LAJMI I FUNDIT:

“Kallet” sheshi

“Kallet” sheshi

Në orët e mbrëmjes ka filluar koncerti në sheshin “Nënë Tereza” për nder të 5-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në shesh janë mbledhur mijëra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare edhe diaspora. Nën tingujt e këngëve ritmike e popullore, qytetarët e mbledhur aty, kanë festuar në mënyrë të zjarrtë ditëlindjen e pestë të shtetësisë së Kosovës.

Kush në shesh, e kush hipur në pemët e sheshit, e nëpër ballkone shtëpish, kanë festuar me entuziazëm, duke kënduar e brohoritur bashkë me këngëtarët që defilonin në skenë.

Qytetarëve të mbledhur në shesh u janë drejtuar me nga një fjalë të shkurtër rasti edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe i Sporteve, Memli Krasniqi, dhe drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport e komunës së Prishtinës, Vlora Dumoshi, të cilët u kanë uruar gjithë qytetarëve 5-vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës.


Edhe pse ishte atmosferë jashtëzakonisht festive, kishte momente kur qytetarët nga pakujdesia, duke u shtyrë me njëri-tjetrin në turmë, shkaktonin telashe, sidomos për fëmijët dhe personat me nevoja të veçanta që gjendeshin në mesin e tyre, më ç’ rast i duhej medoemos personelit të sigurimit të intervenonte për t’i nxjerrë ata nga turma.

Me gjithë këtë, sheshi vazhdon të jetë nën atmosferën e zjarrtë festive.

Për më tepër, gjatë ditës së sotme vendin tonë e kanë shoqëruar një sërë aktivitetesh të ndryshme festive për nder të 5-vjetorit të mëvetësisë së Republikës së Kosovës.

Më këtë rast, vendin tonë e kanë vizituar edhe shumë personalitet nga rajoni dhe më gjerë, sikurse që kanë ardhur edhe shumë telegrame urimi për nder të shënimit të ditë së pavarësisë./Telegrafi/