LAJMI I FUNDIT:

Komuniteti i pamundur i Facebook-ut

Komuniteti i pamundur i Facebook-ut

Yuval Noah Harari

Në shkurt, Mark Zuckerberg ka botuar një manifest që flet për nevojën e ndërtimit të një komuniteti global dhe rolin e Facebook-ut në këtë projekt. Qëllimi i letrës së gjatë, i përhapur nëpërmjet faqes së tij në Facebook, nuk ishte vetëm ajo që të qetësonte preokupimet lidhur me rolin e Facebook-ut në përhapjen e lajmeve false. Ishte mbi të gjitha një tregues i faktit se rrjeti social më i madh i botës nuk është më thjesht një kompani, por po bëhet një lëvizje ideologjike botërore.


Natyrisht, fjalët kushtojnë më pak se faktet. Për të vënë në praktikë manifestin e tij, Zuckerbergu do t’i duhet të ecë në fushën e minuar të politikës dhe ka gjasa të ndryshojë modelin e biznesit e kompanisë së tij dhe vështirë të drejtojë një komunitet global kur bëhen para duke tërhequr vëmendjen e njerëzve dhe duke ua rishitur reklamistëve publicitarë. Pjesa më e madhe e shumëkombësheve ndjek dogmën neoliberiste sipas të cilës bizneset duhet të merren vetëm me bërjen e fitimeve, qeveritë duhet të bëjnë më pak të mundshmen dhe njerëzimit duhet t’i besojë aftësisë së tregut në marrjen e vendimeve më të rëndësishme.

Një kolos i teknologjisë si Facebook-u ka një motiv më shumë për t’u paraqitur si mjet transparent: duke pasur parasysh pushtetin e pafund dhe sasinë e madhe të të dhënave personale në dispozicionin e tij, është shumë i vëmendshëm për të mos thënë asgjë që do ta bënin të dukej si Big Brother. Sigurisht që ka motive të mira për të pasur frikë se është i tillë. Në shekullin XXI algoritmet që menaxhojnë mbledhjen e të dhënave mund të përdoren për të manipuluar njerëzit në mënyra që në të kaluarën qenë të paimagjinueshme.

Le të marrim për shembull kompeticionet elektorale: në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2020 Facebook mund të dijë teorikisht jo vetëm se kush janë të pavendosurit, por edhe se çfarë i duhet thënë secilit prej tyre për t’ia siguruar votën. Për pasojë, delegimi i të gjitha përgjegjësive tregut ka rreziqet e tij. Tregu është demonstruar tmerrësisht i papërshtatshëm në përballimin e ndryshimeve klimaterike dhe pabarazinë globale dhe është akoma më pak e ngjarë se do të jetë në gjendje të rregullojë fuqinë eksplozive të bioinxhinierisë dhe të inteligjencës artificiale. Në qoftë se Facebook dëshiron vërtet të marrë një pozicion ideologjik, kush i frikësohet pushtetit të tij nuk do të duhet të kufizohet që ta ripërzejë në busullën e tij neoliberist. Në fakt do të nevojiteshin që të shtyheshin të gjitha kompanitë e tjera, institucionet dhe qeveritë që t’ia kontestojnë vizionin.

Basti ideologjik i Zuckerberg nis me një seri argumentimesh mjaft bindëse lidhur me pse, për të përdorur fjalët e tij, “sot progresi i kërkon njerëzimit që të agregohet jo vetëm në qytete dhe kombe, por në një komunitet global”. Në të kaluarën tributë urbane bashkoheshin në kombe sepse asnjë komunitet nuk ishte në gjendje t’i menaxhonte në mënyrë efikase rrjetet tregtare dhe strukturat administrative me përmasa të mëdha. Le të marrim për shembull tributë e vjetra që jetonin përgjatë Lumit të Verdhë. Lumi ishte limfa jetike e tyre, por periodikisht kishte përmbytje apo thatësira katastrofike.

