LAJMI I FUNDIT:

Treni arrin shpejtësinë gati 500 km/h

Treni arrin shpejtësinë gati 500 km/h

Treni testues i udhëtarëve në Kinë të premten arriti shpejtësinë rekorde prej 486 km/h gjatë një testi të vozitjes para hapjes së linjës së re hekurudhore ndërmjet Pekinit dhe Shangait- njoftoi agjencia kineze e lajmeve Xinhua.

Kjo është shpejtësia më e madhe e regjistruar e një treni standard dhe të pamodifikuar të udhëtarëve edhe pse lloje tjera të trenave në disa vende kanë arritur edhe shpejtësi më të madhe.

Televizioni shtetërorë kinez shfaqi pamjet e trenit të bardhë elegant i cili shihet duke kaluar si shigjetë nëpër fushat e gjelbra të Kinës lindore.

Në relacionin e gjatë 1.318 kilometra, rekordi prej 486 kilometra në orë është arritur ndërmjet qyteteve Zaozhuang në provincën Shandong dhe qytetit Bengbu në provincën Anhui.


Treni i ri i shpejtë në relacionin Pekin-Shangai, pritet të fillojë në vitin 2012, ku koha prej pesë orë udhëtimi do të shkurtohej përgjysmë në këtë relacion. /Telegrafi/