LAJMI I FUNDIT:

Trajtimet e reja teknologjike që mund të përmirësojnë shëndetin mendor

Trajtimet e reja teknologjike që mund të përmirësojnë shëndetin mendor
Ilustrimi: Efi Chalikopoulou / FT

Nga video-lojërat te avatarët personalë, studiuesit po përpiqen të zhvillojnë një gjeneratë të re të mjeteve dixhitale që nuk përfshijnë marrjen e ndonjë ilaçi ose terapie.

Burimi: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Irene Jimenez Padilla vuante vazhdimisht nga rikthimet e traumave nga koha kur ishte infermiere gjatë pandemisë së koronavirusit. Pastaj, një lojë kompjuterike me enigma ndryshoi gjithçka.


Padilla ishte pllakosur nga kujtimet e përqendruara te pacientët që kishin vdekur në mënyrë të dhimbshme para syve të saj në spitalet “Guy’s” dhe “St Thomas” në Londër. Imazhet riktheheshin vazhdimisht si një “mizë e bezdisshme që vjen, përsëri dhe përsëri, duke gumëzhitur, gumëzhitur, gumëzhitur”, kujton ajo.

Ajo e kishte të pamundur t’i kontrollonte këto kujtime shqetësuese derisa u regjistrua për një terapi inovative të bazuar në lojën Tetris. Pas disa javësh – duke luajtur lojën që përfshin rrotullimin e blloqeve me forma dhe ngjyra të ndryshme që ato të përshtaten së bashku – ndryshimi ishte dramatik. Ajo prapë i kujtonte ngjarjet e kohës së koronavirusit, por nuk i përjetonte më në mënyrën që i shkaktonin ankth të thellë.

“Ishte kaq efektive”, thotë ajo për efektin qetësues dixhital që Tetris i ofroi. “Të gjitha ato fytyra, të gjitha ato zhurma – janë zhdukur”.

Metoda Tetris është pjesë e një kufiri të ri të trajtimeve të shëndetit mendor që përdorin teknologji të reja dhe të cilat që në fazat e para po ofrojnë rezultate premtuese dhe mundësi të reja.

Të motivuar pjesërisht nga kufizimet e trajtimeve ekzistuese – kryesisht me ilaçe ose terapi me psikologë – shumë studiues po përpiqen të zhvillojnë mjete dixhitale për trajtimin e shëndetit mendor.

Miranda Wolpert, drejtoreshë e shëndetit mendor në fondacionin bamirës “Wellcome”, thotë se gjenerata e re e teknikave premton të jetë më e qasshme, më e shkallëzuar dhe potencialisht transformuese për pacientët.

“Tani ndodhemi në një pikë kthese”, thotë Wolpert. “Llojet e ndërhyrjeve në shëndetin mendor, që do të shihni pas pesë vitesh, mund të duken krejt ndryshe nga ato që shihni tani”.

Ashtu si zgjidhjet e tjera novatore për problemet e ndërlikuara shëndetësore, këto teknologji janë në faza të ndryshme të pranimit nga rregullatorët, klinicistët dhe – më e rëndësishmja – pacientët. Në shumë raste, do të nevojiten studime shumë më të mëdha për të provuar efektivitetin dhe vlerën e tyre përballë kostos që kanë.

Por, mbështetësit e këtyre trajtimeve të reja besojnë se ka një boshllëk të madh që pret të mbushet, sepse nevojat e shtuara globale për shëndetin mendor po i tejkalojnë burimet e qasjeve tradicionale terapeutike. Disa sëmundje, si skizofrenia, mbeten veçanërisht të vështira për t’u trajtuar.

Ndikimi i psikoterapisë, megjithëse shpesh i dukshëm, mund të jetë i vështirë për t’u matur objektivisht dhe zakonisht nuk monitorohet për një kohë të gjatë. Gjithashtu, është e kushtueshme dhe kërkon shumë kohë për shumë pacientë.

Ndërkohë, ka pasur përparim të ngadaltë në zbulimin e ilaçeve të reja për problemet e shëndetit mendor. Kur rregullatorët amerikanë miratuan në shtator ilaçin për skizofreninë, KarXT, kjo u pa si trajtimi i parë vërtet novator për këtë sëmundje në më shumë se 70 vjet.

