LAJMI I FUNDIT:

Naim Dedushaj, njeriu që ka bërë bashkë bizneset në diasporë dhe po kërkon të investojë në vendlindje

Naim Dedushaj, njeriu që ka bërë bashkë bizneset në diasporë dhe po kërkon të investojë në vendlindje

Ndonëse ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, tash e 30 vite, për njohjen e çështjes shqiptare në kanalet zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), me theks të veçantë njoftimin e opinionit amerikan më atë se çfarë po ndodhte në Kosovë, Naim Dedushaj, e vazhdon me zell përpjekjen e tij të radhës, atë të bashkimit të potencialit afarist të shqiptarëve nëpër diasporë.

Ai është ideator dhe themelues i rrjetit të bizneseve të diasporës shqiptare, ide kjo e propozuar në Strategjinë e Diasporës për periudhën 2013-2018, në kuadër të Ministrisë së Diasporës.


Dedushaj, njëkohësisht është drejtor për Investime të Diasporës, në këtë ministri.

Ai ka theksuar se ideja dhe iniciativa e tij, u mbështet fuqishëm gjatë tërë kohës nga Ministria e Diasporës, gjithashtu mbështetje për themelimin e rrjetit, sipas tij, ka marrë edhe nga Qeveria Amerikane, Këshilli i NATO-s për ekonomi, me seli në Toronto të Kanadasë, dhe Qeveria Finlandeze – e cila mbështetjen e saj për projektin e dha përmes projektit DEED.

“Në maj të vitit 2014 – përfaqësuesit e Rrjetit te Biznesit të Diasporës Shqiptare – u mblodhën në Prishtinë dhe themeluan këtë rrjet, ku zgjodhën presidentin, bordin ekzekutiv dhe kryesinë qendrore, e cila përbëhet nga 25 anëtarë, aq sa janë shtetet në të cilat shtrihet ky organizim, ku nga secili shtet është një përfaqësues i bizneseve të asaj diaspore. Në po të njëjtin takim, u aprovua edhe statuti, platforma dhe logo e rrjetit. President në nivel global u zgjodh afaristi dhe humanisti i madh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Nazar Mehmeti, derisa kryetar për bizneset e diasporës në SHBA, u zgjodh Elmi Berisha, kryetar për bizneset e diasporës në Evropë, është Yll Blakaj dhe sekretar gjeneral i rrjetit, ishte zgjedhur, Ismet Smajli”, ka sqaruar Dedushaj.

Ai ka thënë se sot “Rrjeti i Biznesit të Diasporës Shqiptare, funksionon në 25 shtete të botës dhe shtrihet në katër kontinente: Australi, Amerikën Veriore (SHBA dhe Kanada) Azi (Turqi), dhe në shumë shtete të Evropës”, duke shtuar se pjesë e këtij mekanizmi janë arbëreshët e Italisë.

Ne tri vite të funksionimit të këtij organizimi, janë me mijëra anëtarë – biznesmen që na janë bashkuar.

Rrjeti, selinë qendrore e ka në New York, ndërsa zyrën koordinuese për viset shqiptare, në Prishtinë.

Njëri nga anëtarët më aktiv të çështjes shqiptare në SHBA, gjatë viteve të 90-ta, ka thënë për Telegrafin se qëllimi i tij është që afaristët shqiptarë në diasporë fillimisht të njihen në mes vete, më pas te bëjnë biznes në ato vende ku jetojnë, “dhe në këtë mënyrë paraja dhe malli të qarkullojnë në mes shqiptarëve, si mundësi për të krijuar një forcë ekonomike”.

“Gjithashtu, kjo forcë e ardhshme ekonomike shqiptare duhet që në forma të organizuara të vijë me projekte konkrete të zhvilloj vendet tona”, ka shtuar ai.

Sipas tij, rrjeti i bizneseve e ka bërë një strukturë të tillë, që të dëshmojmë praktikisht fuqinë e diasporës tonë.

“Ne e kemi njërën prej diasporave më të fuqishme në botë. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se atë që e ka bërë diaspora hebreje, armene dhe irlandeze. Ata kapitalin e fituar nëpër vendet tjera e kanë kthyer në vendlindje, duke investuar nëpër projekte të ndryshme ekonomike, rrjedhimisht duke u bërë mundësi punësimi për bashkatdhetarët e tyre”, ka theksuar Dedushaj.

Ai thotë me bindje se synimi i tij dhe rrjetit është që në gjirin e këtij organizimi të angazhohen 100 mijë biznese të shqiptarëve në diasporë dhe në viset shqiptare, duke shtuar se “nuk ka qenë e lehtë që të bashkohen afaristët shqiptarë në një vend, por vullneti, angazhimi i sinqertë, dhe dëshira për t’i ndihmuar vendlindjes, e të gjithë anëtarëve që e udhëheqin rrjetin, ka qenë shtytësi kryesor.

