LAJMI I FUNDIT:

“Udha e shkronjave” në luginë

“Udha e shkronjave” në luginë

Deri dje, patën kaluar 6 muaj që tekstet mësimore në gjuhën shqipe nga Republika e Kosovës që ishin destinuar për fëmijët shqiptarë që jetojnë në Luginë, dhe më në fund ato u kthyen mbrapshtë në Kosovë, pasi sipas autoriteteve serbe nuk i plotësonin kushtet të futen në territorin serb.

Nuk është hera e parë që autoritet kosovare dështojnë në raport me Serbinë për iniciativat kinse humanitare në lidhje me Luginën e Preshevës. Mjaftojnë të përmenden vetëm këto të viteve të fundit, të cilat vetëm ngelen në sferën e brishtë të premtimeve, si p.sh Rezoluta e Parlamentit të Kosovës për Luginën, aktivitet kinse për reciprocitet me serbet e Kosovës, Zyra për Luginën, 100,000 euro për maternitetin të premtuara nga dy qeveritë, fondi 450.000 euro i Ministrisë së Kulturës etj.


Por, në këtë rast, dështimi më i madh i takon vetë përfaqësuesve politik të Luginës, të cilët fatkeqësisht gëzojnë legjitimitetin institucional të manipuluar nga ai 40 për qind i popullatës shqiptare që historikisht merr pjesë nëpër zgjedhje.

Për ata, nuk është si duket maja e turpit edhe kjo e librave në gjuhën shqipe, sikur nuk qe edhe rasti me Lapidarin e dëshmorëve të kombit, përdorimi i lirë i simboleve kombëtare, asociacioni, e shumë e shumë çështje nacionale, që politikanet e Luginës nuk dëshirojnë as edhe një grime t’ia dinë.

Për librat shqip, dikur shqiptarët sakrifikuan gjithçka, sepse ato vërtetë janë piedestali i esencës së kombit tonë. E, një Këshill Kombëtar i Shqiptarëve, si ky i Luginës, që organizoi një protestë të dështuar për librat në fjalë, organ ky që është juridikisht legjitim nga autoritet serbe, e praktikisht as edhe një punë më të vogël nuk e kryen, sidomos kur është fjala për procese nacionale, pos atyre benefiteve dhe honorarëve që anëtarët e tij marrin si paga, për shpërblim nga Serbia që s’kryejnë asnjë punë.

Situata e librave shumë lehtë mundë të zgjidhej. Librat qenë të ndaluara në terminalin doganor të Preshevës, ku gati 100 për qind e popullsisë lokale janë të nacionalitet shqiptar. Përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar është dashur me kohe ato libra t’i marrin ilegalisht nga terminali, sepse një gjë e tillë ka qenë shumë e mundshme, sidomos gjate natës, meqë sasia e librave nuk ka qenë e jashtë zakonshme. 100,000 tekste shkollore kanë mundur shumë lehtë t’i marrin nga kamionët e parkuar. Kësisoj nuk i kishin lënë librat të kalben dhe përfitimet kishin me qenë të dyanshme. Edhe nxënësit shqiptarë do të pajiseshin me tekstet shqipe, edhe autoritetet kosovare s’kishin pasur nevojë për të paguar rreth 80,000 euro qera për librat e tyre dedikuar vëllezërve në Luginë.

Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe politikanët që kanë mandat me votën e vjedhur e të manipuluar, të atyre 40 për qind të shqiptarëve, këtë kanë për sakrificë e obligim. Ata nuk paguhen vetëm të hanë dhe të pinë, e të gëzojnë privilegje të shumta, me paranë publike, qoftë ajo edhe e armiqve serb.

E, derisa kemi një Këshill të tillë dhe politikan të tillë në skenë, shfaqjet e tilla tragjikomike do t’i kemi përgjithmonë. Komikja do të përfaqësojë këta individ, të cilët duke qeshur dhe përqeshur po shkaktojnë tragjedinë më të madhe të kombit shqiptar. Atë të shfarosjes së Luginës se Preshevës.