Asnjë tribu nuk mund ta zgjidhte e vetme këtë problem. Mund të arrihej vetëm nëpërmjet një përpjekjeje të përbashkët, duke ndërtuar diga të mëdha dhe duke gërmuar qindra kilometra kanale. Për pasojë, tributë u shkrinë pak e nga pak në një komb të vetëm kinez me pushtetin e rregullimit të shpërndarjes së ujit dhe krijuar një begati të paprecedent. Në shekullin tonë kombet gjenden në të njëjtën gjendje të tribuve të lashta të Lumit të Verdhë: nuk janë më strukturalisht të përshtatshme për të përballuar sfidat themelore të epokës së tyre. Të gjitha jetojnë përgjatë të njëjtit lumë dixhital, që është burim begatie, por edhe rreziqesh. Asnjeri nuk mund ta kontrollojë dhe ta qeverisë i vetëm, hapësirën digjitale.

Për motive të ngjashme, asnjeri nuk mund t’i rregullojë i vetëm teknologjitë shpërthyese si inteligjenca artificiale. Nëse qeveria e Shteteve të Bashkuara i ndalon inteligjencës artificiale kontrollin autonom të armëve, kjo nuk i pengon shkencëtarët koreanoveriorë që ta bëjnë. Dhe nëse kjo do t’i jepte Koresë së Veriut avantazhe strategjike, Shtetet e Bashkuara do të tundoheshin që ta shkelin vetë ndalimin e tyre. Në një botë ksenofobe ku secili mendon për vete, nëse një vend vendos të ndjekë një rrugë të rrezikshme, por potencialisht fitimprurëse, do t’i shtyjë edhe të tjerët që të veprojnë njëlloj, pasi askush nuk do t’ia lejonte vetes të mbetej prapa. Për të shmangur këtë lloj gare për poshtë, njeriu ka mundësi që do të ketë nevojë të gjejë një identitet dhe një ndjenjë përkatësie globale.

Zuckerberg vëren me të drejtë se çdo tentativë për të ndërtuar një komunitet global duhet të ecë me hap të njëjtë me ruajtjen dhe forcimin e komuniteteve lokale. Për miliona vite, njeriu është përshtatur për të jetuar në komunitete me disa dhjetëra njerëz. Akoma sot, për pjesën më të madhe të njerëzve është e pamundur të njohin vërtet më shumë se 150 njerëz, nuk ka rëndësi sesa “miq” kemi në Facebook. Asnjë vend, kompani apo rrjet global nuk mund t’i zëvendësojë komunitetet e njerëzve që njihen në intimitet. Pa këto grupe, njeriu ndjehet i vetmuar dhe i lënë pas dore.

Ja pse një komunitet global nuk mund t’ia dalë nëse mbështet vetëm komunitetet lokale. Nuk është objektiv i pamundur. Në qoftë se ndjehesh pjesë e familjes dhe e kombit tënd, asgjë nuk të ndalon të ndjehesh pjesë e gjinisë njerëzore. Të ndjerit pjesë e më shumë grupesh njëkohësisht nuk është e lehtë, pasi nganjëherë nevojat e grupeve janë kontradiktore. Ama jeta nuk është e lehtë. Duhet pranuar. Manifesti i Facebook ka pika të ndryshme të dobëta. U referohet shumë herë “vlerave kolektive” që duhet të jenë themeli i komunitetit global, ama pa specifikuar se cilat janë ato. Fatkeqësisht, më 2017 njerëzimi nuk e ka ende një trupë vlerash kolektive.

Ja pse është kaq e vështirë të ndërtohet një komunitet global. Zgjedhjet demokratike globale nuk janë përgjigjja. Njerëzit ndjehen të përbashkuar nga zgjedhjet vetëm kur ekziston një lidhje thelbësore midis pjesës më të madhe të votuesve. Tributë e lashta të Lumit të Verdhë nuk kishin një sistem vlerash të përbashkëta dhe për këtë arsye nuk qenë të aftë ta arrijnë unitetin nëpërmjet një procesi demokratik paqësor. U desh që të përdorej dhuna për t’i detyruar të bashkoheshin në një perandori të vetme. Kjo nuk do të thotë se Facebook duhet të rekrutojë një ushtri. Ama kjo do të thotë se nuk mjafton të ndahen videot e maceve tona për të krijuar një komunitet global të vërtetë.

