LAJMI I FUNDIT:

Trashëgimia e shteteve në të drejtën ndërkombëtare, RSFJ-ja, Serbia dhe Kosova

Bashkësia Evropiane, me qëllimin që ta ndërpresë konfliktin mes serbëve e kroatëve dhe ta pengojë përhapjen e tij gjetiu nëpër ish-Jugosllavi, më 27 gusht 1991, përkatësisht më 3 shtator 1991 themeloi Konferencën për Paqe në Jugosllavi. Mandati për ta kryesuar këtë konferencë iu besua Lordit Carrington.

Në konferencë morën pjesë të gjitha republikat e Jugosllavisë, por jo edhe krahinat. Kjo sepse, siç thotë Lordi Carrington në një intervistë të dhënë në gusht të vitit 1992, Konferenca për Paqe në Jugosllavi ishte e obliguar që të gjitha zgjidhjet t’i kërkonte brenda kufijve ekzistues, e meqë Kosova ishte pjesë e Republikës së Serbisë, problemi i saj shikohej brenda këtyre kufijve.


Ç’është e vërteta, siç e thotë Richard Caplan në librin e tij Europe and the Recognition of the New States in Yugoslavia, Lordi Carrington e përjashton Kosovën nga ky proces për ta siguruar pjesëmarrjen e Slobodan Millosheviqit. Sidoqoftë, më pas, Konferenca për Paqe në Jugosllavi e themeloi Komisionin e Arbitrazhit të përbërë nga pesë juristë, që të gjithë presidentë të gjykatave kushtetuese të vendeve të BE-së. Ky Komision, i udhëhequr nga juristi francez Robert Badinter, prej 29 nëntorit 1991 e deri më 13 gusht 1993 lëshoi 15 mendime, të cilat do të kenë ndikim në të ardhmen e RSFJ-së.

Në mendimin e parë të datës 29 nëntor 1991, thuhet se ish-Jugosllavia gjendet në procesin e shpërbërjes dhe se nuk i plotëson kriteret e pjesëmarrjes dhe të përfaqësimit, të domosdoshme për një shtet federal. Nisur nga kjo gjendje, vetëm republikat, e jo edhe entitetet territoriale të tipit autonom, u cilësuan si entitete me të drejtën e shkëputjes, e për rrjedhojë edhe me të drejtën e trashëgimit të ish-RSFJ-së.

Serbia konsideronte se republikat që kishin shpallë pavarësinë ose sovranitetin, në fakt ishin shkëputë nga RSFJ-ja, e cila sipas saj vazhdonte së ekzistuari. Porse, Badinteri në mendimin numër 10 thotë se RFJ-ja (Sërbia dhe Mali i Zi) është shtet i ri dhe nuk mund të konsiderohet si trashëgimtare e vetme e RSFJ-së. Komisioni i Arbitrazhit konsideron se shtetet trashëgimtare të RSFJ-së janë: Republika e Kroacisë dhe Republika e Sllovenisë, 8 tetor 1991; Republika ish-Jugosllave e Maqedonisë, 17 nëntor 1991; Republika e Bosnje-Hercegovinës, 6 mars 1992, dhe Republika Federale e Jugosllavisë (Serbia dhe Mali i Zi), 27 prill 1992.