Kanë dështuar edhe përpjekjet e ekzagjeruara për të përdorur drogat psikodelike si trajtim për shëndetin mendor. Në fillim të këtij viti, autoritetet amerikane refuzuan përdorimin e MDMA-së – përbërësit kryesor të drogës ekstazi – për trajtimin e çrregullimit të stresit post-traumatik (PTSD).

Sipas Institutit Kombëtar Amerikan të Shëndetit Mendor, teknologjia ka “hapur një kufi të ri në kujdesin për shëndetin mendor dhe mbledhjen e të dhënave”. Ky institut qeveritar ka dhënë më shumë se 400 grante për ndërhyrje të mbështetura nga teknologjia.

David Crepaz-Keay, nga organizata bamirëse britanike Fondacioni i Shëndetit Mendor [Mental Health Foundation], thotë se një arsye pse studiuesit po eksplorojnë teknologji të reja është sepse të dhënat e mëdha dhe inteligjenca artificiale mund të luajnë një rol të rëndësishëm në identifikimin e popullatave të rrezikuara dhe në mundësimin e ndërhyrjeve të hershme.

“Përparimet në teknologji dhe të menduarit inovativ po transformojnë kujdesin për shëndetin mendor”, thotë Crepaz-Keay, kreu i kërkimeve dhe i të nxënit të aplikuar në fondacion. “Të kombinuara me aplikacione, pajisje të mbajtshme dhe mjete të tjera dixhitale, këto inovacione po zgjerojnë qasjen dhe po personalizojnë kujdesin, duke mbështetur ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit mendor”.

Një nga përdorimet më mbresëlënëse të mundshme të mjeteve dixhitale është ndihma për njerëzit që dëgjojnë zëra shqetësues në mendjen e tyre, një simptomë kryesore e psikozës.

Të prekurit raportojnë monologë të vazhdueshëm, që shpesh janë tepër kritikë dhe madje mund të sugjerojnë se ata nuk meritojnë të jetojnë. Trajtimet ekzistuese me ilaçe dhe terapi psikologjike nuk janë gjithmonë efektive.

Një alternativë e mundshme në zhvillim është terapia Avatar. Në këtë terapi, personi krijon një mishërim dixhital të asaj se si mendojnë se duket dhe tingëllon zëri që dëgjojnë. Më pas, individi zhvillon biseda me avatarin, ku terapisti siguron materialin për dialogun.

Një njohuri kyçe e terapisë Avatar është elementi i kontrollit që ajo i ofron individit duke sjellë atë që ishte e brendshme në një formë të hapur, thotë Tom Ward, një psikolog klinik në Kolegjin Mbretëror të Londrës [King’s College London], i cili ka qenë i përfshirë në eksperimentet e Terapisë Avatar.

“Ajo që frymëzon këtë ide është se njerëzit që dëgjojnë zëra, po përjetojnë një komunikim shumë bindës me një tjetër”, thotë Ward. “Por, nga vetë përkufizimi, kjo përvojë nuk ndahet me askënd tjetër – as me një profesionist të shëndetit mendor, as me një mik apo me ndonjë tjetër. Pra, është një përvojë sociale që është gjithashtu izoluese”.

Rezultatet e kërkimeve të drejtuara nga Ward dhe kolegët e tij ishin mbresëlënëse. Pas 16 javësh, pjesëmarrësit e terapive Avatar raportuan përmirësim të disponimit dhe intensitet më të ulët të zërave që dëgjonin, krahasuar me ata që morën terapitë tradicionale. Ata që morën një trajtim të zgjeruar Avatar, të përshtatur sipas historisë së tyre të jetës, dëgjuan zëra më rrallë se më parë.

Përpjekjet janë në zhvillim për të parë nëse terapia Avatar mund të shpërndahet në nivel ndërkombëtar. Prova të një versioni të teknologjisë janë planifikuar në Etiopi dhe Indi. Studiuesit po eksplorojnë mundësinë që avatari të automatizohet duke përdorur inteligjencën artificiale [IA], me terapistin që ofron mbështetje. Do të nevojiten masa sigurie duke pasur parasysh natyrën e ndjeshme të trajtimit dhe për të siguruar që përbërësit thelbësorë, që e bëjnë atë efektiv, të jenë të pranishëm.