Të flasësh për vlera kolektive është shumë e lehtë. Facebook është i gatshëm të thotë se cilat janë këto vlera, pa rrezikuar të anashkalojë simpatitë e shumë prej përdoruesve të tij dhe pa përballuar censurën e qeverive armiqësore? Nëse Facebook do të dojë vërtet të formulojë një sistem vlerash universale, do të ketë një avantazh të madh karshi institucioneve të shumta që e kanë provuar në të kaluarën. Në ndryshim nga kisha e parë kristiane apo partia komuniste e Leninit, Facebook është një rrjet vërtet global, me pothuajse 2 miliardë përdorues.

Ama, ka edhe një dizavantash të madh. Në ndryshim nga dy të sipërpërmendurat, është një rrjet online. Zuckerberg shpjegon në manifestin e tij se komunitetet online ndihmojnë që të ndërtohen ato off line. Shpesh është e vërtetë. Zuckerberg shmang që të na thotë se në disa raste online shkon në kurriz të asaj off line dhe se midis njërit dhe tjetrit ka një diferencë thelbësore. Komunitetet reale kanë një thellësi që komunitetet virtuale nuk mund ta kenë kurrë, të paktën në të ardhmen e afërt. Në qoftë se jam i sëmurë në krevat në shtëpinë time në Izrael, miqtë e mi online në Kaliforni mund të flasin me mua, ama nuk mund të më sjellin ndonjë supë apo ndonjë filxhan të mirë çaji.

Njeriu ka një trup. Në shekullin e fundit teknologjia na ka larguar nga ai. Kemi humbur aftësinë për t’i kushtuar vëmendje asaj që nuhasim dhe shijojmë. Jemi rrëmbyer nga smartfonët dhe nga kompjuterët. Na intereson më shumë ajo që ndodh në hapësirën kibernetike sesa ajo që kemi përpara vetes. Është shumë më lehtë të flas me kushërirën time që jeton në Zvicër, por është bërë shumë më e vështirë të flas me tim shoq për drekë, pasi i ka sytë e ngulura mbi smartfon dhe nuk më shikon aspak.

Në të kaluarën kjo mos vëmendje nuk na lejohej. Në lashtësi, kur na duhej të siguronim ushqimin, qemë gjithmonë në gatishmëri dhe vigjilentë. Duke ecur në pyll për të gjetur kërpudha, qeniet njerëzore rrëmonin terrenin rreth shenjave zbuluese dhe dëgjonin çdo lëvizje minimale në bar për të kuptuar nëse kishte ndonjë gjarpër në pritë. Kur gjenin një kërpudhë e kafshonin me kujdesin maksimal për të verifikuar se mos ishte helmatisëse. Sot, në shoqërinë e mirëqenies, kjo vetëdije nuk është më e nevojshme. Ecim para e prapa midis korsive të supermarketeve duke shkruar mesazhe në celular dhe mund të zgjedhim midis mijëra produkteve ushqimore, çdo njëri prej të cilëve i kontrolluar nga autoritetet shëndetësore. Por çdo gjë që zgjedhim – picë italiane apo makarona tajlandeze – në më të shumtën e rasteve e konsumojmë me ngut përpara televizorit, duke kontrolluar postën elektronike apo duke parë në të, pa e kujtuar që të vërejmë se çfarë shije ka ajo që po hamë.

Zuckerberg thotë se Facebook është i impenjuar të “përmirësojë instrumentet e tij për të na dhënë pushtetin e ndarjes së përvojës tonë”. Ndoshta, ama njerëzit do të kishin para së gjithash nevojë për të hyrë në kontakt me përvojën e vet. Në emër të ndarjes së përvojave, jemi prirur që ta interpretojmë atë që ndodh në bazë të asaj sesi e shikojnë të tjerët. Në qoftë se ndodh diçka emocionuese, instinkti i parë i besnikëve të Facebook është të rrokin smartfonin, të bëjnë një foto, ta postojnë dhe presin pëlqimet, pa u kujtuar të vërejnë sesi ndjehen në realitet. Tashmë ndjesitë e tyre varen më shumë nga reagimet online sesa nga përvoja konkrete e tyre. Të shkëputur nga trupi, nga ndjenjat dhe nga mjedisi fizik, qeniet njerëzore ndjehen gjithnjë e më të lënë pasdore dhe më të çorientuar.

