0Shares

Problemet me themelimin e Qeverisë së kaluar pas zgjedhjeve të vitit 2014, kanë shkaktuar dëme të mëdha në zhvillimin e vendit. Po ashtu, problemet me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kanë bërë që ekonomia të mbetet anash. Mbase kjo më shumë për shkak të paaftësisë së Qeverisë për të gjetur zgjidhje për këto dy procese.

Por, tash Republika e Kosovës nuk ka kohë për të humbur asnjë moment pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 11 Qershor. Koalicioni fitues dhe partitë e tjera duhet që të angazhohen seriozisht dhe sa më shpejtë pas çertifikimit të zgjedhjeve nga KQZ-ja, për ta krijuar Qeverinë e re, e cila do ta udhëheqë vendin.

Si vend Kosovën e presin shumë punë përveç çështjeve politike dhe ne si politikanë duhet të angazhohemi edhe në shumë çështje të rëndësishme ekonomike. Duke e parë gjendjen jo të mirë ekonomike duhet të ketë angazhime në projektet që do ta zhvillonin ekonominë.

Edhe pse kanë kaluar 18 vite nga përfundimi i luftës, projekte të mëdha strategjike ekonomike në Kosovë, kanë mbetur vetëm ato që i kanë ndërtuar baballarët tanë. Për vite të tëra agjenda politike e ka dominuar skenën tonë, për ta anashkaluar agjendën ekonomike të Kosovës.

Tash është koha që sektori i ekonomisë të jetë prioritet i të gjitha institucioneve, ku cak do të ishte zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës.

Në rend të parë duhet të angazhohemi për rimëkëmbjen e Trepçës, pasi rreth viteve të 90-ta ka punësuar mijëra veta, ndërsa sot është në gjendje vërtetë të rendë.

Shpëtimi i Trepçës nga falimentimi me miratimin e një ligji nga qeveria e kaluar nuk është shpëtim i vërtetë, sepse ajo nuk mund të zhvillohet vetëm me ligj. Duhet të bëhen analiza se pse dhe kush ishte fajtorë që Trepça erdhi buzë falimentimit. Për Trepçën, duhet angazhim i madh që ajo të punojë me kapacitete të mëdha.

Prandaj, në këtë proces duhet urgjentisht të bëhet plotësimi i Bordit të Trepçës, si dhe të shikohet edhe një raport i fizibilitetit që është përfunduar dhe të shikohet nëse është i duhuri për ta zhvilluar këtë gjigant metalurgjik. Është tërësisht e pakuptimtë që Trepça me kaq shumë rezerva nëntokësore e qytetarët të jetojnë në varfëri dhe me kushte minimale jetese. Por, një vizion i qartë nga Qeveria në ardhje Haradinaj, se si do të zhvillohet Trepça, do të bëjë që të rimëkëmbet ky gjigant, nga i cili vendi mund të ketë një hov të madh zhvillimi.

Një tjetër projekt me të cilin duhet të merret sa më parë qeveria e re, është ai për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, pasi që çdo vonesë apo dështim në realizimin e tij, do të ishte humbje e madhe, si dhe dëmtim i imazhit të vendit karshi investitorëve të huaj.

Me Termocentralin “Kosova e Re” duhet të vazhdohet përpara pavarësisht që i kam rezervat e mia, duke ditur ecurinë e këtij procesi deri më tash. Zvarritjet e mëdha dhe shpesh herë të paarsyeshme kanë bërë që ky projekt të shihet me dyshime. Edhe pse ndërtimi i tij, me kapacitete prej 450 megavatë për orë me një bllok nuk e zgjidhë problemin me furnizim, por që ai duhet të ndërtohet patjetër, sepse blloqet e dy termocentraleve ekzistuese, atij “Kosova A” dhe “Kosova B” janë vjetruar shumë, si dhe në anën tjetër janë edhe obligimet që janë marrë nga institucionet e Kosovës për mbylljen e Termocentralit “Kosova A” për shkak të ndotjes së ajrit.

