LAJMI I FUNDIT:

Titujt në gazetat e Kosovës

Titujt në gazetat e Kosovës

Nga: Ganimet Klaiqi (1965-2017)

Titujt nga gjuhëtarët vlerësohen si pjesët më të vështira të teksteve në zejen e gazetarisë. Në njërën anë përmbajnë pje­sën thelbësore të artikullit, kurse në aspektin global duhet ta shpërfaqin informacionin më të rëndësishëm. Së këndejmi, ata e fitojnë ose e humbin lexuesin, konkretisht marrësin e informacionit. Në rast se janë të paqartë, lexuesit nuk i zgjo­het kureshtja për të hyrë në tekst. Hyrja në tekst bëhet nga qartësimi i shprehjeve gjuhësore. Nga kjo bazë titujt i plotë­sojnë detyrat formale dhe funksionale të artikujve.

Titulli, nëntitulli, koka e lajmit, si njësi konvencionale që janë, njihen nga shfrytëzuesit e tyre në çdo kulturë dhe grup të caktuar etnik.[1] Nga kjo pikëpamje, titujt përfaqësojnë formë të posaçme të prezentit të gazetarisë. Në një përkufizim stili­stik të studiuesit Lucke, që e kishte bërë në vitin 1963, titujt duhet të jenë të shndritshëm, të formuluar, të shkurtër, të hetue­shëm, të kërkueshëm, rastësorë, të gdhendur dhe për­mbaj­tje­sorë.[2] Në kuptimin e formulimit të tyre, sipas studiu­esve të gjuhës së gazetave, titujt nxjerrin dallime midis gjuhës praktike dhe asaj pragmatike. Dallimi bëhet në kriteret e sistemit gjuhësor, para së gjithash, sintaksor. Një përkufizim përmbajtjesor për këtë e ka dhënë studiuesja Barbara Sandig, sipas së cilës, titujt janë mbishkrime që dëshmojnë vlerën e fjalisë.[3] Nga ky këndvështrim titujt në disa gazeta të përdit­shme të Kosovës, si Përkujdesje që obligon (Rilindja), Tjera ndryshime (Epoka e re), Takime lobuese (Lajm), Presidenti i partive (Infopress) nuk paraqesin karakter të plotë komunikimi ose, thënë ndryshe, krijojnë asociim. Nga pikëpamja e kësaj stu­diu­e­­seje, titujt e këtillë janë shembuj të këqij dhe pa shkallë të mjaftueshme të njoftueshmërisë. Të tillët paraqesin indife­rencë për aktualitetin.


Titulli është një mbishkrim, i cili përsërit ose parafrazon shprehje nga konteksti.[4] Sipas studiuesve, vendosja e titujve në gazeta duhet të përcaktohet me karakteristika gramatikore, sintaksore dhe stilistike. Pa këto elemente komplikimi i titujve në raport me thjeshtësinë mund të ndikojë në procesin e inter­pretimit. Nga ana tjetër, titujt me shprehje të fuqishme gjuhë­sore, të përzegjedhura mirë, zgjojnë interesimin e marrësit. Titujt e kësaj natyre bëhen më të kërkueshëm nga lexuesit, të cilit, kur i shfletojnë gazetat, duan t’i gjejnë të tillët. Nëse titujt zgjojnë interesim te lexuesi, kjo është bërë për shkak të dinamikës së shprehjeve gjuhësore, por që s’është demaskuar gjithçka nga përmbajtja e artikullit. Një titull i mirë mbulon informacionet thelbësore dhe konkretizon temën e artikullit. Megjithëkëtë, pritjet e këtilla nuk mund të harmonizohen gjithmonë për t’u kapur aspektet: titulli dhe teksti në artikullin e gazetës.

Karakteristikë tjetër, sipas studiuesve të titujve, në aspektin gjuhësor është se nuk është e thjeshtë të vendoset se cilët tituj janë më të vlefshëm, cilët janë më informativë dhe më të dukshëm për të zgjuar interesim. Nga pikëpamja pragmatike e gjuhës, titujt kanë për detyrë të transmetojnë informacion të përmbledhur me fakte të besueshme për ta nxitur dhe moti­vuar lexuesin. Studiuesi i gjuhës së gazetave në Kosovë, Bardh Rugova, në studimin për këtë çështje thekson se në gazetat e Kosovës rëndom, krahas titullit dhe nëntitullit, shënohet edhe mbititulli… koncepti mbititull zakonisht shënon rrethanat e caktuara, titulli shënon temën dhe nën­titulli përmbledhjen, duke lënë mundësi që kjo përmbledhje të zgjerohet edhe në kreun e shkrimit.[5] Nga kjo që u theksua, titujt rezultojnë të jenë pjesa më e rëndësishme objektive e artikullit si në kriterin formal, po ashtu edhe në atë përmbaj­tjesor. Studiuesi Rugova, pasi thekson se titulli i shkrimit ka një formë të caktuar gjithnjë, sepse vendoset në fillim, ende pa nisur shkrimi, konstaton se titulli ka një funksion të rëndë­sishëm tematik, ngaqë i shpreh temën dhe përmbledhjen e ngjarjes kryesore të shkrimit, asaj që ka prioritet gjatë të kumtuarit.[6]