Sipas ekspertëve kjo ndjenjë lënieje pasdore është e lidhur me rënien e religjionin dhe të nacionalizmit, por ka mundësi humbja e kontaktit me trupin e vet është akoma edhe më e rëndësishme. Njerëzimi ka jetuar për miliona vite pas religjionit, pa komb dhe ka mundësi mund t’ia dalë lumturisht pa to edhe sot. Është e pamundur për të qenë i lumtur nëse je shkëputur shumë nga trupi yt. Në qoftë se nuk ndjehemi rehat në trupin tonë, atëherë nuk do të ndjehemi rehat edhe në botë. Ka qenë pikërisht modeli i biznesit të Facebook ai që i ka shtyrë njerëzit të kalojnë më shumë kohë online, edhe pse kjo nënkupton të kesh më pak kohë dhe energji për t’ua kushtuar aktiviteteve off line. Zuckerberg thotë: “Shumë aktivitete mund të lexohen nëpërmjet syzeve të ndërtimit të një komuniteti.

Shikimi i një videoje të skuadrës për të cilën bëjmë tifozllëk apo programi ynë i preferuar, leximi i gazetës tonë të preferuar apo i luajtjes së lojës së preferuar nuk është vetëm më argëtim apo informacion, por një përvojë e ndarë dhe një mundësi për të bashkuar njerëz që kanë për zemër të njëjtat gjëra. Mund t’i shikojmë këto përvoja jo si një formë konsumi pasiv, por si një mënyrë për forcimin e marrëdhënieve sociale”. Janë fjalë ngushëlluese, por është shqetësuese (duke e marrë për të mirëqenë se kur flitet për lojë të preferuar i referohet videolojërave) që shembujt e vetëm konkretë janë ato të aktiviteteve online jotrupore. Pse nuk inkurajohen njerëzit që të luajnë fizikisht futboll apo të organizojnë një spektakël teatral, edhe pse nënkupton të shkëputesh nga interneti për disa orë?

Modeli i biznesit të Facebook i jep më shumë vlerë kohës së kaluar online sesa asaj të kaluar offline. Facebook duhet të adoptojë një model të ri që i shtyn njerëzit të lidhen vetëm kur është vërtet e nevojshme dhe t’u kushtojë më shumë vëmendje komuniteteve reale të tyre, trupave dhe ndjenjave të tyre. Por a është i gatshëm ta bëjë? Çfarë do të mendonin aksionerët? Një model alternativ i këtij lloji është zënë kohët e fundit nga Tristan Harris, ish-punonjës i Google dhe filozof i teknologjisë që ka shpikur një matje të re të “kohës së mirëharxhuar”.

Pikët e dobëta të raporteve online dobësojnë edhe përgjigjen e Zuckerberg ndaj polarizimit social. Zuckerberg vëren se favorizimi i raporteve të njerëzve midis tyre dhe konfrontimi me opinione të ndryshme nuk mjafton për ta zgjidhur problemin e polarizimit social: “Ta bësh një njeri të lexojë një artikull që paraqet një pikëpamje të kundërt me të tijën në realitet e rrit polarizimin pasi bën që të duken si të huaja pikëpamjet alternative”. Kështu, sipas Zuckerberg, “zgjidhja më e mirë për ta avancuar debatin është të mësosh të njihesh si person sesa të kufizohesh në konfrontimin e opinioneve: një objektiv që Facebook ka gjasa mund ta arrijë më mirë se cilido tjetër. Nëse hyjmë në raport me njerëzit nëpërmjet asaj që na bashkon – skuadra sportive, programe televizive, interesa – është më e lehtë të flasësh për gjëra mbi të cilat nuk jemi dakord”.

