LAJMI I FUNDIT:

U vu gurthemeli i shtëpisë së Teatrit, Operës dhe të Baletit “Dr Ibrahim Rugova”

U vu gurthemeli i shtëpisë së Teatrit, Operës dhe të Baletit “Dr Ibrahim Rugova”

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Kulturës i Rinisë dhe i Sporteve, Valton Beqiri, familja e Presidentit Rugova dhe përfaqësues të shumtë të institucioneve, të partive politike si dhe të artit e të kulturës në përgjithësi- morën pjesë në vënien e gurthemelit të shtëpisë të Teatrit, Operës dhe të Baletit “Dr Ibrahim Rugova”, në afërsi të Fakultetit Teknik në Prishtinë.

Duke e vlerësuar ditën e sotme si një ditë të veçantë për të gjithë, Sejdiu theksoi se Shtëpia e Teatrit, Operës dhe e Baletit shënon kulmin e pjekurisë kulturore dhe shtetërore të një vendi dhe se investimi për të bërë këtë objekt, që ka qenë projekt edhe i presidentit Rugova, shënon një hap të rëndësishëm të përmbylljes të gjithë asaj pjese të peripecive për të ardhur në ditën e sotme.

“Njerëzit e Kosovës, njerëzit e kulturës dhe të artit, miqtë tanë nëpër botë që do t’i kemi në Kosovë, do të kenë mundësi më të mirë për të ekspozuar vlerat e tyre”, theksoi presidenti.

Përcaktimi që t’i epet emri i njeriut të madh të Kosovës, presidentit Rugova, vijoi Sejdiu, është po ashtu një përkushtim paralel i të gjithëve që të çojmë edhe kështu një pjesë të amanetit të tij, jo vetëm për njeriun e letrave jo vetëm për njeriun e krijimtarisë së madhe, jo vetëm për hulumtuesin e lashtësisë sonë, por në të njëjtën kohë për njeriun që vuri themelet e shtetit të Kosovës.


Gjithashtu, Presidenti shprehu besimin e tij se investimet që do të bëhen, njerëzit që do të merren me punën e kryerjes së objektit, do të kenë përgjegjësinë më të madhe që kjo të shkojë shpejtë dhe mirë. /Telegrafi/