“Është kënaqësi të them se njëri nga kryetarët e nderit të rrjetit, është biznesmeni i fuqishëm Xhim Xhema, i cili ka kontribuar me miliona dollarë për lobimin e çështjes kombëtare në SHBA, për të vazhduar më pas me biznesmenin e suksesshëm, Lazim Destani – pronar i gjigantit Ekolog International, i cili që nga fillimi është bashkangjitur idesë dhe ka merita të mëdha për fuqizimin e rrjetit në botë. Pjesë e jona është edhe lobuesi i njohur i çështjes shqiptare, Harry Bajraktari, biznesmeni i famshëm, Behgjet Pacolli, dhe shumë e shumë afarist të tjerë me nam”.

Më tutje Dedushaj, ka thënë se logjika e rrjetit është që të ndihmohen shqiptarët në rrafshin ekonomik – të investimeve konkrete – në të gjitha viset shqiptare, dhe t’i fuqizoj sipas tij, aktorët ekonomik shqiptarë në tregjet globale, “madje kujdes do të tregohet edhe për zonat ku popullata shqiptare rrezikon të asimilohet, si njëra nga mundësitë e vetme për ruajtjen e kësaj bërthame”.

“Diaspora jonë e kam thënë dhe prapë po e them, është një thesar i madh, dhe potencial i jashtëzakonshëm, ku ne normalisht duhet ta shfrytëzojmë pozitivisht. Nëse dikush do të duhej që t’i privatizonte asetet e rëndësishme në Kosovë, shqiptarët e diasporës do të duhej ta bënin këtë”, ka shtuar Dedushaj.

Por, ajo që ai e ka kërkuar me ngulm – si një bashkëpunëtor dhe njëri nga themeluesit e Ministrisë së Diasporës, që ky dikaster qeveritar të drejtohet nga një person që nuk është politik, duke shtuar se “në krye të kësaj ministrie duhet të jetë një person që e ka vullnetin, gatishmërinë dhe njohjen për tu bërë një urë lidhëse në mes shtetit të Kosovës dhe mërgatës shqiptare”.

“Nuk ka rëndësi se cila parti politike ose koalicion qeverisës është në pushtet. Ministria e Diasporës duhet të jetë e paprekur nga ndikimet politike. Nëse në krye të saj është një person neutral, dhe më përvojë në këtë fushë, që njëkohësisht e ka brengë kultivimin e lidhjes së shtetit të Kosovës me diasporën, do të mund të bënte që kjo ministri më shumë se politike, të jetë ekonomike zhvillimore”, ka theksuar ai.

Sipas tij, i pari i këtij resori qeveritar do të duhej që t’i motivojë dhe tu ofrojë ndihmë diasporës për investimet eventuale që do të mund të bëheshin në Kosovë, duke marrë përsipër së pari sigurinë e investimeve nga shteti.

Dedushaj, në raport me institucionet e Kosovës, thotë se ka kontribuar shumë, ku përveç se ka ndihmuar në themelimin e Ministrisë së Diasporës, ai e ka dhënë mbështetjen e tij të madhe në themelimin edhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), tash e më shumë se 10 vite më parë.

Ai duke folur për bashkimin e gjithë këtyre bizneseve të diasporës në një trup, ka thënë me krenari, se në mesin e afaristëve që janë pjesë e rrjetit, 100 prej tyre kanë pasuri multimilionëshe, dhe janë nga gjitha viset shqiptare, duke e bërë kështu këtë organizatë një vend të bashkimit të ekonomisë të të gjithë shqiptarëve.

“Në vitin 2016, në New York, në një takim impozant, rrjeti i bizneseve ka grumbulluar 1 mijë biznese në një vend. Shqiptarët për herë të parë prezantuan një pjesë nga potenciali i tyre ekonomik, dhe se aty për aty u nënshkruan edhe disa kontrata në mes kompanive me pronarë shqiptarë. Është ndjenjë shumë e mirë kur i sheh dy bashkëkombës, të cilët nuk e kanë pasur as idenë me të vogël se një produkt të caktuar dhe me një kualitet të mirë, mund ta blejnë të një person i gjakut të tij”, ka thënë Dedushaj.

Ai tregon një rast të suksesshëm të afaristëve shqiptar në Dallas, të cilët sipas tij, janë rast për tu marrë shembull.

