0Shares

Hernia, apo shoma, është depërtimi i organeve të barkut apo pjesës së tyre përmes vrimave natyrore apo të fituara për shkak të dobësisë së murit. Kjo është një dukuri relativisht e shpeshtë që ka ndikim në paaftësimin e aktiviteteve fizike tek meshkujt, femrat në moshë të re dhe të moshuarit.

Dr. Skender A. Zatriqi PhD
Kirurg abdominal
+377 44110925
zatriqi@yahoo.com

Hernia (Shoma) mund të paraqitet edhe në vendin e operacionit në kërthizë dhe në skrotum. Arsyeja e paraqitjes është shpesh gjenetike, trashëguese e ndonjëherë kanë edhe lidhje me aktivitetin fizik – sforcimin fizik.

Shumica e njerëzve e përshkruajnë si një e dalur, e fryrë. Disa ankohen me dhimbje, e te shumica nuk ka asnjë simptomë. E rëndësishme është se me t’u paraqitur, nuk kalon vetvetiu dhe vrima gjithnjë bëhet më e madhe, sepse përmbajtja e barkut vepron si pykë, e qanë dhe e rritë vrimën gjithnjë e me të madhe. Kështu, si pasojë, operimi bëhet më i vështirë dhe mund të vie deri te komplikimi me zënien e zorrëve në këtë vrimë, mbetja pa qarkullim e gjakut dhe si pasojë, gangrenën, vdekjen e indit të mbetur në këtë vrimë.

Hernia e inkarceruar që përbënë emergjencë kirurgjike, kërkon trajtim të menjëhershëm dhe mundësi të mbetjes së zorrës jashtë kolestomes, komplikim i panevojshëm kur kemi parasysh që mund të intervenohet në momentin e paraqitjes duke mos pritur që të degradojë në këtë masë.

Llojet e hernies

Nga aspekti praktik, më e rëndësishmja është se herniet, a janë të lira apo të kthyeshme, të inkarceruara, të zëna apo të lira. Hernia e inkarceruar apo e zënë kërkon intervenim kirurgjik urgjent këtë fakt po e përsërisim për ta tërhequr vërejtjen për këtë gjendje:

1. Të lindura dhe të fituara
2. Të jashtme dhe të brendshme
3. E lirë, e kthyeshme (reponibile) dhe jo e lirë, apo ireponibile
4. Hernia e gilcave të kërthizës dhe anësore
5. Incizionale (në vendin e operacionit)
6. Rekurente (recidivante) të përsëritura
7. Të dyfishta apo të trefishta, dyanësore apo njëanësore

Dallojmë dy tipe kryesore të hernieve të barkut dhe të gilcave të barkut, të cilat zakonisht formohen rreth kërthizës (unbilikale) në vendin e operacioneve, incizioneve, prerjeve të mëhershme, apo në pjesën e sipërme të barkut, hernia epigastrike. Herniet e gilcave janë tipi më i shpeshtë i hernieve dhe mund të jenë hernie inguinale direkte dhe indirekte apo femorale (të shpeshta të femrat) dhe të kombinuara, të njëanshme dhe dyanshme.

Simptomat e hernies

Pacientët më së shpeshti ankohen me dhimbje dhe me komfor të keq, me të ënjtur të dalur të fryrë në vendin e hernies. Mund të jetë e përhershme apo e kohëpaskohshme; me kohë kjo e ënjtur rritet. Kur e ënjtura nuk rrafshohet apo nuk kthehet, atëherë hernia është e zënë, e inkarceruar.

Kjo shkakton bllokimin e zorrës e të enëve të gjakut nëse zorrët janë fort të zëna dhe si pasojë vjen deri te vdekja apo gangrena e asaj pjese të zorrës.

Mund të shprehet edhe me shenja si fryrje të barkut, të vjella, ndërsa me kalimin e kohës edhe me ndryshimin e ngjyrës. Nëse e përjetoni ndonjërin prej këtyre shenjave, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore të menjëhershme.

Shkaktaret apo faktorët e rrezikut

Ndonëse te disa lajmërohet qysh në lindje, apo menjëherë pas saj, të shumtën e herëve zhvillohet pas një periudhe të jetës. Historia familjare paraqet predisponim për paraqitje të pastajme. Në parim kushtet që e rrisin presionin brenda barkut, i paraprijnë formimit të hernies, siç janë

▪ Shtatzënia
▪ Trashësia
▪ Ngritja e shpeshtë e peshave të rënda
▪ Gjendjet që shkaktojnë kollën kronike, siç është pirja e duhanit dhe astma
▪ Shterpëzimi gjatë zbrazjes së zorrëve dhe obstipacioni kronik
▪ Urinimi i vështirësuar, siç është ajo tek prostata e rritur (së pari të kryhet operimi i prostatës e pastaj hernies, ose bashkërisht kur është e mundur)
▪ Lëngu në hapësirën e barkut

Shumica e hernieve zakonisht mund të vërtetohet me kontroll të thjeshtë mjekësor, ekzaminim fizikal, por ndonjëherë duhet të bëhen edhe ekzaminime shtesë speciale për ta vërtetuar diagnozën.