“Dëgjojmë relativisht shpesh nga njerëzit që krijojnë një avatar se ‘kjo është hera e parë që kam mundur vërtet të ndaj këtë përvojë me një profesionist të shëndetit mendor’”, thotë Ward. “Pra, ka diçka në aktin e krijimit të mishërimit që ofron këtë mundësi”.

Mendimi i ri në shëndetin mendor përfshin gjithashtu marrjen e ideve të njohura të vjetra dhe përdorimin e tyre në drejtime të reja dhe befasuese.

Studiuesit po shqyrtojnë terapitë që rrjedhin nga terapia elektrokonvulsive (ECT), e cila është përdorur për dekada të tëra me efektivitet për trajtimin e depresionit të rëndë. Në këtë terapi, rryma elektrike dërgohet në tru për të shkaktuar një krizë të përkohshme. Ky trajtim kërkon mbikëqyrje të kujdesshme mjekësore, përfshirë anestezi të përgjithshme, dhe pacientët dhe të afërmit e tyre shpesh janë përplasur me autoritetet mjekësore për mënyrën e përdorimit të tij.

Shkencëtarët kanë studiuar nëse është e mundur të ulet ndjeshëm doza e elektricitetit. Në tetor, studiuesit raportuan rezultate interesante nga një trajtim i njohur si stimulim i drejtpërdrejtë transkranial me rrymë (tDCS). Kjo metodë përdor një rrymë të dobët prej dy miliamperësh ose më pak, krahasuar me rreth 800 miliamperë për ECT. Ky trajtim rezulton në një ndikim shumë më të lehtë, por potencialisht terapeutik, në tru. Kjo e ka bërë tDCS-në një opsion për përdorim të mbikëqyrur në shtëpi.

Pjesëmarrësit që vuanin nga të paktën një depresion i moderuar, e panë si të dobishëm kursin 10-javor me 36 seanca gjysmë-orëshe, sipas studimit të financuar nga prodhuesi i pajisjeve tDCS, Flow Neuroscience. Rreth 45 për qind raportuan lehtësim të gjendjes së tyre, krahasuar me më pak se 22 për qind të një grupi kontrolli që përdori pajisjen, por nuk mori terapinë.

Kjo nuk ishte pa efekte anësore negative. Dy pacientë raportuan se patën “djegie”, ndoshta për shkak të përdorimit të sfungjerëve të tharë, thotë studimi, megjithëse u shtua se këto nuk shkaktuan plagë.

Studimi tregoi se tDCS-ja ishte një “opsion potencial i linjës së parë që mund të ndihmojë ata që kanë nevojë”, thotë sipas Cynthia Fu, autorja kryesore e studimit dhe profesoreshë e neuroshkencës afektive dhe psikoterapisë në Kolegjin Mbretëror në Londër.

Një përdorim edhe më i drejtpërdrejtë i elektricitetit për trajtimin e depresionit të rëndë është përmes implantimit të pajisjeve neurale. Stimulimi i thellë i trurit, me elektroda të implantuara përmes vrimave në kafkë, është një trajtim eksperimental që ka dhënë disa rezultate inkurajuese. Rezultoi në një “përmirësim të shpejtë dhe të qëndrueshëm të depresionit”, thotë një studim i botuar në vitin 2021.

Por, mbeten ca dyshime – përfshirë ato të disa shkencëtarëve – nëse ky është një opsion i dëshirueshëm për trajtim afatgjatë, duke pasur parasysh se sa invaziv është. Rreziqet vijnë si nga operacioni ashtu edhe nga efektet anësore të mundshme që vijojnë nga trajtimi, si problemet me shikimin, ndryshimet në gjendjen shpirtërore dhe vështirësitë në të folur.

Lidhjet mes shëndetit mendor dhe aspekteve të stilit të jetesës janë gjithashtu një fokus i thellë i interesimit. Një ndër këto është shkenca e gjumit.

