LAJMI I FUNDIT:

Vlera e vërtetë e konceptit të ri strategjik të NATO-s

Vlera e vërtetë e konceptit të ri strategjik të NATO-s
Ilustrim

Michael Ryan
Valbona Zeneli

Komuniteti transatlantik ka një set të vetëm burimesh në dispozicion për të adresuar një seri të gjerë sfidash. Në realitetin e sotëm numri i sfidave kolektive që burojnë nga konkurrenca e fuqive të mëdha, në veçanti me regjimet autoritare është zgjeruar. Nga ana tjetër, shumë sfida të mëparshme janë ende të pazgjidhura. Kjo situatë duhet ta shtyjë komunitetin transatlantik të punojë së bashku me partnerët globalë që burimet e rëndësishme të Perëndimit të aplikohen në mënyrë sistematike dhe efektive për të zgjidhur problemet e shumta me të cilat përballemi, duke vënë në qendër demokracinë si ideologjinë e zgjedhur në botë. Për një multilateralizëm efektiv në alokimin e burimeve për zgjidhjen e shkaqeve themelore të problemeve të sotme, udhëheqësit duhet të vendosin prioritete të qarta, të aplikojnë burimet e nevojshme dhe të përshtatshme, të kuptojnë dhe menaxhojnë rreziqet e zgjedhjeve të tyre dhe të angazhohen për të ndërmarrë vendime kolektive në mënyrë të shpejtë, për një implementim efektiv të agjendes sonë gjithëpërfshirëse të sigurisë.


Koha është thelbësore. Krerët e shteteve të NATO-s, në Samitin e ardhshëm që zhvillohet më 14 qershor, duhet të bien dakord për një agjendë të re strategjike si plan veprimi për një multilateralizëm efektiv dhe të udhëzojnë ministrat e tyre të vendosin përparësi, të alokojnë burime, të përmirësojnë aftësitë e Aleancës në menaxhimin e rreziqeve, matjes së progresit dhe më e rëndësishmja marrjes së vendime konsensuale në kohën e duhur. Siguria e shoqërisë, besueshmëria në demokracinë e bazuar në vlera, prosperiteti ekonomik dhe autonomia e shoqërisë sonë transatlantike kërkojnë një udhëheqje të vendosur.

Vendimmarrja me shpejtësinë e rëndësisë është mënyra më e mirë për të tejkaluar regjimet autoritare që kanë mundësinë të vendosin dhe veprojnë shpejt (në sisteme jodemokratike) e kjo do të kërkojë një përforcim strukturor të themelit të marrëdhënieve transatlantike. Përforcimi i resiliencës shoqërore dhe strukturore dhe uniteti ekonomik dhe financiar transatlantik janë bazë në përcaktimin e agjendës strategjike, si edhe përmirësimin dhe përshpejtimin e vendimmarrjes konsensuale.

Një program veprimi që mund të japë rezultate?

Në Konferencën e Sigurisë së Munihut, në shkurt të vitit 2021, Presidenti Joe Biden do të deklaronte triumfalisht “Amerika është kthyer” (America is back) duke iu drejtuar liderëve europianë se “së bashku, nuk ka asgjë që nuk mund të bëjmë”. Por një nga pyetjet që u shtrua në përfundim të konferencës virtuale ishte: “Amerika është kthyer, por a është kthyer edhe Europa?”. Nëse po, si do ta kuptojmë?

Në të njëjtën konferencë, udhëheqësit europianë u angazhuan për kauzën tonë të përbashkët demokratike, duke shprehur pikëpamjet e tyre në lidhje me komponentët e nevojshëm për përforcimin e unitetit transatlantik, e duke marrë edhe angazhime konkrete. Siç paraqitet edhe në konkluzionet e Konferencës së Sigurisë së Mynihut, a mundet që këto angazhime të përkthehen në “një program veprues që mund të japë rezultate?”. Me fjalë të tjera, si do të behet e mundur që Amerika dhe Europa të ecin së bashku përpara me shpejtësinë e rëndësisë përballë fuqive konkurrente autokratikë dhe të mirëfinancuara?

