LAJMI I FUNDIT:

Zot për një muaj

Zot për një muaj

Ata që e kanë parë filmin “God for a week” (Zot për një javë) mund t’u kujtohet Bruce Nolan (Jim Cerry) kur pranon ta marrë rolin e Zotit. Në fillim, ai nis t’i plotësojë egot dhe dëshirat personale, pastaj i kthehet hakmarrjes ndaj kundërshtarëve dhe fare në fund vendos t’u përgjigjet halleve të njerëzve. Por, hallet e këtyre të fundit janë aq të shumta, saqë detyrohet ta krijojë një sistem elektronik për t’ju përgjigjur në kompjuter. E kur për pak kohë adresa e tij mbushet me miliona kërkesa, në pamundësi për t’ju përgjigjur secilit veç e veç, vendos ta prek tastin “Po, të gjithëve”, duke mos i marr fare parasysh pasojat.

Për një çast ndihet i lehtësuar se e ka kryer misionin, por kur del në qytet e sheh se është bërë rrëmujë e vërtet. I habitur se si njerëzit kanë shkaktuar gjithë atë kaos, duke ngarendur t’i marrin gjërat që i kanë dëshiruar, i lutet Zotit ta merr rolin e tij ndërsa vet t’i kthehet jetës normale.


Ashtu si në këtë film, rolin e Nolanit, këtë muaj e kanë marr shumica e liderëve politikë që pretendojnë ta qeverisin vendin, apo që duan të sigurojnë ulëse në Kuvendin e Kosovës. Ka ditë që ata kanë nisur t’i përmbushin egot e brendshme në partitë respektive. Po i forcojnë radhët me anëtar të rinj për të reflektuar rritje dhe po i fusin në lista për deputetë ata që potencialisht sjellin vota.

Kur puna e listave të ketë përfunduar me ndonjë qethëmbetje të vogël, do t’u kthehen akuzave për keqqeverisje, korrupsion, mashtrime, haraç, reket, nepotizëm, vendime të paligjshme, të kaluar jo pastër, e për çka jo tjetër. Duke akuzuar tjetrin, secili do të bëhet i “gjithëpushtetshëm” dhe do ta sjellë parajsën në tokë. Kush më shumë e kush më pak do të ofrojë mundësi që qytetarët as që mund t’i kenë paramenduar.

Për mbi një javë fushate zyrtare, populli do të jetojë mes ëndrrave për zgjidhje të problemeve të punësimit, arsimimit, strehimit, zhvillimit, lëvizjes dhe integrimit. E kur edhe kjo fazë të ketë përfunduar shpejt e shpejtë, pa u dhënë asnjëherë përgjigjet se si mund të përmbushen premtimet e dhëna, do të vijë momenti i hapjes së kutive. Në to dhe jashtë tyre, do të përcaktohet fuqia (i)reale e secilit subjekt garues. Partisë fituese, siç e përcakton rendi kushtetues, do i hapet rruga e krijimit të koalicionit për bashkëqeverisje.

Nuk është vështirë për t’u paragjykuar se këtë mandat do ta marr njëra nga dy partitë e mëdha. Zotimet për “vija të kuqe”, se nuk bëjmë koalicion me këtë ose me atë parti, do të harrohen menjëherë pas publikimit të rezultateve të para preliminare të votave. Nuk do ketë rendësi programi, nuk do të ketë rendësi e kaluara, nuk do të ketë rëndësi as e tashmja, rëndësi do të ketë e ardhmja. Dhe, e ardhmja, do ngreh nevojën për një qeveri, në mos e koalicionit të gjerë, patjetër për një qeveri të fuqive të mëdha politike. Në një fresk mëngjesi, xhipat e liderëve partiakë do të ngjiten në Arbëri, dhe prej aty do të dalin me mesazhin se Kosova, ka nevojë për një qeveri që ka mbi 60 deputetë shqiptarë, plus deputetët e partive minoritare. Në bazë të sondazheve, të dy partitë e mëdha nuk do të mund t’i bëjnë bashkë 60 deputetë. Kështu, do jetë e nevojshme edhe partia e tretë, por që ka më pak se 10 deputetë. Arsyet pse do të kërkohet kjo formulë do të jenë të shumta.

Së pari, strukturat e reja ekzekutive dhe legjislative do të duhet të fillojnë procesin e zbatimit të marrëveshjeve me Serbinë, të cilat janë nënshkruar nga Hashim Thaçi e Ivica Daçiq. Ky proces do të jetë më i rëndë se i pari, sepse vetëm në zbatim do të shihen pasojat e atyre marrëveshjeve. Do të shihet se si Serbia përfundimisht e ka fituar kontrollin në veri dhe se kjo pjesë administrative e shtetit do të veprojë si “republikë brenda shtetit”. Në ndërkohë, në Bruksel do të vazhdojnë takimet mes palëve. Kosovës do t’i duhet ta ketë një “qeveri stabile”, për t’u përballë me qeverinë më të fortë që ka pas Serbia, që nga rënia e Millosheviqit. E hiq më e lehtë se përballja me Vuçiqin, nuk do të jetë krijimi i bazës juridike dhe kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale, e cila do të merret ekskluzivisht me komandantët e UÇK-së. Qeverisë së re, do t’i duhet t’i menaxhojë pakënaqësitë dhe protestat mundshme që mund të shfaqen rrugës.

Do t’i duhet të përballet me kërkesat e shumicës qytetare për rritje të mirëqenies sociale dhe krijim të vendeve të punës. Shteti më i varfër në Evropë, nuk do ketë kapacitet për të gjeneruar të hyra me të cilat do të mund të mbulohen gjithë ato vendime që janë nënshkruar para rënies së Qeverisë Thaçi. Ekspertet e ekonomisë jo më kot kanë paralajmëruar se Kosova është duke shkuar rrugës së Greqisë, pra rrugës së kolapsit ekonomik. Sikur jeta të ishte si në film, liderët që sot kanë marr rolin e Zotit dhe japin premtime pa mbulesë, nesër do të luteshin të kthehen në njerëz që ecin për tokë.

Por, jeta nuk është film. Me gabimet që po i bëjnë, mund të shkaktojnë vetëm kaosin dhe kolapsin institucional. Gjendjen e krijuar pas zgjedhjeve mund ta përballojmë më lehtë nëse nuk i marrim seriozisht një pjesë të madhe të premtimeve që tash po na jepen. E premtuesve të tashëm, pas vitesh, do t’u bashkohen edhe të tjerë. Prapë, do e marrin rolin e Zotit, jo si Nolan, për një javë, por për së paku një muaj. Kështu, do të vazhdoj, deri sa ne t’i “zbresim” në tokë.

(Autori është Redaktor i politikës në gazetën Tribuna)