LAJMI I FUNDIT:

Arvanitas dhe shqiptarë

Arvanitas dhe shqiptarë

Theodhoros Pangalos

Jam rritur në një shtëpi ku origjina arvanitase na jepte një krenari kolosale, veçanërisht ne fëmijëve. “Jemi arvanitas”. Kjo prejardhje e lavdishme nxori në dritë rrënjë të tjera po aq të rëndësishme për historinë e familjes si një stërgjyshe nga Kios, e stolisur gjithmonë me dantella, bizhuteri dhe stil francez të flokëve, apo një stërgjysh që u largua nga Azia e Vogël për t’iu bashkuar me lëvizjet revolucionare të grekëve në gjithë Ballkanin.


E çfarë se ky Pangalos kishte një emër me prejardhje bizantine! E çfarë se ai ishte mjek para shekullit të XIX! Ne, djemtë adhuronin paraardhësit tanë me fustanella nga malësitë e Parthithas që u ngjiteshin majave me këmbët e tyre muskuloze, të veshur me lëkurë kafshësh dhe të ngjeshur me barut, të armatosur me dyfekë dhe hanxharë që ua kishin marrë armikut, pasi e kishin therur si sheleg mbi një gur të asaj toke,e cila në asnjë moment nuk pushoi së luftuari tiranët.

Kur u rrita dhe mësova anglisht, dikush më dha romanin “Të fundit e moikanëve”. Ndjeva një emocion të thellë. Nga përshkrimet e detajuara të Cooperit arrita në një përfundim të pamohueshëm: Të fundit e moikanëve, me kokë të rruar dhe flokët bisht ishte vetë etërit e mi shqiptarë.

Arvanitët janë një komponent i rëndësishëm i grekëve të sotëm. Qindra mijëra njerëz parakaluan ndër ne, duke trashëguar nga familjet emra krenarë e të nderuar me origjinë arvanitase. Asnjëherë nuk kemi patur dyshim për rëndësinë e tyre të vërtetë. Më kujtohet një herë një i nëpunës i njohur i Departamentit të Shtypit, që përgatitej të shkonte në Shqipëri, për të shoqëruar presidentin e Republikës, Kostis Stefanopulos. Atij nuk ia priste kurrë mendje se mbiemri me prejardhje arvanitase do do t’i krijonte probleme të ndërlikuara në qoftë se ua thoshte shqiptarëve.

Arvanitët e Atikës dhe pjesës tjetër të Greqisë qendrore, Peloponezit, Epirit, Thesalisë, edhe në prefekturën e Evros ku ekzistojnë dy fshatra, në Kaso dhe në Arvanitohorin e mrekullueshme, si dhe shumë arvanitas në ishullin Kea, ku sot askush nuk flet gjuhën arvanitase arvanitasen ka qenë gjithmonë pjesë e formulimit të helenizmit modern.

Luftëtarë të paepur, bujq të ashpër, blegtorë energjikë, që pavarësisht nga dygjuhësia dhe raporti me popullsinë e përgjithshme, dhanë kontributin e tyre në udhëheqjen shkencore, politike dhe ushtarake të vendit.

Gjuha arvanitase ashtu si dialekte të tjera u fol derisa televizori të zëvendësonte gjyshen. Nëna e nënës sime i fliste vajzës gjithmonë në arvanitishte. E bija, mësuese në Arsakeo i përgjigj në greqisht, dhe kjo zgjati një jetë pa krijuar ndonjëherë ndonjë problem mes tyre.

Emigrantët e sotëm nuk e kuptojnë gjuhën arvanitase të Atikës, ndërsa këta të fundit i kuptojnë në vija të përgjithshëm emigrantët, diçka e ngjashme me brazilianët që përpiqen për të kuptuar portugezët, ndërsa banorët e Mitropolisë kuptojnë lehtësisht gjuhën thjeshtuar Creole. Suliotët ishin arvanitas, shumë prej tyre nuk e dinin greqishten, por e mësuan në kisha. As feja nuk mund të shpjegojë marrëdhëniet midis dy popujve. Në luftërat kundër Ali Pashës për një kohë të gjatë para se të dezertonin, aleatët kryesorë të arvanitëve të krishterë të Sulit ishin çamët myslimanë të Thesprotisë.

Kur filloi Revolucioni Grek, e gjithë Atika, si dhe një pjesë e madhe e Korinthit, Argolidës, Viotisë, Fthiotidas dhe Evias banoheshin nga arvanitasit. Të vetmit që nuk flisnin gjuhën arvanitase në Atikë ishin ata me prejardhje nga Megara. Arvanitasit Ishin bërthama kryesore e forcave të armatosura të Karaiskakit, i cili po ashtu fliste gjuhën arvanitase. Edhe Kolokotronis ishte i njohur në pjesën më të madhe të Peloponezit me emrin arvanitas të familjes së tij, Bithëguri.

Problemi i z. Rama është se u bashkua me armiqtë e grekëve për të mbajtur partinë dhe votat që i siguronin anëtarët grekofonë të ish-regjimit komunist.

Arvanitët u zhvendosën në Greqi në mesin e shekullit të XII-të dhe XIV-të siç thuhet edhe në librin e mrekullueshme të Kostas Biris, “Arvanitët, Dorët e helenizmit të ri “. Në atë kohë nuk ka patur shqiptarë, siç nuk ka patur gjermanë, italianë, anglezë, francezë apo turq. Ndërgjegja kombëtare shqiptare ishte e fundit që u shfaq në Ballkan në vitin 1878 me Lidhjen e Prizrenit dhe me qartësi edhe më të madhe në tekstet e shqiptarëve ortodoksë dhe vllahëve të krishterë Korçës. Përderisa atëherë nuk ka pasur shqiptarë, si mund të ishte shqiptar Despoti i Athinës, në qoftë se në të vërtetë quhet Dousmanis? A nuk e di z. Rama se Morosini shkatërroi Akropolin me topat e tij?

Popujve tanë u intereson rinovimi i bashkëjetesës. Marramendëse janë mesazhet që vijnë nga ana ekonomia. Është për të ardhur keq që në vend të shohë këto shifra dhe të fokusohet në rrugët e progresit bashkëpunimit dhe vllazërimi për të ardhmen, nxit kontraste jorealiste nga një e kaluar që ekziston vetëm në imagjinatën e tij. /përktheu: respublica.al/