Nga pikëpamja e studiuesit Herald Burger, titujt paraqesin pozitën dhe formulimin e pavarësisë relative të një gazete. Funksionimi i tyre në radhë të parë u adresohet lexuesve.[7] Ndërtekstualitetin e parë të titujve e lidh me mbititullin, nën­titullin dhe hyrjen. Fillimi i tekstit në kuptimin e funksionit paraqet rëndësi sa edhe vetë titulli sepse me pak fjalë paraqet përmbajtjen e artikullit me rrjedhshmëri. Me fjalë të tjera, sipas tij, titulli në gazetarinë moderne formohet në bazë të tekstit.[8] Nga sa u theksua, përshtypja e parë për lexuesit zakonisht krijohet nëpërmjet titujve, të cilët, në fakt, janë karrem për ta tërhequr lexuesin për ta vazhduar leximin e një artikulli gazetaresk deri në fund. Titulli ka rëndësi esenciale, duke u nisur nga fakti se njeriu si qenie është i prirë që përshtypjen e parë ta krijojë pikërisht nga ajo që e sheh së pari. Në parim, lexuesi së pari e përqendron vëmendjen në titull, ndaj edhe gjithçka nis aty. Ideja e gazetarit, apo e redaktorit është të vendosë një titull të bazuar në tekst dhe i cili, përveç kësaj, është formuluar në atë mënyrë sa ta tërheqë lexuesin.

Janë tri arsye të cilat e determinojnë rëndësinë e titujve në kuadër të një gazete. Titujt kanë, së pari, karakter informativ për një temë, çështje apo përmbajtje. Nuk duhet të kenë qëndrim, pra të mos shfaqet mendimi i gazetarit apo rudak­torit, por të jetë si një emërues i përbashkët i një situate për të cilën është ndërtuar artikulli. Titulli si njësi sinjalizon një pjesë të informacioneve të tekstit.[9] P. sh., nëse trajtohet çështja e imunitetit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës si dhe të zyrtarëve të lartë të këtij shteti të ri dhe Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin gëzojnë apo jo imunitet, atëherë titulli mund të nxirret nga konteksti, nëpërmjet të cilit do të përshkruhet një situatë e tërë, por gjithnjë duke mbajtur distancë ndërmjet autorit dhe çështjes. P. sh., në ballinë të së përditshmes Koha ditore titulli Kushtetuesja përmend arrestimin për deputetët, jo për qeveritarët vërehet se është ndërtuar distancë e dukshme ndërmjet autorit të tekstit dhe situatës. Kjo dis­tancë pikësëpari është rezultat i përdorimit të foljes në kohën e tashme të dëftores dhe të kryefjalës në vetën e tretë të njëjësit. Në këtë titull, me pak fjalë të ngjeshura, thuhet shumëçka, ndërsa lexuesit i mbetet për të “hulumtuar” më tepër brenda tekstit. Edhe titulli tjetër në të njëjtën gazetë, në të njëjtën ditë, si: AAK: Politikat e ministrit Agani për shëndetësinë, të dështuara, ka distancën e mjaftueshme midis dërguesit dhe marrësit. Edhe në këtë titull, gazetari, nëpërmjet shprehjeve gjuhësore dhe ngjeshjes sintaksore të fjalëve, ka arritur ta krijojë distancën me ngjarjen a fenomenin, sepse nuk është qëndrim i gazetarit apo redaktorit t’i përcaktojë nëse janë apo jo të dështuara politikat e ministrit Agani. Ata i referohen një subjekti, një ministri, duke e vendosur edhe titullin mbi atë bazë. Në aspektin e gazetarisë titulli i gazetës ka për qëllim ta informojë opinionin e gjerë se çfarë po ndodh, kurse në aspektin gjuhësor ai ka rëndësi për ta bërë sa më të qartë raportin dërgues – marrës. Ndryshe janë shprehjet gjuhësore të vendosura në një titull, si: I prishi paraja, në gazetën e përditshme Epoka e re. Këtu gazetari merr qëndrim dhe ka vlerësim për fenomenin. Këta tituj që shpesh përdoren për stil paraqesin subjektivizëm dhe, pos të tjerash, dalin të jenë të mangët edhe në gjymtyrë, pasi nuk jepet të nënkuptohet se kush janë ata që në të vërtetë i ka prishur paraja, që do të thotë se vetvetiu mungon pyetja, për të marrë një përgjigje të këtillë. I njëjti titull dhe në të njëjtën ditë, për shembull në Koha ditore, është: Paratë ndajnë Lëvizjen për Bashkim me ‘Vetëvendosjen’, në të përditshmen Zëri: Parja ndan dy lëvizjet, në Lajm: LB dhe VV shkurorëzohen sherri i parave.