Ndërsa terapia e gjumit synon kryesisht pagjumësinë, që mendohet të prekë rreth një në dhjetë njerëz, po i kushtohet gjithnjë e më shumë vëmendje lidhjeve më të gjera mes gjumit dhe kushteve të tjera. Pagjumësia mendohet se rrit rrezikun e zhvillimit të çrregullimeve psikiatrike.

“Ka shumë kërkime në proces për të kuptuar se si përmirësimet e gjumit dhe çrregullimeve të ritmit biologjik mund të ndihmojnë për të përmirësuar shëndetin mendor dhe për të reduktuar rrezikun e zhvillimit të problemeve të shëndetit mendor”, thotë Simon Kyle, profesor në Institutin për Gjumin dhe Neuroshkencën Cirkadike në Universitetin e Oksfordit.

Fokusi i Kyleit njihet si terapia e kufizimit të gjumit. Edhe pse kjo mund të tingëllojë si një përgjigje kundërintuitive për pagjumësinë, ideja është të përmirësohet cilësia e gjumit duke e konsoliduar atë dhe duke e bërë më të qëndrueshëm. Kjo arrihet duke përcaktuar kohën optimale të fillimit dhe përfundimit të gjumit për çdo pacient, të cilën ata më pas duhet ta zbatojnë. Këto orare të personalizuara të pushimit duhet të sinkronizohen me ciklet biologjike të gjumit.

Kyle dhe kolegët e tij testuan me sukses këtë qasje në një kërkim të botuar vitin e kaluar. Rreth 42 për qind e një grupi që mori katër seanca të shkurtra të terapisë për kufizimin e gjumit të ofruar nga infermierët, raportuan përmirësim të rëndësishëm klinik të pagjumësisë së tyre. Studimi thekson koston e ulët të terapisë, pasi nuk kërkon specialistë të gjumit, dhe përfshiu më pak se 90 minuta kohë të infermierit për çdo pjesëmarrës.

Ndoshta inovacioni më befasues është përdorimi potencial i Tetris-it për përmirësimin e shëndetit mendor.

Loja u zhvillua katër dekada më parë nga shkencëtari rus Alexey Pajitnov dhe është bërë një hobi obsesiv për disa. Një dokumentar i vitit 2011, i titulluar Ekstaza e rendit: Mjeshtrit e Tetris-it [Ecstasy of Order: The Tetris Masters], rrëfen betejat për të fituar kampionatin botëror.

Aftësia e Tetris-it për të përthithur vëmendjen e lojtarëve është thelbësore për rolin e tij të ri në shëndetin mendor. Emily Holmes, udhëheqësja e grupit që po e hulumton këtë, kujton se si u magjeps nga “mënyra se si mendojmë me imazhe dhe jo në fjalë”.

Holmes, psikologe dhe neuroshkencëtare në Universitetin e Upsalës në Suedi, thotë se gjeti ngjashmëri mes lojës dhe “mënyrës se si trauma përsëritet në sytë e mendjes, përsëri dhe përsëri”.

Rikthimet traumatike nuk janë një “përfaqësim logjik verbal i botës”, argumenton Holmes, por përbëjnë një “set të gjallë imazhesh” që shpesh lidhen me kujtime.

“Nëse, për shembull, ke pësuar një aksident me makinë me një makinë të kuqe, mund të shohësh fragmente të asaj makine të kuqe”, thotë ajo, duke marrë dhe tundur një objekt nga tavolina e saj, sa për ilustrim. “Stilolapsi im i kuq mund të shkaktojë një kujtim të pavullnetshëm vizual të një makine të kuqe. Pra, as nuk je i ndërgjegjshëm për atë që po kujton”.

Holmes u përqendrua te “rotacioni mendor” në thelb të Tetris-it, si një zgjidhje e mundshme për shkak të asaj që sugjerojnë skanimet për aktivitetin e trurit. Pjesët aktive të trurit, gjatë rikthimeve traumatike, janë të njëjtat me ato që përdoren gjatë aktivitetit vizual dhe hapësinor.

“Nuk mund të luash Tetris dhe të bësh gjëra të tjera vizuale njëkohësisht – truri ka një kapacitet të kufizuar”, thotë Holmes. “Mund të përqendrohesh ose te imazhi traumatik ose te Tetris-i – por jo te të dy ato njëkohësisht”.

