LAJMI I FUNDIT:

Traditat e ukrainasve janë më të forta se granatimet e Rusisë

Traditat e ukrainasve janë më të forta se granatimet e Rusisë
Andrey Kurkov (foto: Joel Saget/AFP/Getty Images)

Nga: Andrey Kurkov, shkrimtar ukrainas / The Guardian
Titulli origjinal: Pavarësisht Putinit, traditat e Ukrainës vazhdojnë të jetojnë – ashtu si kërcënimi nga Çernobili
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Odesa po bombardohet nga deti dhe nga territori i Rusisë, por njerëzit nuk shkaktojnë panik. E çojnë jetën pothuajse në mënyrë normale. Si të gjithë ukrainasit, ata sapo kanë shënuar grobkin – apo “varret e vogla”. Fjala është për ato që ne i quajmë ditët e veçanta të pranverës, kur nderojmë kujtimin për të afërmit dhe për miqtë e ndjerë. Në këtë kohë, e gjithë Ukraina i përkushtohet kujdesit për varret nëpër varreza. Disa njerëz nga Odesa i kenë hequr gjethet e vjetra prej varreve dhe gjithashtu i riparojnë monumentet dhe gardhet e shkatërruara ose të dëmtuara nga raketat ruse.

Shumë varreza në Ukrainë janë shkatërruar ose janë dëmtuar nga trupat ruse, përfshirë varrezat e Berkovcit në Kiev – pranë rrugës “Tupoleva”, ku jam rritur. Disa varreza janë bombarduar; të tjerat janë goditur nga tanket ruse dhe nga transportuesit e blinduar. Xhenierët rusë kanë lënë gjithashtu gracka në shumë prej tyre. Autoritetet u përpoqën t’i bindin ukrainasit që këtë vit të mos i vizitojnë varrezat që ishin ose ende janë të pushtuara nga ushtria ruse. Megjithatë, ukrainasit janë mësuar të bëjnë jo atë që u thuhet, por atë që e konsiderojnë si të nevojshme.


Vazhduan të shkojnë për t’i rregulluar varret e të afërmve. Kisha shpeshherë u ka kërkuar ukrainasve që të mos çojnë lule plastike në varre dhe që në vend të tyre të çojnë lule të gjalla, por megjithatë shumë ukrainas ende dërgojnë lule plastike. Sepse, ato nuk thahen. Disa ukrainas me siguri se janë përpjekur t’i vizitojnë varrezat në zonën e mbyllur të Çernobilit. Janë dhjetëra varreza pranë fshatrave dhe qyteteve që u evakuuan pas fatkeqësisë së vitit 1986. Më parë, ish-banorët e këtyre vendeve dhe të afërmit e tyre vinin nga gjithë Ukraina për ta shënuar përvjetorin e fatkeqësisë, si dhe në ditët e “varreve të vogla”. Por, këtë vit, vizita në zonën e Çernobilit ishte rreptësisht e ndaluar.

Ushtria ruse e pushtoi stacionin e Çernobilit dhe zonën përreth për më shumë se një muaj. Gjatë asaj kohe ata e shtruan një rrugë për në Kiev, përgjatë territorit radioaktiv, ku rreth 10 mijë tanke, autoblinda dhe pajisje tjera ushtarake kaluan mbi të duke transportuar mijëra ushtarë drejt asaj që shpresonin se do të ishte hyrja triumfuese në kryeqytet.

Rusët tashti janë larguar, ndërsa ka mbetur vetëm rrezatimi. Rusët u kthyen përmes Bjellorusisë dhe prej andej i dërguan nëpër shtëpitë e tyre – në qytetet dhe fshatrat anembanë Rusisë – gjërat që i kanë vjedhur nga shtëpitë e Ukrainës – lavatriçe, kompjuterë, skuterë, madje edhe lodra për fëmijë.

Ndoshta deri tash kjo do të harrohej, po të mos ishte Çernobili. Menjëherë pasi ushtria ruse u largua nga zona e Çernobilit për në Bjellorusi, pati raportime se disa ushtarë filluan të ndihen të sëmurë. Disa njerëz shkuan te mjekët. Një hetim tregoi se të gjithë vuanin nga ekspozimi ndaj rrezatimit. Pas kësaj, KGB-ja bjelloruse nisi hetimin i cili, pa dyshim, nuk çoi askund. Në fund të fundit, Bjellorusia tashmë është territor që de facto kontrollohet nga Rusia. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike thotë se është në dijeni të raporteve se trupat ruse mund të jenë ekspozuar ndaj rrezatimit, por deri tash nuk kanë qenë në gjendje ta verifikojnë këtë.

Për Rusinë tashti nuk është e rëndësishme se sa rrezatim sollën ushtarët e saj në Bjellorusi, apo sa dërguan me pako te të afërmit e tyre. Nuk është as e rëndësishme se pajisjet ushtarake që kanë kaluar dy herë në zonën e Çernobilit, mund të jenë burim rrezatimi që prek ushtarët rusë që janë në veprim. Për Rusinë, as jeta e këtyre ushtarëve nuk është e rëndësishme. Sipas të gjitha gjasave, ata do të vdesin në fushën e betejës, jo në spital nga sëmundjet e rrezatimit.

Nëse kjo makineri mbetet në territorin ukrainas, do të jetë burim i rrezikshëm rrezatimi për njerëzit që jetojnë atje e të cilët do të jenë viktimat e ardhshme. Dhe, përsëri numri i varreve të freskëta do të rritet nëpër varrezat e Ukrainës. Dhe, akoma më shumë njerëz do të vijnë në varreza nga fundi i prillit dhe fillimi i majit për t’i kujtuar të vdekurit në ditët e “varreve të vogla”.

Ukrainasit do të shkojnë në varreza me shporta dhe me çanta pikniku, do të ulen në tokën pranë varreve ose pranë tavolinave të veçanta të futura në tokë afër gardheve rreth varreve. Do të ngrenë dolli përkujtimore dhe do të pinë. Këto tradita janë më të forta se granatimet dhe pushtimet. Luftë ose jo luftë, duhet të shkojnë. Lufta madje mund t’i forcojë traditat e tilla.

Putini do të donte t’i vriste traditat e Ukrainës. Atëherë do të ishte më e lehtë për të që të thotë se ukrainasit nuk ekzistojnë – se ata thjesht janë rusë që u mashtruan, të cilëve u thanë se nuk ishin rusë, por ukrainas. Por, lufta vret vetëm njerëz. Traditat mbeten dhe ato çimentojnë identitetin kombëtar. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Historia e fisit Shala

Historia e fisit Shala

Kulture
Arkitektura dhe arti i xhamive me kube në Kosovë

Arkitektura dhe arti i xhamive me kube në Kosovë

Kulture
Manastiri i Deçanit, ku ruhet shandani i dhuruar nga Skënderbeu

Manastiri i Deçanit, ku ruhet shandani i dhuruar nga Skënderbeu

QESKA E KARAMELEVE

QESKA E KARAMELEVE

Fisnikëria e heshtjes

Fisnikëria e heshtjes

Kulture
Princi i zi i politikës: 50 thënie të Makiavelit

Princi i zi i politikës: 50 thënie të Makiavelit

Kalo në kategori