LAJMI I FUNDIT:

Vazhdojnë polemikat dhe arrestimet një ditë pas protestës së opozitës

Vazhdojnë polemikat dhe arrestimet një ditë pas protestës së opozitës

Në Tiranë vazhdojnë arrestimet edhe komentet politike një ditë pas protestës së opozitës në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” para kryeministrisë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se do të propozojë në grupin parlamentar djegien e mandateve parlamentare, të cilën e quajti si një mesazh që erdhi nga protesta.

Sipas tij, protesta mbështeti kërkesën e opozitës për një qeveri tranzitore, zgjedhje të parakohshme dhe qeveri legjitime.


Zoti Basha tha se Partia Demokratike nuk do jetë më fasadë e një parlamenti të dalë nga zgjedhje, që i ka diktuar krimi.

Kështu nuk vazhdohet më, kupa është mbushur dhe është derdhur, thika ka shkuar në palcë dhe koha e fjalëve ka mbaruar.

Lidhur me propozimin e zotit Basha për djegien e mandateve opozitare në parlament pritet edhe reagimi i LSI-së, e cila më parë ka qenë kundër kësaj ideje, si edhe aleatëve më të vegjël opozitarë.

Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se opozita po ndjek një politikë qorre, që e goditi Shqipërinë në sytë e botës dhe u dha material atyre që janë kundër negociatave me BE-në.

Policia në Tiranë bëri të ditur se ka arrestuar 15 persona pas protestës së djeshme të opozitës për “Kundërshtim të policisë”, “Goditje në detyrë”, “Shkatërrim prone” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Mijëra përkrahës të opozitës morën pjesë dje në një protestë para selisë së qeverisë në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”.

Por para se të nisnin fjalimet, nisi përplasja e policisë me qyetarë të irrituar, që sulmuan portën e kryeministrisë.

15 personat e arrestuar janë shumica nga Shqipëria e mesme, ndërsa në kërkim policor edhe 7 të tjerë, ndërsa 5 qytetarë u proceduan në gjendje të lirë.ps