Në takimin virtual të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të NATO-s që u zhvillua në dhjetor të vitit 2020, diskutimi u përqendrua në konkluzionet e Raportit të Grupit të Reflektimit “NATO 2030: Të Bashkuar për një epokë të re”, e cili paraqet sfidat komplekse dhe kritike, me të cilat përballet komuniteti transatlantik në këtë dekadë. Me konkluzionet dhe rekomandimet e tij, raporti vendoste një steke shumë të lartë për të ardhmen e Aleancës.

Për të përballuar sfidat e shumta, vendet e NATO-s duhet të shkojnë përtej vendimmarrjes konsensuale të “emëruesit të përbashkët më të vogël”, dhe te evoluojnë Aleancën në një organ parashikues, e aftë të marrë vendime përpara se të konfrontohet me nevojat urgjente. Një aftësi më e madhe parashikuese në lidhje me sfidat e së ardhmes, do të bënte që NATO të mbetej aleanca më e rëndësishme ushtarako-politike.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, propozoi në konferencën virtuale të Mynihut, “të bashkojmë forcat në të gjitha sferat dhe ta konsiderojmë sigurinë si një koncept të ndërlidhur, një siguri multidimensionale”. Presidenti francez, Emanuel Macron, ishte edhe më specifik duke u shprehur, “Unë mendoj se kemi nevojë për një multilateralizëm efektiv”, dhe “ne duhet të ndërtojmë një agjendë sigurie, që përfshin rindërtimin e arkitekturës sonë të sigurisë përmes një Koncepti të ri Strategjik të NATO-s”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të përforconte se “ne duhet të demonstrojmë përkushtimin tonë për solidaritetin transatlantik jo vetëm me fjalë, por me vepra”. Më tej, ai do të shprehej “NATO është platforma unike që bashkon Europën dhe Amerikën e Veriut, çdo ditë. Aleatët duhet të angazhohen për këshillime për të gjitha çështjet që ndikojnë në sigurinë tonë”.

Duke pranuar konceptin e sigurinë multidimensionale të Kancelares Merkel, ai do të shprehej se “ne duhet të zgjerojmë qasjen tonë ndaj sigurisë. Kundërshtarët e mundshëm po përdorin të gjitha mjetet që kanë në dispozicion – ushtarake, politike, ekonomike – për të sfiduar institucionet tona, për të dobësuar shoqëritë tona dhe për të minuar sigurinë tonë. Sigurisht, për ta mbajtur popullin tonë të sigurt, na duhet një ushtri e fortë. Por ne gjithashtu kemi nevojë për shoqëri të forta”.

Çfarë vendimesh duhen marrë dhe kur?

Qartësisht, konsensusi po formohet – së paku nga ana retorike – në lidhje me zgjerimin e dialogut të sigurisë, përcaktimin e një agjende specifike të sigurisë globale, dhe nevojën që vendet të punojnë bashkërisht në mënyrë efektive. Në Samitin e ardhshëm të NATO-s, udhëheqësit duhet të udhëzojnë ministrat e tyre të jashtëm, të mbrojtjes, financave e të fushave të tjera që të punojnë së bashku, me qëllim ruajtjen e sigurisë të shoqërive tona, mbrojtjes së mënyrës tonë demokratike të jetesës dhe sigurimit të prosperitetit ekonomik si themel të suksesit tonë.

Ministrat e vendeve të NATO-s, nga ana e tyre, do të duhet të përcaktojnë me kujdes agjendën e sigurisë për komunitetin transatlantik dhe prioritetet e saj, të alokojnë burime të mjaftueshme për secilin prioritet, si edhe të hartojnë planet e duhura për menaxhimin e risqeve aty ku burimet janë të pamjaftueshme. Mbi të gjitha, ata duhet të angazhohen për një vendimmarrje të shpejtë, për t’i dhënë NATO-s dhe mekanizmave kombëtarë kohë të mjaftueshme për përgatitje dhe implementim të detyrave të kërkuara në një qasje multidimensionale.

