LAJMI I FUNDIT:

Tridhjetë drama synojnë çmimin “Katarina Josipi”

Tridhjetë drama synojnë çmimin “Katarina Josipi”

Tridhjetë drama ia kanë mësyrë çmimit “Katarina Josipi” në kuadër të konkursit për dramë origjinale shqipe. Janë emra të njohur të dramës shqipe konkurrentë për këtë çmim, i cili vitin e kaluar u aktivizua pas pauzës pre gati dy dekadash.

Drejtori artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka thënë se dramaturgë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora i janë përgjigjur konkursit.

“Kemi më shumë drama pjesëmarrëse nga Shqipëria, sesa nga Kosova”, ka thënë Jeton Neziraj, drejtor artistik i TKK-së, teksa ka shtuar se këtë vit kanë konkurruar edhe autorë shqiptarë nga SHBA-ja.

Ndër emrat që kanë konkurruar në këtë konkurs janë Stefan Çapagjiku, Alfred Rahusha e Kliton Nesturi nga Shqipëria. Ndërkaq kanë konkurruar edhe dramaturgët e njohur kosovarë Ekrem Kryeziu, Fadil Hysaj, e Arian Krasniqi.


Listën e plotë të atyre që kanë konkurruar Neziraj thotë se do ta bëjnë publike të hënën. Të njëjtën ditë, sipas tij, do të caktohen përfundimisht edhe emrat e anëtarëve të jurisë që do të vendosë për fituesit.

“Juria vlerësuese është propozuar, por të hënën do të mblidhet Këshilli drejtues i TKK-së dhe përfundimisht do të caktohet përbërja e saj”, ka thënë Neziraj.

Në bazë të vendimit të Ministrit të Kulturës, përbërjen e jurisë e përcakton Drejtori Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, ndërkaq kjo përbërje miratohet nga Këshilli Drejtues i këtij teatri.

Kryetari i Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, ka konfirmuar se mbledhja do të mbahet të hënën kur, ndër të tjera, do të diskutohet edhe për emrat që do të përbëjnë jurinë vlerësuese.

“Do të marrim propozimet dhe do të caktojmë emrat e jurisë vlerësuese”, ka thënë shkurt Brahimaj.

Juria do të vendosë për fituesit e tri çmimeve të këtij konkursi. Çmimi i parë shpërblehet me 3 600 euro, çmimi i dytë me 2 600 dhe çmimi i tretë me 1 200 euro. Ndarja e çmimit “Katarina Josipi” tradicionalisht bëhet më 27 mars. /Koha/