LAJMI I FUNDIT:

Zelensky për anëtarësimin në NATO: 800 mijë trupa ukrainase do të ishte një bonus për aleancën

Zelensky për anëtarësimin në NATO: 800 mijë trupa ukrainase do të ishte një bonus për aleancën

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se anëtarësimi në NATO është ende një nga garancitë më kritike të sigurisë për Ukrainën.

Ai theksoi se një ushtri ukrainase prej 800,000 trupash do të ishte një bonus për Aleancën, veçanërisht nëse presidenti amerikan Donald Trump ndjek një politikë të tërheqjes së trupave amerikane nga dislokimet jashtë shtetit.

Zelensky tha se çdo marrëveshje e arritur me Rusinë do të ishte vetëm një parakusht për agresionin e ardhshëm pa garanci sigurie nga aleatët e Ukrainës. Anëtarësimi në NATO është ende zgjedhja kryesore e Kievit.


Presidenti ukrainas beson se anëtarësimi në NATO është opsioni “më i lirë” për aleatët e Ukrainës, dhe gjithashtu do ta forconte Trump gjeopolitikisht, transmeton Telegrafi.

“Unë me të vërtetë besoj se këto janë garancitë më të lira të sigurisë që mund të marrë Ukraina, më e lira për të gjithë. Do të jetë një sinjal se nuk i takon Rusisë të vendosë se kush duhet të jetë në NATO dhe kush jo, por të vendosë SHBA. Mendoj se kjo është një fitore e madhe për Trump”, shtoi ai.

Ai bëri të ditur se propozimet e tjera të garancisë së sigurisë duhet të përforcohen nga furnizimet e duhura të armëve nga SHBA dhe Evropa, dhe mbështetje për Kievin në forcimin e industrisë së tij të mbrojtjes.

Zelensky deklaroi gjithashtu se propozimi francez për të vendosur forca evropiane në Ukrainë për të penguar agresionin rus, po merr formë.

Megjithatë, ai vuri në dukje se mbeten shumë pyetje në lidhje me strukturën e komandës dhe kontrollit, numrin e trupave dhe vendndodhjet e tyre të dislokimit.

Tha se kjo çështje u ngrit me presidentin francez Emmanuel Macron dhe Trump.

“Unë thashë në prani të dy liderëve se ne jemi të interesuar për këtë si pjesë e garancisë së sigurisë, por jo si garancia e vetme e sigurisë. Kjo nuk mjafton. Imagjinoni, ka një kontigjent. Pyetja është kush është në krye, kush është kryesori, çfarë do të bëjnë nëse do të ketë goditje ruse, raketa, zbarkim, sulm nga deti, kalim i kufirit tokësor, ofensivë. Çfarë do të bëjnë ata”, shtoi Zelensky.

Kur u pyet nëse ia kishte bërë këto pyetje Macronit, Zelensky u përgjigj: “Ne jemi ende në procesin e këtij dialogu”. /Telegrafi/