Si në çdo përpjekje politike, për më tepër në atë multinacionale, vendim-marrja është pjesa më e vështirë. Te nxitur nga realiteti aktual dhe duke konsideruar mundësitë e reja të angazhimit të ripërtërirë transatlantik – një agjendë strategjike, e prioritizuar dhe e fokusuar te burimet në dispozicion, është më se e arritshme. Me një “plan veprimi” të tillë në dorë, vendimmarrja nuk duhet të jetë e vështire. Për këtë, të gjitha vendet duhet të angazhohen për vendimet që duhen marrë, në kohen e duhur, në mënyrë që puna kolektive e Aleancës të vazhdojë me ritmin e kërkuar, pa mbajtur peng diskutimet e ndryshme për “teka” kombëtare.

Koncepti i ri strategjik i NATO-s

Ekziston një nevojë urgjente për përdorimin e të gjithë elementeve të pushtetit transatlantik, në një qasje të ndërlidhur të sigurinë bashkëpunuese, për të ofruar stabilitet multidimensional jo vetëm në vendet e NATO-s, por edhe në rajonet periferike të tyre, në mënyrë që barra e sfidave të përbashkëta të mos tejkalojë shumën e burimeve tona të kombinuara.

Koncepti i ri Strategjik i NATO-s (dokumenti i fundit është miratuar në vitin 2010) do të duhet të jetë gjithëpërfshirës, duke konsideruar të gjitha sfidat e mundshme të sigurisë dhe multidimensional, duke konsideruar të gjitha aspektet e sigurisë.

Ky koncept i ri do të duhet të shkojë përtej thjesht një dokumenti që na rikujton arsyet e ekzistencës së NATO-s dhe punën e saj, në një dokument që duhet të na tregojë se si NATO do të përdorë përparësitë e saj të mëdha për të qenë forumi me i rëndësishëm në të cilin multilateralizmi efektiv parashikon sfidat, përcakton përparësitë e veprimeve, alokon burimet, menaxhon rrezikun dhe merr vendime për të dhënë rezultate reale. Koncepti i ri Strategjik i NATO-s do të duhet të përcaktojë se si NATO do të merret me problemet e shumta të sigurisë duke pasur parasysh burimet ne dispozicion, si dhe të përcaktojë se si NATO do të përshtatet në të ardhmen në këtë konkurrencë në dukje të pafund me një mori sfidash të reja.

Një koncept i tillë gjithëpërfshirës strategjik është thelbësor nëse duam të thyejmë paradigmën tonë të përqendrimit thjesht në çështjet urgjente të momentit, që zvogëlon kapacitetet për t’u fokusuar në përparësitë tona kolektive.

Arkitektura e sigurisë e nevojshme për të implementuar Konceptin e ri Strategjik për të përmbushur agjendën e sigurisë dhe për të mundësuar multilateralizmin efektiv duhet te jetë në gjendje të marrë vendime më shpejt edhe sesa shpejtësia e rëndësisë. Vetëm në këtë mënyrë veprimet e NATO-s do të diktonin kushtet për konkurrentët e saj. Pra, po flasim për një vendimmarrje parashikuese që të mundësojë të gjitha pjesët përbërëse të kësaj arkitekture të veprojnë në mënyrë efektive. Kjo do të lejonte organizimin e duhur, trajnimet e nevojshme dhe përgatitjet për veprimet e duhura.

Teoricieni i famshëm ushtarak prusian, Karl von Clausewitz, shkruante se “Lufta është vazhdimi i politikës me mjete të tjera”, që sugjeron se e kundërta është gjithashtu e vërtetë: “Politika është vazhdimi i luftës me mjete të tjera”. Në konkurrencën e Fuqive të Mëdha, pra, duket se kemi vetëm dy zgjedhje, të jemi fitimtarë politikisht ose të luftojmë ushtarakisht. Ne kemi burimet e nevojshme, kemi retorikën e duhur, duket se kemi gjithnjë e më shumë vendosmëri, por a mund të përmirësojmë rutinat politike të duhura në kohë për të shmangur imperativat e padëshirueshme ushtarake?

