LAJMI I FUNDIT:

Delawie: Bizneset mund të ndryshojnë mënyrën e të bërit biznes në Kosovë

Delawie: Bizneset mund të ndryshojnë mënyrën e të bërit biznes në Kosovë

Në vazhdimësi të mbështetjes së Ambasadës Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Amerikane kishte nderin të mirëpresë në një tryezë diskutimi Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë Gregory Dealwie.

Ambasadori Delawie u shpreh se kjo javë është e rëndësishme për Kosovën, sepse votuesit do të jenë ata që do të përcaktojnë rrugën e saj drejt prosperitetit, duke shtuar se të gjithë pajtohen për një destinacion të vetëm: të shohin Kosovën si shtet sovran, të pavarur, në paqe me shtetet fqinje dhe të integruar tërësisht në komunitetin Evropian dhe global.


Delawie theksoi tri prioritetet e tij kryesore si Ambasador i SHBA-së në Kosovë: sundimi i ligjit, siguria rajonale dhe zhvillimi ekonomik si dhe përparimin që secila prej tyre ka shënuar. “Kalimi i Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale ishte një hap i madh për të luftuar korrupsionin; ne kemi parë një rritje të numrit të arrestimeve për shkelje dhe keqpërdorim të detyrës. Luftimi i ekstremizmit ka qenë i suksesshëm dhe në fund, ne kemi mbështetur zhvillimin e bizneseve të vogla dhe kemi promovuar mundësitë për eksport”, tha Ambasadori Delawie.
Sidoqoftë, sipas tij, korrupsioni dhe niveli i papunësisë ende dominon në Kosovë.

Çështjet të cilat u ngritën nga anëtarët e Odës Amerikane ishin kryesisht të ndërlidhura me sundimin e ligjit, korrupsionin, gjendjen politike jostabile, mungesën e fuqisë së kualifikuar të punës dhe nevojën për një gjykatë komerciale, çështje të cilat sipas tyre, vazhdojnë të pengojnë zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në Kosovë. Gjatë pjesës së diskutimit, anëtarët patën mundësi po ashtu të marrin përgjigje dhe sugjerime nga Ambasadori rreth pyetjeve dhe çështjeve të tyre. /Telegrafi/