Mos ndërtimi i “Kosovës së Re” do të thotë humbje e madhe financiare, pasi humbim nga mos prodhimi i rrymës, po ashtu humbim edhe nga mos shfrytëzimi i qymyrit, kur dihet se Kosova është e pesta në botë dhe e dyta në Evropë, për rezerva të qymyrit. Mos shfrytëzimi i këtyre pasurive nëntokësore do të ishte e pakuptimtë.

Çdo dështim për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” do të ishte një mesazh i keq, sikur në dështimin e projekteve të tjera. Një dështim i madh mund të konsiderohet edhe ai i Brezovicës, i cili ishte reklamuar me pompozitet të madh nga dy qeveritë e kaluara, të cilat nuk kanë arritur që me aq kapacitete të mëdha që ka Brezovica, ta paraqesin atraktive para investitorëve ndërkombëtarë.

Por, nuk do të thotë se Brezovica me çdo kusht të vazhdohet me kompani dhe konsorciume pa përvojë e të cilat nuk kanë kapacitete profesionale e financiare. Pasi që në shumë projekte sikur në Brezovicë kanë konkurruar kryesisht fonde investive por që edhe pse janë fonde, përkundër premtimeve ato nuk kanë pasur para për të bërë investime dhe kështu është arritur deri te dështimi i projektit.

Këto projekte dhe projektet e tjera do të jenë atraktive për investitorët e huaj vetëm nëse si Qeveri do të dimë që t’ua prezantojmë investitorëve të huaj. Si Kosovë kemi kapacitete, në rend të parë, e kemi rininë dhe fuçinë punëtore, e cila është e lirë, por e cila ka nevojë për aftësim. Këtë e them duke ditur mungesën e planeve për punësim, e cila i ka lënë shumë prapa të rinjtë, e si rrjedhojë mungesa e krijimit të vendeve të reja të punës ka ndikuar që të rinjtë në vendin tonë të mos jenë shumë të gatshëm për tregun e punës.

Hapja e vendeve të punës duhet të jetë prioritet i Qeverisë, e bashkë me këtë prioritet duhet të jetë edhe krijimi i kushteve të mira për të bërit biznes, duke ofruar kushte të mira dhe politika fiskale të duhura për sektorin privat në përgjithësi.

Po ashtu, duhet të merremi seriozisht edhe me investimet në hekurudha, të cilat duhet të riaktivizohen duke investuar në to, sepse nuk është logjike mos shfrytëzimi i transportit hekurudhorë për transport të udhëtarëve e në veçanti për transportin e mallrave nga bizneset. Kemi parasysh se transporti hekurudhor i mallrave ka kosto relativisht të ulët në krahasim me transportin rrugor dhe atë përmes maunave.

Kam thënë gjatë fushatës dhe në paraqitjet në media se Kosova dhe Shqipëria duhet të investojnë për t’u lidhur edhe me linja hekurudhore. Si Kosovë konsideroj se nuk na kushton shumë pasi që pjesa e Kosovës për t’u ndërtuar hekurudha me Shqipëri e ka një distancë prej 16 kilometrave apo pak më shumë, ndërkaq kostoja për Shqipërinë do të jetë më e madhe, por në këtë aspekt duhet të kemi parasysh raportet mes të dyja vendeve dhe rëndësisë që vendi ynë të ketë qasje në portin e Durrësit, e cila është jashtëzakonisht e madhe.

Paramendoni më herët Kosova ka pasur lidhje hekurudhore me vendet e rajonit e me gjerë, ndërkaq sot janë vetëm dy linja hekurudhore, të cilat kanë një numër të vogël të udhëtarëve.

Konsideroj se duhet që të orientohemi në projekte që krijojnë zhvillim ekonomik dhe punësim, por duke shpresuar që të mos ketë bllokada për krijimin e institucioneve të reja dhe një Qeverie me ide të reja për zhvillim.

Të Ngjajshme

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.

Shfaq Komentet (0)