LAJMI I FUNDIT:

Vazhdojnë bisedimet për formimin e Qeverisë së re, në Kuvend sot mbahet koordinimi i parë

Vazhdojnë bisedimet për formimin e Qeverisë së re, në Kuvend sot mbahet koordinimi i parë

Koordinimi i parë i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi me përfaqësues të partive politike parlamentare do të mbahet sot në Kuvend. Ky është koordinimi i parë pas seancës konstituive.

Ndërkohë Gashi ka theksuar dje për AIM se në takimin e sotëm koordinues do të diskutohet për aktivitetet e radhës, se kur mund të mbahet seanca për ligjet që kanë të bëjnë me ndryshimet e ministrive në Qeveri, megjithatë ai shprehet se nuk e di nëse do të ketë një marrëveshje paraprake për këtë.

Kuvendi duhet të miratojë ndryshimet ligjore në Ligjin e ri për organizimin e punës së organeve të administratës shtetërore dhe sipas tij të miratohet qeveria e re e riorganizuar dhe të zgjidhen anëtarët e saj.

Gjithashtu, ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe Kodin Zgjedhor, për të gjetur një zgjidhje kalimtare, për të mos shpallur zgjedhjet vetëm për një afat disa mujor, pra deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale në të gjithë vendin. Ndryshimet në këto ligje kërkojnë një shumicë prej dy të tretash.