LAJMI I FUNDIT:

“Unioni” më në fund po rindërtohet?

E mirëprita lajmin në shtypin ditor se “pas shumë zvarritjesh”, këto ditë kanë filluar punimet për rikonstruktimin e ish-Hotel “Unionit”. Si objekt i rëndësishëm i identitetit urban të kryeqytetit të Kosovës, ky veprim me siguri duhet të jetë ditë e shënuar në historikun e Prishtinës, e cila është “mbushur mend” të vlerësoi objektet të cilat direkt ndikojnë në identitetin urban të saj.

Objekt i cili u ndërtua në shekullin e kaluar, nga biznesmenët e huaj, dhe i cili i shërbeu së pari pronarit me kafe-restorantin dhe bujtinën (pjesën e banimit), pastaj shqiptarëve e po ashtu edhe serbëve varësisht nga rrethanat politike të kohës, është simbol i ekzistencës së popullit shqiptar në këto hapësira.


Kompania “Beneton Group”, me një ekzekutues të punimeve (“Stenda”) ka filluar rindërtimin e objektit i cili ishte dëmtuar gati tërësisht, si pasojë e zjarrit në vitin 2009. Më në fund është ky një lajm i mirë, paksa detyrues, pasi blerësi i parë shqiptar me mençuri ia shiti objektin një firme të njohur italiane, e cila gjithsesi do të gëzonte të drejtën në pronë me arbitrazh ndërkombëtar.

Ishte fat i mirë që Komuna e Prishtinës u detyrua të “dorëzohet”, përderisa më herët kishim deklarata jo serioze të disa profesionistëve, të cilët as që mendonin të ballafaqoheshin me këtë “gangrenë” të qytetit të Prishtinës. Propozonin rrënimin e tërësishëm të Unionit: pasi kryeqyteti ishte degraduar aq shumë me ndërtime pa leje, “nuk bohet kiameti” të zhduket edhe një objekt. Apo, kishte të tjerë që dilnin në opinion me propozime absurde se ka mundësi të dislokohet objekti, duke harruar realitetin e ithët që i ka ngjarë popullit shqiptar të Kosovës në disa periudha të mbijetesës nga regjimi serb.

Të gjithë këta “ekspertë” edhe sot mbajnë funksione të rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore në Prishtinë dhe në Kosovë.

Uroj dhe i përgëzoi edhe ata që ishin për ruajtjen e objektit, pa e kuptuar së përse është i rëndësishëm identiteti urban i këtyre hapësirave të Prishtinës.

Është ky një ngadhënjim i arsyes së shëndoshë, shoqërisë civile e cila e bëri një demonstrim pakënaqësie qytetare dhe një peticion. Edhe profesionistët shumë të rrallë shqiptarë, publikisht dhe me shkrime të ndryshme, me forcën e argumenteve kanë argumentuar se përse duhet mbrojtur këtë objekt. Trashëgimia kulturore e ndërlidhur me identitetin tonë si popull, gjithnjë është minimizuar nga të tjerët me shekuj. Ajo çka ndodhi në vitet e pas luftës në Kosovë, nuk besoj që ka kokë normale që mundet ta shpjegoi apo arsyetoj.

Me dorën tonë kemi asgjësuar, rrënuar shumë shenja të kaluarës që ishin argumente bindëse se kush jemi ne shqiptarët. Janë zhdukur shumë tërësi urbane në tërë Kosovën, janë rrënuar shumë objekte kulti. Ka edhe shumë çështje tjera arkeologjike dhe arkitektonike që specialistët e trashëgimisë kulturore me vite i kanë potencuar, por çuditë neglizhenca dhe injorimi i organeve vendimmarrëse në Kosovë. Andaj, rindërtimi i Unionit do të jetë një shtytje, një inkurajim për të mbrojtur edhe objektet tjera të shumta të trashëgimisë kulturore, të cilat ma së miri tregojnë identitetin tonë urban.

Rindërtimi i “Unionit” e vërteton dhe e tregon një të vërtetë, e cila ka ndodhur edhe në shoqëritë që sot njihen si progresive: zëri i arsyes dhe i komunitetit do të triumfoj gjithnjë, nëse kërkesat e tyre janë realiste dhe të sinqerta. Ndoshta do të ketë pengesa të mëdha, por interesat e përbashkëta të shoqërisë do të respektohen.

Kjo tregon se me vendosjen e një rregulli urbano-rural në vendbanimet tona, do të përfitojnë të gjithë, e jo vetëm ata që e kanë përkrahjen e vendimmarrësve dhe po mendojnë se po kanë përfitime të mëdha. Historia e njerëzimit ka treguar së mu ata do të jenë humbësit ma të mëdhenj, pasi pasardhësit e tyre do të sanksionohen të parët në xhunglën urbano-rurale që paraardhësit e tyre të papërgjegjshëm e kanë krijuar.

Mbikëqyrja e punimeve rindërtuese (personalisht nuk pajtohem me termin rikonstruktim), pas dëmtimeve të mëdha pas zjarrit, nuk guxon të mbesë vetëm në deklarata, memorandume, apo të kërkohet nga Investitori apo ekzekutuesi i punimeve të respektohen marrëveshjet dhe rekomandimet e autoriteteve lokale dhe qendrore të vendit. Këto çështje nuk funksionojnë me komisione të përbashkëta në mes Komunës dhe Ministrisë si dhe institucioneve që merren me monumentet e mbrojtura, e që do të formohen për t’i përcjellë punimet.

Të gjithë pretendojnë të mbrojnë qëndrimet e tyre – si Komuna e Prishtinës apo Ministria e Kulturës – që duhet të bëhet një rindërtim i mirëfilltë i ish hotel “Unionit”. Kjo mundet të arrihet vetëm me një ekip profesional mbikëqyrës neutral, punën e të cili do ta përcillte pushteti qendror apo ai lokal, ndaj të cilëve ky ekip mbikëqyrës duhet të ketë obligime dhe përgjegjësi profesionale. Këto janë praktika të shëndosha ndërkombëtare të cilat jemi të obliguar t’i respektojmë nëse dëshirojmë të jemi pjesë e shoqërisë përparimtare.

Nuk është në nderin e komunës së Prishtinës të injorohen tërësisht organet shtetërore të nivelit komunal dhe qendror, siç është Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, organi më i lartë në vend për trashëgimi kulturore. Këshillat dhe rekomandimet e tij duhen të jenë obliguese për tërë territorin e Kosovës. Për këto çështje ky Këshill është konstituuar nga ana e Kuvendit të Kosovës.

(Autori është Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës – KPHK)