Sipas Komisionit të Arbitrazhit, trashëgimi i shteteve nënkupton zëvendësimin e një shteti me një tjetër në përgjegjësinë për marrëdhëniet ndërkombëtare të territorit dhe kjo shfaqet kurdo që ka ndryshim në territorin shtetëror. Fenomeni i trashëgimit të shteteve udhëhiqet nga parimet e të drejtës ndërkombëtare: Konventa e Vjenës mbi Trashëgiminë e Traktateve Ndërkombëtare të 23 gushtit 1978 dhe Konventa e Vjenës mbi Trashëgiminë e Pronës, Arkivave dhe Borxhit e 8 prillit 1983. Këto konventa nuk kërkojnë që çdo kategori e aseteve ose e borxheve të ndahet në pjesë të barabarta, por vetëm që rezultati
i përgjithshëm të jetë një ndarje e drejtë dhe shtetet e përfshira të jenë të lira t’i përcaktojnë kushtet dhe përmbajtjen me marrëveshje. Projekt Lista e Veçantë e Aseteve dhe Borxheve të RSFJ-së, e përpiluar nga Grupi Punues i Konferencës për Paqe në Jugosllavi, i ndan Asetet dhe Borxhet në dy kategori: 1. njësitë trashëgimore rreth të cilave ka pajtueshmëri mes palëve dhe 2. ato rreth të cilave pajtueshmëria nuk ekziston.

Dhjetë vjet më vonë, më 29 qershor 2001, mes Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Sllovenisë dhe Republikës Federale të Jugosllavisë (Unioni Sërbi dhe Mali i Zi që formalisht përfshinte edhe Kosovën në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të datës 10 qershor 1999) u nënshkrua një marrëveshje që u quajt Agreement on Succession Issues (Marrëveshja për Çështje Trashëgimi). Kjo marrëveshje e mbylli procesin e trashëgimit të RSFJ-së. Sipas saj, pesë republikat nënshkruese janë titullare të barabarta në procesin e trashëgimit së RSFJ-së. Natyrisht, në këtë marrëveshje Kosova nuk përmendet askund. Marrëveshja e precizon ndarjen e pronës së tundshme dhe të patundshme të RSFJ-së; të pronës së përfaqësive diplomatike e konsullore të RSFJ-së; të aseteve dhe të detyrimeve financiare të RSFJ-së; të arkivave të RSFJ-së; të pensioneve të ish-shtetasve të RSFJ-së; të pronës private dhe të të drejtave të fituara të personave privatë, fizikë e juridikë të RSFJ-së.

Gati pesë vjet më vonë, në nëntor të vitit 2005, fillojnë negociatat mes Unionit Serbi-Mal i Zi (më pas Republikës së Serbisë) dhe Kosovës për përcaktimin e statusit të ardhshëm politik të Kosovës, të ndërmjetësuara nga i dërguari special i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari. Më 2 shkurt 2007 Martti Ahtisaari i dorëzon Beogradit dhe Prishtinës Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të cilin Kosova e aprovon kurse Serbia e refuzon.

Sipas këtij propozimi, Kosova merr përsipër pjesën e vet të borxhit ndërkombëtar të Republikës së Sërbisë – pra, jo të Jugosllavisë, sepse sikundër u tha më sipër, ky proces ishte mbyllë. Këtu përfshihet borxhi ndaj Bankës Botërore dhe kreditorëve të Klubit të Parisit dhe të Klubit të Londrës. Propozimi i Martti Ahtisaarit thotë se pjesa e borxhit të Kosovës do të përcaktohet nëpërmjet negociatave mes Kosovës dhe Republikës së Sërbisë, duke pasë parasysh parimet e caktimit të borxhit të jashtëm në rastin e trashëgimit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Sipas Propozimit të Martti Ahtisaarit, për sa kohë që borxhi nuk rindahet me marrëveshje, Kosova do t’ia kompensojë Republikës së Sërbisë pjesën e caktuar të borxhit të vet.

Siç dihet, një vit pas aprovimit të Deklaratës së ‘Pavarësisë’, Kosova u anëtarësua në Bankën Botërore dhe mori përsipër që këtij institucioni t’i paguajë borxhin i cili kap vlerën rreth 381 milionë euro. Kësti i parë prej 9.2 milionë eurosh u pagua para disa javëve, kurse në mes të muajit mars të vitit vijues duhet të paguhet kësti i radhës. Në bazë të marrëveshjes Kosova do të paguajë 26 milionë euro çdo vit, e për këtë ajo ndihmohet nga shumë vende me donacione për shlyerje borxhi, nga të cilat më së shumti ka dhënë ShBA-ja: 125 milionë dollarë amerikanë.