Titujt përdoren edhe për çështje estetike. Preferohet ven­dosja e titujve të shkurtër, përmbledhës sepse humbet ritmi dhe esenca për të cilën vendosen. Struktura e titujve, sipas Heraldit, duhet të jetë e qartë, të ketë kompaktësi, duke i përdorur drejt mjetet gjuhësore, siç janë foljet dhe mjetet e tjera sintaksore e stilistike. Ata formulojnë hyrjen tematike në tekst, derisa nëntitujt specifikojnë faktet për ngjarjet. Këto elemente bashkërisht formulojnë logjikën ndërtekstuale, me mjete gjuhësore që japin kompleksivitetin e titullit, duke e lidhur atë me hyrjen dhe rrjedhën e tekstit.[10] Zakonisht para­pëlqehen titujt që s’e kalojnë një rresht në proporcion me shkrimin. Por, në disa media të Kosovës ka edhe tituj të karakterit sensacional, por edhe me nga dy rreshta. Në fakt, Koha ditore ka aplikuar modelin e ndërmjetëm, i cili konsiston në vendosjen e titujve që përkojnë me tekstin, që kanë dalë rrjedhimisht nga teksti dhe që kanë bazë në të. Titujt nuk janë njëtrajtësisht rezyme e përmbajtjes, por pjesë e saj, në të cilën më i rëndësishëm është prezantimi i fakteve përpara rrëfimit. Në parim, te titujt gazetareskë nuk ka dilemë se synim kryesor është që ata të jenë përmbajtjesorë, tërheqës dhe të shkurtër, gjithnjë duke i pasur parasysh mjetet gjuhësore dhe lidhjen e ngjeshur sintaksore. Pra, titulli është një përmbledhje e tekstit, i cili përmban në vete faktet kryesore. Shpesh titujt i ngjasojnë një lajmi flash si, p. sh.: Shkarkohet presidenti.

Për të njëjtën çështje gazetat e Kosovës të datës 21 shtator 2011 japin versione të ndryshme të titujve:

Koha ditore: Kushtetuesja përmend arrestimin për deputet, jo për qeveritarët;

Zëri: Kushtetuesja foli: S’ka imunitet;

Lajm: Pa imunitet;

Epoka e re: Deputetët, presidenti dhe anëtarët e qeverisë nuk gëzojnë imunitet;

Kosova sot: Mund të arrestohen;

Infopress: Vendim antikushtetues.

Nga tetë gazeta të përditshme që botohen në Kosovë, për të njëjtën çështje titujt dalin me shprehje të ndryshme, në kup­timin e përdorimit të shenjave gjuhësore. Nëse njoftueshmëria është një nga shtatë kriteret e tekstualitetit, qëllimi i të cilit e jep të priturën dhe të papriturën, disa nga këta tituj janë me mangësi. Një përzgjedhje e mirë e fjalëve e bën informacionin më të dëshirueshëm, kurse dhënësin e informacionit shumë më të qëndrueshëm e më të besuar. Nëpërmjet titujve lexuesi i pranon edhe artikujt, pasi që ata e sforcojnë edhe njoftue­shmërinë e tij. Kjo ka kuptim për faktin se është nxjerrë pika kryesore e artikullit. Kjo, sipas studiuesit Rugova, do të thotë se përzgjedhja e një titulli të mirë e popullarizon gazetën. Ai thekson se në këtë pikë ka rëndësi të madhe kombinimi i fjalëve në një strukturë të shkurtër të fjalisë, ku rolin kryesor e merr subjekti, veprimi i të cilit mund të përmblidhet në pak fjalë, kurse të shtjellohet në tekst. Me një fjalë, titulli i gazetës paraqet hapin më të mirë që të nxitet lexuesi për të hyrë në tekst dhe për të bashkëjetuar me të. Rugova i vlerëson të gabueshëm titujt në gazetat e Kosovës, kur ata i nxjerrin si tituj asociativë. Kjo e dëmton në shkallë mjaft të madhe infor­macionin dhe kalon në suaza të tekstit letrar. Por, në gazetat e përditshme, në të shumtën e herëve, titujt e gazetave dalin të njëtrajtshëm, sepse gazetarët apo redaktorët formulimin e titujve e pronësojnë, duke mos dashur të dalin nga shabllonet.

