LAJMI I FUNDIT:

Kur punëtori, firmës dhe kolegëve ku punon u drejtohet me: ATA!

Kur punëtori, firmës dhe kolegëve ku punon u drejtohet me: ATA!

Para disa ditësh isha në vizite pune te një firmë me të cilën, përmes kompanisë Smard, bashkëpunojmë për vite te tëra. Ky bashkëpunim bëhet me korrektësi dhe respekt reciprok. Sepse, me një prodhues me traditë familjare, të bërit biznes ka një etikë pune. Dhe, kjo më shtyn të mendoj se sa potencial kemi, se ku do të ishim si shtet dhe si shoqëri po të kishim me tepër biznese të cilat janë të ndërtuara mbi vlera, në korrektësi dhe me vizion inovativ për të ardhmen?!

Me mikun dhe bashkëpunëtorin ishim duke biseduar për trajnimet për shitjen dhe për njohjen e brendit nga ana e punonjësve: se sa stafi e njeh vlerën e kompanisë ku punon, me sa mburrje flasin për të arriturat e kompanisë dhe si e promovojnë atë.


E bëmë një diskutim me ATA dhe NE. Kur punëtori flet për ndonjë aktivitet që ka ndodhur në firmë dhe drejtohet me “ATA e paskan bëre një reklame te bukur” , a është kjo e rëndë për pronarin? A mund të ndihet keq ai kur e dëgjon punëtorin duke u drejtuar firmës dhe kolegëve ku punon me “ATA”?

Pas disa ditësh, në takim me një bashkëpunëtor tjetër e patëm po të njëjtën temë. Kur e dëgjon punëtorin të flasë për firmën me ATA, ai tha: “Më djeg shpirti, sepse punëtori nuk po e ndjen veten si pjesë të ekipit ku punon e vepron”. “Pse e ndjen veten të huaj?”, pyet ai.

Në raste të tilla, është edhe faji i pronarit që nuk gjen mënyrën t’i afrojë punëtoret që ta ndjejnë vendin e tyre te punës si pjesë e tyre? Por, për shembujt e mësipërm, nga përvoja ime edhe me punëtorët e dy kompanive, është se pronarët i trajtojnë të punësuarit me shumë respekt. Ndaj, mendoj se ky problem duhet kërkuar edhe te punëtorët.

Kjo shmangie, pra mungesa e ndjenjës për të qenë pjesë e grupit, shpesh ka lidhje me humbjen e vlerave të shoqërisë sonë – që nga familja. Kjo pastaj reflektohet në shoqëri e edhe në punë. Sot shumë lehtë po zihemi dhe po fjalosemi me një anëtar të familjes, apo me miq të vjetër për një gjë që blihet me para. Ne lehtë po shkatërrojmë miqësinë dhe gjakun që nuk falet e as nuk blihet. Ndërsa, hezitojmë të kërkojmë falje edhe atëherë kur jemi të vetëdijshëm për gabimet që i bëjmë. Kështu, po bëhemi të huaj e të distancuar edhe në vendin e punës!

Në orarin e punës kalojmë minimum tetë orë pune, së bashku me kolegët tjerë. Kjo i bie që kalojmë më shumë kohë me kolegët e punës se me anëtaret e familjes. Firma ku punon dhe kolegët duhet trajtohen me vlerë të barabartë, ashtu si familja. Andaj, mendoj se është obligim moral e pse jo edhe patriotik që të kemi raporte të mira me të tjerët, të luftojmë për këtë, sepse kështu arrijmë t’i tejkalojmë më lehtë sfidat personale e edhe ato shoqërore.