Operacioni i hernies

Hernia nuk mund të shërohet. Është dëmtim struktural i murit të barkut dhe duhet të operohet, ndërsa tek ne kryhet me mjaft sukses dhe me metoda të njëjta sikur në vendet e zhvilluara. Trajtimi varet nga lloji i hernies. Kirurgu do të bisedoj me ju për mënyrën më të mirë të përmirësimit të këtij defekti.

Operacioni bëhet me anestezion lokal, anestezion spinal ose anestezioni të përgjithshëm në marrëveshje me ekipin e ekspertëve, kardiolog, anesteziolog, kirurg dhe preferencat e pacientit.

Për t’u forcuar vendi, vrima apo defekti dhe për t’u zvogëluar mundësia e shfaqjes së përsëritur, e cila ndodh përkundër teknikës së mirë operatore, por pasojë e gjendjes lokale të pacientit mund të përdoren materiale të ndryshme përforcuese apo të ashtuquajtura rrjeta, të cilat e ulin mundësinë e rishfaqjes, zvogëlojnë dhimbjen dhe tensionin në atë pjesë.

Ka lloje të ndryshme të rrjetave në formë të materialit plastik (fatkeqësisht ofrohen edhe rrjeta të lira dhe jokualitative). Por, ka dhe rrjeta me material biologjik natyror, shumë të shtrenjta, të cilat aplikohen në SHBA.

Rreziqet e operacionit

Edhe pse operacioni i hernies është njëra prej operacioneve më të shpeshta kirurgjikale, ajo sikur çdo ndërhyrje tjetër, ka rreziqet e veta. Kjo përfshinë gjakderdhjen, infeksionin, krijimin e vragës, shenjë, por edhe mospranimin apo reaksionin e organizmit ndaj aplikimit të rrjetës.

Gjithashtu, nuk duhet përjashtuar dhembjet pas operacionit të hershëm apo të vonshëm, lëndimet apo dëmtimet e testisit, ndjenja e mpirjes së pjesës së operuar, pamundësinë e urinimit dhe mos daljen jashtë.

Opsion mbeten komplikimet e anestezionit dhe përsëritja e hernies. Të gjitha këto, duhet t’i sqarohen pacientit nga mjeku i vet para ndërhyrjes kirurgjike dhe t’i pranojë rreziqet.

Pas miratimit me nënshkrim të pacientit dhe familjarëve, bëhet përgatitja që nënkupton analizat e gjakut, kontrolli i kardiologut për gjendjen e zemrës, bëhet rëntgeni i mushkërive, kërkohet ndërprerja e pirjes së duhanit një muaj para operacionit (sepse e rrit rrezikun e komplikimeve).

Para dhe pas operacionit

Shumica e pacientëve me hernie të pakomplikuara, nuk kanë nevojë të qëndrojnë në spital pas operacionit, por mund të lirohen në shtëpi brenda ditës dhe të trajtohen në mënyrë ambulantore.

Pacienti në afatin më të shkurtër mund t’i kthehet jetës normale pa ndonjë ndalesë specifike. Fillon me ecje të menjëhershme pas operacionit, po të njëjtën ditë. Ecja është e domosdoshme për ta parandaluar trombozën dhe përmirëson qarkullimin e gjakut në vena të këmbëve.

Komplikimet tjera si ënjtja dhe dhimbja, parandalohen duke i përmbajtur këshillave të mjekut për trajtim pas operacionit dhe marrjes së barnave sipas këshillave mjekësore. Mirëpo, rastet dallojnë dhe sa më vonë që është trajtuar, rriten mundësitë e komplikacioneve.

Te rastet e rënda, dmth të vonuara në trajtim për shkak të neglizhencës, mund të bëjnë që të zgjatet qëndrimi në spital, por edhe disa pacientë të moshuar kërkojnë trajtim më të gjatë dhe përgatitje më të mirë para operacionit, gjëra të cilat vendosen nga kirurgu në bashkëpunim me mjekun e vet. /Telegrafi/

Të Ngjajshme

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi. Ju lutem lexoni rregullat këtu.

Shfaq Komentet (0)