LAJMI I FUNDIT:

Zbulohet poezia e panjohur e Çajupit, për Princ Vidin

Zbulohet poezia e panjohur e Çajupit, për Princ Vidin

Kujtimi i Princ Vidit është rikthyer dje në Bibliotekën Kombëtare përmes një ekspozite të hapur për publikun. Nën titullin “Vilhemi I”, ekspozita nis me një dhuratë të Vidit dhe bashkëshortes së tij Sofia për mësuesin e tyre të gjuhës shqipe Kolë Kraja, në vitin 1913. Në këtë album të rrallë shihen firmat origjinale të Vidit dhe bashkëshortes Sofia dhe përpjekjet e tyre të para për të shkruar gjuhën shqipe.

Princ Vidi erdhi në Shqipëri më 7 Mars të vitit 1914, por në ekspozitë gjendeshin dokumente ku ardhja e tij ishte paralajmëruar më herët nga shtypi i kohës me një retorikë të ekzaltuar dhe euforike. Autorët e shkrimeve e shohin ardhjen tij si shpëtim të kombit.

Biblioteka Kombëtare ka ekspozuar ndër të tjera disa shkrime me biografinë e Vidit në gjuhën shqipe me emrin e autores Carmen Sylva, pseudonim i Mbretëreshës se Rumanisë Elizabeta, që ishte halla e Vidit.


Të gjitha dokumentet janë ekzemplarë që publikohen për herë të parë, por ajo që të bënë përshtypje është një poezi jo shumë e njohur për publikun e sotëm e Andon Zako Çajupit, e shkruar para ardhjes së Vidit, në shkurt të vitit 1913. Poeti i uron mirëseardhjen që nga Egjipti. Në poemën Çajupit me titull “Mbretit të Shqipërisë”, hidhet dritë mbi qëndrimin e intelektualëve bashkëkohës të tij: ardhjen e Princ Vidit e konsideronin si afirmim dhe ruajtje të sovranitetit të kërcënuar të Shqipërisë nga fqinjët shovinistë. Ndaj, në vargjet e poezisë së Çajupit të bie në sy bindja se ardhja e Vidit është interesi i kombit dhe i Atdheut.

Mbretit të Shqipërisë

Kush do foli mbë vend mbeti…
Na shpëtoi Perëndia Erdhi Mbreti!
Erdhi Mbreti! Gëzon gjithë Shqipëria.
Erdhi mbreti i Shqipërisë
Dhe zu vënd’e Skënderbeut!
U-ngre flamur’ i Lirisë
Sot nga burrat e Atdheut.
Me këtë flamur ndë duar.
Me këtë mbret fuqiplotë
Shqiptarët të bashkuar
Do të dëgjonin në botë.
Lum neve për këtë ditë!
Dielli ndriçon Tomorrë…
Errësira, ligësitë, Bashkë me
turkun u-çporrë.
Ra dielli në vend tonë…
Shqipëria lulëzoi!
O shokë lëvdoni Zonë
Për mbretnë që na dërgoi.
Shqiptarët citë janë
Që të falë mbretërinë?
Këta jan’ ata Luanë
Që kanë trembur Turqinë.
Këta trima Zot, të prunë
Dhe të besuan Atdhenë,
Me kurorën që të vunë
Të njëjtën për Skënderbenë
Zot, ndë fron të mbretërisë
Të kesh dëshirë që të kemi
Për lirin’ e Shqipërisë
Të lëftojmë gjithë ç’jemi
Zot, kufit’ e Shqipërisë
Nuk janë tek u shtruan
Na shkel’ armiqt’ e Lirisë
Dhe shumë vise zotuan:
Në meleun shqiptarë
Sot ndën zgjedhë rënkojnë
Dhe na presin duke qarë
Të vemi që të shpëtojmë

/Shqiptarja/