LAJMI I FUNDIT:

Wes Andersoni, aksidentalisht: Kur jeta reale takon fantazinë filmike

Wes Andersoni, aksidentalisht: Kur jeta reale takon fantazinë filmike

Tashmë në shitje është libri “Accidentally Wes Anderson” (Wes Andersoni, aksidentalisht), i përpiluar nga Wally Koval. Libri merret me stilin e regjisorit Anderson dhe me pamjen unike të filmave të tij që ngjajnë me gjërat që ekzistojnë përreth nesh. “E dini kur i shihni”, i thotë Koval gazetares Lindsay Baker, pjesë të shkrimit të së cilës Telegrafi sjell më poshtë.

Një pamje e veçantë i karakterizon filmat e Wes Andersonit. Gjatë dy dekadave të fundit, universi kinematografik i regjisorit e ka instaluar një rregull të estetikës unike e delikate – retro, simetrike e me kompozicion perfekt. Janë plot gjëra të paparashikueshme në lidhje me vizionin e Andersonit. Bota e tij është krijuar me dashuri, me përpikëri e plot detaje të kujdesshme – që nga çuditë e pafundme tek “The Royal Tenenbaums” (Familja Tenenbaum, 2001), lulëzimi i venitur i “The Grand Budapest Hotel” (Hoteli Grand Budapest, 2014), hijeshia njerëzore te “Moonrise Kingdom” (Mbretëria e lindjes së Hënës, 2012) e deri te gjallëria mahnitëse e “The Darjeeling Limited” (Në trenin ‘Darjeeling Limited’”, 2007). Dhe, pa dyshim që i njëjti vizion i pazakontë pritet të na ofrohet te filmi më i ri i regjisorit, “The French Dispatch” (Buletini francez, 2021).

Qendra e zjarrfikësve, Marfa, Teksas, ShBA (foto: Emily Prestridge)

Të gjithë filmat e Andersonit kanë një vizion: janë shumë unikë, të gjallë dhe të ndërtuar qëllimisht për të qenë realë. Apo nuk janë? Me sa duket, jo domosdoshmërisht. Vendet e ngjashme me botën uesiane tashti janë mbledhur në një libër, i quajtur qëllimisht “Wes Andersoni, aksidentalisht”. Duke e çmuar estetikën unike që e duan adhuruesit e Andersonit, çdo imazh i paraqitur në libër i kapton elementet e këtij vizioni – simetria, e papritura, gjallëria, e çuditshmja. Historia e çdo lokacioni, që është interesante sa storja e filmit, shpjegohet në tekstin shoqërues.


“E dini kur i shihni”, thotë autori i librit, Wally Koval, për stilin menjëherë të identifikueshëm të tij. Kovali që jeton në Bruklin, është themeluesi i projektit “Wes Andersoni, aksidentalsith”, që filloi “për pikë qejfi”, si një “listë personale e aventurave të udhëtimit” nëpër vendet që ai dhe gruaja e tij Amanda – partnere në projekt – dëshironin që një ditë t’i eksploronin. Ai nisi të kuptojë se të gjitha këto vende të vërteta, në të gjithë botën, kishin diçka të përbashkët – të gjitha dukeshin si “kapje aksidentale” prej një prej filmave të Andersonit.

Koval nisi të postonte në Instagram ca fotografi të këtyre skenave të jetës reale, së bashku me një copë informacioni ose një anekdotë për secilin vend, gjithmonë duke përfshirë hashtagun ‘AccidentallyWesAnderson’. Shpejt zbuloi se të tjerët iu bashkuan atij duke përdorur të njëjtin hashtag, kështu që komuniteti u rrit goxha shpejtë. “Një grusht njerëzish që e panë atë më herët u bënë si një ‘klub librash’ udhëtimi; ne i ndanim faktet interesante në lidhje me vendet ku kemi shkuar dhe jemi përpjekur ta bëjmë këtë deri në ditët e sotme”.

Fortresa Amer, Raxhastan, Indi (foto: Chris Schalkx)

“Wes Andersoni, aksidentalisht” tash është një “komunitet global i aventurierëve” që postojnë në Instagram fotografi të vendeve të bukura dhe të pazakonta nga e gjithë bota, e që ngjajnë me estetikën e Wesit. Dhe, ky komunitet i njerëzve të një mendjeje e frymëzoi librin për të cilin Kovali bëri përzgjedhjen e 200 imazheve nga vendet më interesante të hasura nga anëtarët e ndryshëm të komunitetit global.