Rutina politike fituese kërkon një fokus të ngushtë në integrimin koherent dhe aplikimin në kohë të të gjithë elementeve të fuqisë kombëtare si një Aleancë dhe një komunitet kombesh. Përballë konkurrenteve të vendosur autokratë që përdorin sistematikisht të gjithë elementët e tyre të pushtetit, të koordinuar për të na sulmuar në pjesët tona më vulnerabel dhe kur u ofrohet mundësia, ne nuk kemi zgjidhje tjetër.

Komuniteti transatlantik duhet të zhvillojë aftësinë për të marrë vendime konsensuale rutinë me shpejtësi duke ruajtur konsensus dhe angazhimin e popullsive aleate dhe partnere. Koncepti i ri strategjik i NATO-s është mundësia më e mirë për të azhurnuar mënyrën e punës së NATO-s, por për ta bërë këtë duhet që të gjithë Aleatët të pranojnë realitetin se interesat tona të sigurisë kolektive tejkalojnë përparësitë tona kombëtare. Ky proces i komplikuar do të marrë kohë. Për të garantuar se kemi kohën e mjaftueshme në dispozicion, komuniteti transatlantik duhet të punojë urgjentisht për të siguruar që të jemi resilientë, të unifikuar dhe autonomë si komunitet transatlantik. Vetëm kështu do të mbetemi zotë të fatit tonë.

Ironikisht është proverbi kinez “një udhëtim prej një mijë miljesh fillon me një hap të vetëm”, që është inkurajimi më i përshtatshëm për komunitetin transatlantik të nisë tani një rrugë kaq revolucionare dhe të domosdoshme, siç kërkon edhe çështja e fuqizimit të Kinës. Samiti i NATO-s që zhvillohet në pak javë duhet të jetë hapi i parë.

(Michael Ryan ka shërbyer si zëvendësasistentsekretari i Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe të NATO-s të ShBA-së prej tetorit 2019 deri në tetor 2020. Valbona Zeneli është profesoreshë e studimeve të sigurisë dhe drejtore e Departamentit të Iniciativave Strategjike në Qendrën Evropiane të Studimeve të Sigurisë, George C. Marshall (Marshall Center). Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorëve dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politikën zyrtare të Marshall Center, të Departamentit të Mbrojtjes apo qeverisë së ShBA-së)

Në trend

Më shumë
Tjetër fitore për Ukrainën: Rusia tërheq nga vijat e frontit dhjetëra aeroplanë luftarak

Tjetër fitore për Ukrainën: Rusia tërheq nga vijat e frontit dhjetëra aeroplanë luftarak

Botë
Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime

Magazina
Laporta shumë nervoz pas humbjes me Gironan – ai bërtiti vetëm me pesë fjalë, humbja mund t'i kushtojë miliona euro Barcelonës

Laporta shumë nervoz pas humbjes me Gironan – ai bërtiti vetëm me pesë fjalë, humbja mund t'i kushtojë miliona euro Barcelonës

La Liga
Shikoni videon që riktheu shpresën në Kiev, 42 tanke dhe mjete luftarake ruse shkatërrohen në Donetsk

Shikoni videon që riktheu shpresën në Kiev, 42 tanke dhe mjete luftarake ruse shkatërrohen në Donetsk

Evropa
Larg Meritonit me pushime në Itali, turisti e pyet a je e famshme? - Ilnisa Agolli jep përgjigjjen interesante

Larg Meritonit me pushime në Itali, turisti e pyet a je e famshme? - Ilnisa Agolli jep përgjigjjen interesante

Magazina
Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer

Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer

Lajme
Kalo në kategori