave Botërore dhe gjatë Luftës së Ftohtë, integrimi Evropian qe diçka e vështirë për t’u imagjinuar. Por të kuptuarit e përbashkët se bashkimi jep paqe, mirëqenie dhe demokraci është dobësuar me kalimin e kohës nga krizat e gjata dhe tashmë mund të humbet tërësisht në rast se nuk përforcohet përmes një mesazhi që sheh nga e ardhmja.

Është absurde të mendohet se shtetet kombe historike të Evropës janë përgjigje për realitetet e globalizuara politike, ekonomike dhe teknologjike të shekullit të njëzet e një. Nëse Evropianët e besojnë këtë, atëherë ata duhet të jenë të gatshëm të paguajnë çmimin për më pak integrim, në formën e varësive të reja. Vendimet më të rëndësishme botërore të këtij shekulli nuk do të merren në Evropën demokratike por në mënyrë të njëanshme në Kinë a gjetkë.

Gjuhët dhe kulturat e Evropës kanë një histori të gjatë. Por, nuk duhet të harrojmë se shtetet kombe të Evropës janë zhvillim më i vonë, veçanërisht ato jashtë Evropës Perëndimore. Do të qe një gabim i rëndë të mendosh se ata përfaqësojnë “fundin e historisë” të Evropës. Përkundrazi, nëse modeli i shtetit komb fiton mbi integrimin, Evropianët do të paguajnë një çmim të lartë në këtë shekull. Se si do të ecin punët për shtetet Evropiane në të ardhmen është një çështje që mund të marrë përgjigje vetëm në mënyrë kolektive, jo në bazë të disa interesave kombëtare të përkufizuara individualisht, siç ndodhi në shekullin e nëntëmbëdhjetë.

Për më tepër, me Rusinë, Turqinë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën pranë, Evropa jeton në një fqinjësi të vështirë dhe plot sfida. Ajo nuk gëzon luksin amerikan të të pasurit të sigurisë të garantuar nga gjeografia. Përkundrazi, siguria dhe mirëqenia e saj duhet të mbrohet në mënyrë të vazhdueshme përmes politikës, gjë që është domosdoshmërisht një përpjekje e përbashkët.

Pyetja qendrore për Evropën e së ardhmes është se sa shumë fuqi BE-ja ka nevojë për të garantuar paqen dhe sigurinë për qytetarët e vet. Kjo, gjithashtu, mund të trajtohet vetëm në mënyrë kolektive. Ajo që është sakaq e qartë është se Evropianët to të kenë nevojë jo vetëm për më shumë Evropë, por edhe për një Evropë më të fuqishme. /Project Syndicate/reporter.al/