Fotografitë përfshijnë 50 shtete dhe asnjë nga vendet e treguara, në fakt, nuk është shfaqur në asnjë film të Andersonit. Por, thotë Koval, “ky nuk është veç një libër udhëtimesh; është një tabelë relaksi, një largim nga përditshmëria, një moment kënaqësie, dhe ne shpresojmë se do të frymëzojë aventura dhe eksplorime”. Është ky një komunitet i përbërë, siç thotë ai, nga “njerëzit që kërkojnë momente kënaqësie dhe ne shpresojmë se do të largoheni me një buzëqeshje dhe një gjë të re interesante që nuk e dinit që më parë”.

Por, çfarë tamam e tërhoqi Kovalin te filmat e Andersonit? “Vizualisht, secili është i vendosur në ‘botën reale’ ndërsa evokon cilësi imagjinare. Dhe, teksa vendet dhe skenat janë të gjitha të shtruara në mënyrë perfekte, rrëfimi themelor dhe betejat e brendshme të personazheve janë mjaft ndryshe e më komplekse. Ajo që ndajmë është mishërimi i jetës reale me këtë dhe mendoj se fakti që këto vende ‘më të mëdha se jeta’ mund të gjenden në përditshmërinë tonë, kjo është një gjë goxha mahnitëse”.

Imazhet në këtë libër përshkruajnë cepa të ndryshëm të globit – secili prej të cilëve evokon një gjendje shpirtërore që në një mënyrë ta kujton krijimtarinë e Andersonit.

Kasolla “Crawley Edge Boatshed”, Perth, Australi (foto: James Wong)

Libri i cili kohët e fundit ka hyrë në listën e bestsellerëve të ditores “New York Times”, përfiton nga natyra gjithëpërfshirëse e komunitetit dhe fenomenit “Accidentally Wes Anderson” (ose AWA, siç e quan Koval): “AWA është një kombinim unik i bukurisë, i substancës dhe kontekstit. Është një vend i rrallë ku mund të gjesh biseda rreth një teme, që është diçka pozitive. Unë mendoj se arsyeja se pse është rritur grupi ka të bëjë me shumë faktorë, por një nga ta është se është i hapur për këdo”.

Ashtu si nëpër filma, aty janë historitë e bashkangjitura për secilin imazh, gjë që kanë ndihmuar që AWA të jetë tërheqës për një numër kaq të madh njerëzish në të gjithë botën. “Është një nivel tjetër për secilin nga vendet që shpërndajmë”, thotë Koval. “Historitë prapa fasadës që i bëjnë ato shumë më shumë sesa thjesht një pamje e bukur”.

“Wes Andersoni, aksidentalisht” përmbush nevojën tonë për të parë bukurinë në jetën e përditshme, ose të papriturën. Koval pajtohet. “Dhe, kjo është një ftesë për të parë botën përmes një lente pak më ndryshe, ose të lëvizim mënjanë dhe të marrim diçka nga një perspektivë tjetër… Ka kaq shumë bukuri në çdo ditë tonën – që nga ndërtesat që kalojmë gjatë udhëtimit tonë të mëngjesit e deri te historitë e neglizhuara që kurrë nuk i kemi hetuar sepse… kurrë nuk e dinim se ishin atje”.

Streha, Gleonorqi, Zelanda e re (foto: Frida Berg)

Për fat të mirë, vet Wes Anderson ka reaguar mirë për këtë projekt. “Kur na dha bekimin e tij për të vazhduar tutje, u emocionuam”, thotë Koval. “Por, kur e pa veprën të përfunduar dhe pranoi të shkruante disa fjalë – leximi i atyre paragrafëve të shkurtër ishte vula e përsosur e miratimit në mënyrën më të përsosur.”

Aksidentalisht, Wes Andersoni shtron pyetje interesante në lidhje me faktin kundrejt fiksionit dhe realitetin kundrejt fantazisë. Pra, cili është më i mirë, Wes Andersoni ‘aksidental’ apo ‘aktual’? “E shoh njërin si një zgjatim të tjetrit dhe secilin interesant në mënyrën e tij”, është pikëpamja e Kovalit. Wes Andersoni shprehet në një mënyrë tjetër, në parathënien e tij për këtë libër: “Tash e kuptoj se çfarë do të thotë të jesh aksidentalisht vetvetja. Faleminderit. Jam ende i hutuar se çfarë do të thotë të jesh qëllimisht unë, nëse kjo madje është ajo që unë jam, por kjo nuk ka rëndësi. Unë i përcjell urimet e mia më të mira dhe mirënjohjen për këtë grup, si dhe për zbulimin dhe shpërndarjen e të gjitha këtyre pamjeve të veçanta dhe magjepsëse”. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

Fjala+
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Brenda korridoreve të UNESCO-s, jashtë odës së kombeve

Brenda korridoreve të UNESCO-s, jashtë odës së kombeve

Kulture
Donika Kastrioti, princesha e Arbërit

Donika Kastrioti, princesha e Arbërit

Kulture
MALL

MALL

Poezi
Kalo në kategori