LAJMI I FUNDIT:

Zvicra pranë recesionit

Zvicra pranë recesionit

Shtatë muaj pas ndërhyrjes së Bankës Qendrore të Zvicrës për heqjen e limiteve të këmbimit të Frankës, ekonomia vendase po përballet me një rënie drastike të vëllimit të eksporteve, prodhim në stanjacion, dhe çmime në rënie.

Ekspertët projektojnë një ekonomi në tkurrje me 0.1 për qind gjatë tremujorit të fundit. Edhe tremujori paraardhës u regjistrua në kontraktim, dhe dy tremujorë me radhë në rënie ekonomike do të përktheheshin në recesionin e parë pas 6 vitesh. Presioni më i madh ndaj ekonomisë po vjen nga monedha vendase, dhe nuk është aspak çudi që aktiviteti i eksporteve po kalon momente të vështira.

Që prej ndërhyrjes së datës 15 Janar, Franka zvicerane ka fituar rreth 11 për qind kundrejt monedhës së përbashkët europiane. Gjithsesi, ekonomistët shprehen se është konsumi i brendshëm dhe situata e investimeve ato që po japin një performancë më të dobët se pritshmëritë. Nga ana tjetër, ekspertët theksojnë se recesioni në ekonominë zvicerane do ta ketë jetën e shkurtër, pasi tremujori aktual projektohet në rritje prej 0.1 për qind, ndërsa tre muajt e fundit të vitit pritet ti japin ekonomisë një rritje në normën e 0.2 për qind.


Ekonomia zvicerane mund të marrë një shtysë të theksuar nga zhvlerësimi i monedhës si dhe nga rënia e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare. Që prej përshkallëzimit të krizës greke, Franka zvicerane është zhvlerësuar me rreth 3 për qind. Por, nga ana tjetër, edhe rreziqet mbeten të mëdha. Ngadalësimi i ekonomisë kineze është aktualisht kërcënimi më i madh nga jashtë për ekonominë zvicerane. /Telegrafi/