Që njoftueshmëria e tekstit të ketë edhe qytetari, gazetarët dhe redaktorët e vëmendshëm rëndom i përzgjedhin titujt që të mos jenë emocionalë, të mos kenë egërsi dhe të jenë plotë­sisht informativë. Kjo praktikë duket të jetë shumë e prani­shme në të përditshmen e pavarur informative Koha ditore, derisa në disa të tjera mungon. Dëshmi për këtë është rasti i burgosjes së gjashtë zyrtarëve komunalë të Prishtinës. Për dallim nga Koha ditore (4 maj 2011), kur ka dhënë informa­cionin se Policia kundër krimeve ekonomike ka arrestuar 6 zyrtarë komunalë, në disa gazeta të tjera informacioni është dhënë: Gjashtë në kajmak (Express, 4 maj 2011). Sado që titulli i fundit duket si bombë, ai është tendencioz dhe i njëanshëm. Një titull i tillë e mbyt informacion dhe tekstin gazetaresk e kthen në një tekst krejt letrar, duke i sjell vështirësi lexuesit që ta pranojë në hapin e parë lajmin. Pra, është titull subjektiv.

Një titull për lexuesin është potencial atëherë kur ai e pranon atë në shikim të parë. Kurse nëse vetë gazetari dyshon se titulli i tij nuk ka arritur të përmblidhet me shprehjet më të pranueshme gjuhësore, atëherë edhe lexuesi do ta ketë po atë dilemë. Një titull i mirë dhe informativ në asnjë rast nuk bën të jetë si një pjesë e një deklarate të ashpër, aq më tepër kur brenda tij mund të shtrohen shumë pyetje për të marrë një përgjigje. Prova më e pranueshme e një titulli është akceptimi i tij informativ. Dëshira superlative e autorit për të bërë sa më shumë bujë titulli i tij e bën atë që të ngatërrohet në përmbaj­tje të tekstit dhe kalon në paqëndrueshmëri.

I doli duqi (Infopres) ishte një titull në një gazetë të Kosovës, një ditë pas arrestimit të gjashtë zyrtarëve të Komunës së Prishtinës. Gazetari, apo redaktori, kanë synuar të jenë super­lativë, por në aspektin pragmatik e informativ të gazetës i ka kaluar të gjitha caqet. Në këtë aspekt një gazetar i mirë dhe që synon njoftueshmërinë për ngjarjet që na rrethojnë për çdo ditë do të duhej ta peshonte vënien e fjalëve së pari në titull e pastaj edhe në tekst. Sa më e madhe që të jetë pasuria e lek­sikut, aq më e madhe është edhe mundësia e përzgjedhjes së një titulli më të shkurtër dhe më domethënës, në kuptimin e përmbledhjes së informacionit. Janë pikërisht këto elemente të trajtuara me shkallë të njoftueshmërisë nga studiuesit Beaugrande dhe Dressler dhe të pasuar edhe nga studiues të tjerë. Ata pasi e kanë cilësuar njoftueshmërinë si kriterin e pestë të tekstualitetit, kanë caktuar tri shkallë të cilat kate­gorizojnë marrëdhëniet dërgues – marrës.

____________

[1] Van Dijk, i cituar nga Bardh Rugova, Gjuha e gazetave, f. 116

[2] Hartmut Luck, Zeitungsdeutsch und Umgangssprache. Untersuchungen zur des Spigels. In: Muttersprache, Munchen, 1963, f. 335

[3] Barbara Sandig, Syntaktische Typologie der Schleagzeile. Moglichkeiten und Grenzen der Sprahokonomie im Zeitungdeutsch. Munchen: Institut fur Germanistik, (Linguistische Reihe 6), 1971, f. 38

[4] Hellwig Valentin, Zeitgeschichte 1818-2004. Klagenfurt, 2005, f. 170

[5] Bardh Rugova, Gjuha e gazetave, Koha, Prishtinë, 2009, f. 118

[6] Po aty f. 110

[7] Herald Burger, Medinesprache: Eine Einfuhrung in Sprache und komunikations formen der Massmedien, Verlag 3, Berlin, 2005, f. 114

[8] Po aty f. 115

[9] Bardh Rugova, Gjuha e gazetave, Koha, Prishtinë, 2009, f. 118

[10] Herald Burger, Medinesprache: eine Einfuhrung in Sprache und komunikations formen der Massmedien, Verlag 3, Berlin, 2005, f. 116