Problemi është se të “njihesh si person” është shumë e vështirë. Është një gjë që kërkon kohë dhe një ndërveprim fizik të drejtpërdrejtë. Homo Sapiens mesatar është i paaftë që të njohë në mënyrë intime më shumë sesa 150 njerëz. Idealisht, ndërtimi i një komuniteti nuk duhet të jetë një lojë me shumatore zero. Qeniet njerëzore janë të aftë të ndjehen të lidhur njëkohësisht në grupe të ndryshme. Por, fatkeqësisht, marrëdhëniet personale ka mundësi që janë një lojë me shumatore zero.

Përtej një pragu të caktuar, koha dhe energjitë që përdorim për të njohur miqtë tanë online në Iran apo në Nigeri do të shkojnë në kurriz të raportit me fqinjët tanë të shtëpisë. Është një shenjë e mirë që rrjetet sociale të apelojnë të parët lindjen e një komuniteti. Është më e vështirë të kuptohet se deri në çfarë pike Facebook do të jetë i gatshëm ta ndryshojë modelin e tij të biznesit për t’u rreshtuar me pozicionin e tij ideologjik. Nuk mund ta bashkohet njerëzimi duke shitur publicitet. Le të supozojmë se një inxhinier i Facebook shpik një funksion të ri që i bën përdoruesit të kalojnë më pak kohë për të bërë blerje online që t’u kushtohen aktiviteteve domethënëse me miqtë e botës reale.

Facebook do ta adoptojë apo do ta mbyllë? Do të bëjë një hop të vërtetë besimi duke ia kundërvënë instancat sociale interesave ekonomike të tij? Nëse do ta bëjë – dhe do ta arrijë të shmangë falimentimin – do të ishte një revolucion epikal. Gurutë e parë të Silicon Valley e konsideronin internetin një instrument për të favorizuar revolucionin social më shumë sesa për të bërë para. Gjatë viteve të fundit vizioni i tyre është manipuluar dhe deformuar. Do të arrijë Zuckerberg ta ribëjë të madh internetin?

Le të shpresojmë. Nëse një kompani realizon fitime dhe ndërkohë i ofron një shërbim të dobishëm shoqërisë – qoftë për të ndërtuar komunitetet, ricikluar mbetjet apo prodhuar ilaçe – çfarë ka të keqe nëse ka sukses? Por njëkohësisht nuk duhen ushqyer shpresa jorealiste. Historikisht, kompanitë nuk janë mjeti ideal për të avancuar revolucionet sociale dhe politike. Herat a vonë, një revolucion i vërtetë kërkon sakrifica që kompanitë, punonjësit dhe aksionerët e tyre nuk janë të gatshëm t’i bëjnë. Të ashtuquajturat revolucione të Facebook dhe Twitter në botën arabe kanë filluar midis mijëra shpresash në komunitetet online, por sapo kanë hyrë në botën online janë sekuestruar nga fanatikët fetarë dhe nga juntat ushtarake. Nëse sot Facebook dëshiron të nisë një revolucion global, do t’i duhet të bëjë më shumë për të krijuar një urë midis botës online dhe asaj offline.

Kompania e Zuckerbergut dhe kolosë të tjerë digjitalë tentojnë që t’i konsiderojnë qeniet njerëzore si kafshë audiovizive: dy sy dhe dy veshë të lidhur me dhjetë gishta, një ekran dhe një kartë krediti. Një hap themelor drejt unifikimit të njerëzimit do të jetë të dish se ka një trup. /Përgatiti: Armin Tirana/

(Yuval Noah Harari është një historian izraelit dhe profesor në Departamentin e Historisë në Hebrew University të Jeruzalemit)

Në trend

Më shumë
U hodh në gjyq, Olsi Bylyku

U hodh në gjyq, Olsi Bylyku "godet" Top Channel: Ikonat si Arbana, Alban Dudushi iu larguan - gjersa kolegët në TV Klan kanë ndërtuar perandori

Magazina
Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Magazina
Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Politikë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Drejtësi
Kalo në kategori