“Janë rreth 500 restorante të cilat janë në pronësi të shqiptarëve në shtetin e Teksasit në Dallas, të SHBA-ve. Ato së bashku – si grup(rrjet) – kanë arritur një marrëveshje më brendin e njohur botëror Coca Cola, e cila do t’i furnizoj këto lokale me pije, por me një çmim prej 20 për qind më të ulët. Sasia e parave të siguruara nga ky qarkullim, respektivisht nga kjo zbritje, që e ka bërë Coca Cola për këto restorante, ka bërë që shqiptarët atje t’i blejnë dy ndërtesa të mëdha, që do të shërbejnë për komunitetin tonë atje. Ky shembull tregon se kur jemi bashkë si rrjet, jemi më të fuqishëm dhe mund të përfitojmë të gjithë nga bashkimi i bizneseve dhe projekteve te përbashkëta. Tash e tutje rrjeti jonë, përmes këtyre organizimeve të përbashkëta, do të veproj çdokund në botë, ka shtuar Dedushaj.

Ai më tutje ka shtuar se rrjeti ka ndërmarrë disa hapa konkret për ta ndihmuar biznesin vendor në Kosovë, Shqipëri dhe viset shqiptare, përmes diasporës në takimet e shumta biznes me biznes B2B.

“Në vitin 2017, Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare, filloi me një projekt që është kompania ALBEXPO, puna e së cilës lidhet kryekëput me plasimin, promovimin, dhe shitjen e produkteve që prodhohen në trojet shqiptare – në mesin e diasporës – në formë të organizuar. Qëllimi është që të ndihmohen prodhuesit vendor përmes promovimit të produkteve të tyre, por njëkohësisht të promovohen edhe produktet shqiptare në botë”, ka shtuar Dedushaj.

Dedushaj thotë se tani është themeluar një kompani nga afaristët e diasporës që janë pjesë e këtij rrjeti, kompani e cila “do të ndihmojë bizneset vendore për të depërtuar në mesin e diasporës shqiptare dhe të tjerët”.

Ai ka shtuar se “kompania ALB – EX, e themeluar që t’i ndihmojë kompanitë në përcaktimin e pikave të shitjes dhe sallat e ekspozimit, duke asistuar në nënshkrimin e kontratave, në ngritjen dhe standardizimin e cilësisë sipas normave ndërkombëtare, në garantimin e shitjes së mallit dhe mbrojtjes së marrëveshjeve që do bëhen për shitjen dhe blerjen e mallit në perëndim”.

“Suksesi më i madh i rrjetit të bizneseve të diasporës shqiptare për këtë vit është nënshkrimi i një marrëveshje bashkëpunimi, me organizatën shtetërore amerikane USAID, e cila ka marrë përsipër që ta përkrah rrjetin dhe t’i përkrah investimet e diasporës në Kosovë. Për mua, kjo tregon seriozitetin dhe përkushtimin në punën që e kemi marrë mbi supe. Përmes kësaj marrëveshje USAID-i gjithashtu do t’i ndihmojë dhe asistojë bizneset që të eksportojnë produkte në tregun ndërkombëtar, duke filluar prej trajnimit të stafit, e deri të blerja e pajisjeve nëse paraqitet nevoja, me qëllim të plotësimit të standardeve ndërkombëtare të cilësisë dhe prodhimit. Thënë shkurt e shqip, ne e kemi përkrahjen e SHBA-ve”, ka shtuar ai.

USAID-i së bashku me ALB-EX , shumë shpejt do ta hapë një konkurs, në të cilën kompanitë vendore – që kanë karakter shërbyes mund të aplikojnë për t’i plotësuar mangësitë dhe nevojat që i kanë për të qenë konkurrentë në tregun botëror, me ç’rast këto kompani do të mund që nga Kosova të kryejnë punë – shërbime nëpër vende të ndryshme; për kompani të diasporës dhe tjera. Krejt kjo si një mënyrë që rinia shqiptare të mos ik jashtë, por të punoj nga vendlindja.

Ai në fund ka thënë se shpreson shumë që qeveria e re qe do të formohet, nga kushdo qoftë ajo, do t’i hapë rrugë investimeve nga diaspora shqiptare, veçanërisht duke prezantuar projekte dhe plane konkrete për investim, por pa dyshim të gjitha këto të përcjella sipas tij, më krijimin e një klimë dhe ambiente të sigurt për investime, funksionim të rendit dhe ligjit.

“Nëse në Kosovë vinë investitorët nga diaspora, padyshim që shumë me lehtë do të vinin edhe investitorët e huaj. Për më tepër diaspora tashmë e ka kapitalin, përvojën dhe gatishmërinë për të investuar”, ka thënë Dedushaj. /Telegrafi/