Përveç borxhit, Propozimi i Martti Ahtisaarit përmend edhe arkivat duke thënë se ato, përfshirë këtu regjistrat kadastralë dhe dokumentet e lidhura me Kosovën, të nevojshme për administrimin normal të Kosovës, duhet të kthehen në Kosovë brenda gjashtë muajve të hyrjes në fuqi të këtij propozimi dhe derisa pritet që arkivi të kthehet, Republika e Sërbisë duhet të lejojë qasje të lirë, të shpenguar dhe efektive në të. Por, sikurse dihet, kjo nuk është duke ngjarë. Siç u vu në dukje edhe më sipër, Propozimi i Martti Ahtisaarit përmend ndarjen e borxhit dhe të arkivave, por, ç’është më e rëndësishmja, nuk e përmend ndarjen e pasurisë.

Më 17 dhe 18 shtator 2009 në Beograd u mbajt takimi mes shteteve trashëguese të RSFJ-së, me ç’rast Përfaqësuesi i Lartë për Trashëgimi i Sërbisë, Gaso Knezevic, tha se 95% e aseteve të RSFJ-së janë distribuuar tek shtetet trashëguese dhe se çështjet e pazgjidhura kishin të bënin me monedhat e vjetra të huaja, llogaritë e kursimeve, bankat e përziera, pronat ushtarake dhe arkivat shtetërore. Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet ta ketë të qartë se procesi i trashëgimit të RSFJ-së – e edhe ai i trashëgimit të RFJ-së dhe të Unionit Sërbi-Mali i Zi – ka marrë fund një herë e mirë. Duke e pasë parasysh këtë, Kosova duhet
të arrijë një marrëveshje me Republikën e Serbisë lidhur me ndarjen e pasurisë, të arkivave dhe të borxhit të jashtëm që RFJ-ja, por jo edhe republikat e tjera, e ka marrë nga RSFJ-ja në emër të Kosovës. Nëse kjo marrëveshje rezulton e pamundshme, atëherë Grupi Drejtues Ndërkombëtar do të duhej ta emëronte një arbitër ndërkombëtar.

Letonia, Lituania dhe Estonia patën refuzuar të merrnin pjesë në procesin e trashëgimit të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS), i cili u definua në marrëveshjen e bërë në Alma Ata (kryeqytetin e dikurshëm të Kazakistanit), me arsyetimin se në rast se do ta pranonin trashëgimin të BRSS-së, sikurse kish kërkuar Rusia, atëherë do të pranonin edhe se kishin qenë themelues të BRSS-së e jo vende të okupuara prej saj. Nëse Kosova shi për këtë arsye nuk është e interesuar që ta bëjë ndarjen e aseteve dhe të pasurisë, atëherë nuk do të duhej të pranonte as ndarjen e borxhit. /Marrë nga Shqip/

Në trend

Më shumë
Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Lajme

"E pabesueshme, qesharake, absurde...", reagimet ndaj deklaratës së Borrellit, se mezi pret të punojë me qeverinë e re të Serbisë

Botë
Nuk pajtohet me Ancelottin, mbrojtësi i Real Madridit ka gjetur destinacionin e ri

Nuk pajtohet me Ancelottin, mbrojtësi i Real Madridit ka gjetur destinacionin e ri

La Liga
U përfol se u ndanë për të shpëtuar pasurinë, Bes Kallaku jep përgjigjjen përfundimtare

U përfol se u ndanë për të shpëtuar pasurinë, Bes Kallaku jep përgjigjjen përfundimtare

Magazina
Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Magazina
Çfarë pyetje u bëhen qytetarëve në diasporë për regjistrim?

Çfarë pyetje u bëhen qytetarëve në diasporë për regjistrim?

Lajme
Kalo në kategori