Teoria është se procesi i shpërqendrimit nga loja e bën imazhin traumatik më të ndryshueshëm, duke e lejuar atë të riorganizohet në mendje në një formë më pak të dëmshme.

“Ke zbehur këtë kujtim për aq sa, kur rikonsolidohet në kujtesën afatgjatë, është në një formë më të dobët”, thotë Holmes. “Dhe, nëse është më pak i gjallë dhe hiperperceptiv, herën tjetër që merr një nxitës të kuq, ka më pak gjasa të kesh një kujtim të pavullnetshëm të makinës së kuqe”.

Holmes dhe kolegët testuan këtë qasje në një studim të botuar vitin e kaluar. Pjesëmarrësit listuan kujtimet e tyre të pavullnetshme, në fillim të studimit, dhe më pas u nxitën të risillnin në mendje imazhin e ndërlidhur me njërën prej tyre përpara seancës së lojës. Pasi luajtën Tetris, për 20 minuta, ata vlerësuan se si ndiheshin.

Efekti u bë i qartë për më pak se një muaj. Gjatë javës së katërt, pjesëmarrësit që kishin qasje të menjëhershme në ndërhyrjen me Tetris, raportuan shumë më pak kujtime të pavullnetshme se ata që nuk e përdorën atë. Ata gjithashtu kishin më pak simptoma të PTSD-së, pagjumësisë dhe ankthit, si dhe një rritje të funksionimit në punë dhe mirëqenies.

Sophie, një doktoreshë britanike, kujton skepticizmin e saj kur mori një letër që ofronte mundësinë për të provuar terapinë me Tetris. Si mjeke në një njësi të kujdesit intensiv të spitalit, ajo kishte ndjerë episode të forta shqetësimi për ngjarjet gjatë pandemisë së koronavirusit, që përfshinin pacientë buzë vdekjes dhe të afërm të dëshpëruar.

“E nisa duke menduar, ‘si mund të më ndihmojë të luaj një lojë Tetris-i?’”, tregon Sophie – e cila kërkoi të mos përdorej emri i saj i vërtetë – nga kuzhina e shtëpisë së saj në Anglinë veriperëndimore. “Isha vërtet negative për këtë. Isha e bindur se ishte humbje kohe”.

Sophie e konsideronte tërheqëse qasjen e lehtë në këtë trajtim. Një nga dobitë më të mëdha të terapisë me Tetris ishte që – ndryshe nga një bashkëbisedues njerëzor – ajo ishte e qasshme 24 orë në ditë. Nëse fillonte të ndjehej e shqetësuar nga rikthimet e kujtimeve, ajo mund ta luante atë gjatë një pushimi në punë, në shtëpi – madje edhe në orët e para të mëngjesit, nëse zgjohej nga makthi.

Brenda disa javësh, Sophie kujton se vuri re “një ndryshim të plotë te vetja”. Ajo nuk i ka harruar këto ngjarje të tmerrshme, por tani është në gjendje t’i kujtojë dhe të flasë për to me një qetësi që më parë e kishte të pamundur.

Edhe tani, Sophie e ka të vështirë ta besojë se diçka kaq e parëndësishme në shikim të parë mund të jetë kaq efektive. “Duhet ta pranoj se pati sukses edhe pse nuk e prisja”, thotë ajo. “Kjo ishte me të vërtetë një befasi për mua”.

Trajtimi me Tetris mund të jetë në fazat e tij fillestare dhe do të duhet t’i nënshtrohet testimeve rigoroze dhe shumë më të mëdha. Por, ai ilustron se si gjenerata e ardhshme e terapive ka potencialin të jetë shumë më e qasshme dhe më e drejtpërdrejtë se më parë – me implikime për shumë njerëz që kërkojnë ndihmë për shëndetin mendor.

“Nuk ke nevojë për ilaçe për këtë, nuk ke nevojë për një psikolog që të flasë për jetën tënde”, thotë Padilla, e cila punoi si infermiere gjatë pandemisë. “Është kaq e thjeshtë – thjesht ulesh përpara një kompjuteri dhe luan Tetris”. /Telegrafi/