LAJMI I FUNDIT:

Thaçi: SHBA-së është duke i humbur durimi

Thaçi: SHBA-së është duke i humbur durimi

Hapja e debatit, në gusht të vitit të kaluar për korrigjimin/ndryshimin/shkëmbimin e territorit mes Kosovës dhe Serbisë bëri që në fjalorin e ditës të rikthehet togfjalëshi “kutia e Pandorës”.

Për deklarimet e tij, të cilit rikthyen në debatin e ditës “kutinë e Pandorës”, në një intervistë për Televizionin Shqiptar, ka folur njeriu që 20 vjet më parë, kur ishte vetëm 30 vjeç drejtonte delegacionn e Kosovës në bisedimet e Rambujes dhe që sot drejton shtetin më të ri në kontinent dhe vendin më proamerikan në glob, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Më poshtë lexoni pjesë nga intervista e Presidentit Thaçi dhënë Televizionit Shqiptar:


Ju ktheheni nga Uashingtoni dhe pak ditë më parë se të niseshit në Uashington, në përgjigje të letrës së Presidentit Trump të datës 18 dhjetor ju i thoni “pajtohem me ju se një marrëveshje që do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë është afër tani”. Pse mendoni se marrëveshja është afër tani.?

Thaçi: Vlerësoj se interesimi i SHBA për zgjidhjen finale të angazhimeve tona për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, pra ky interesim i SHBA duhet vlerësuar lart dhe ky koordinim me Bashkimin Evropian. Siç dihet, ky proces udhëhiqet nga BE, nga zonja Mogherini dhe ka një koordinim dhe mbështetje të plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky fokus i Uashingtonit dhe Brukselit është i një rëndësie të veçantë për shtetin e Kosovës, por edhe për tërë Ballkanin Perëndimor. Ju përmendët “kutinë e Pandorës” që ndoshta do të flasim më vonë, por mund të theksoj se në letrën e dërguar nga Presidentit Trump mua si President i Kosovës, por edhe Vuçiqit si President i Serbisë, të cilit i thotë se nëse nuk arrihet një marrëveshje e tillë shpejt, atëherë do të pendoheni, por në të njëjtën kohë thekson shumë qartë edhe në drejtimin tim si president i Kosovës, tek institucionet e Kosovës, tek populli i Kosovës, duhet të shkoni nga e ardhmja është momenti për të arritur një marrëveshje, për normalizim, në të njëjtën kohë…

…Citoj letrën: “një mundësi tjetër marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë”…

Thaçi: Po unë besoj plotësisht në këtë qasje sepse nëse dështon mund të kemi një kthim në tragjedi, tragjedi që i përmende edhe më herët që do t’i kushtojnë shumë Kosovës…

Çfarë e gjeti Maqedoninë që priti 30 vjet për të arritur një marrëveshje me Greqinë?

Thaçi: Përplasje, urrejtje, armiqësi, varfëri, izolim dhe tani pas 27 vitesh arrihet një marrëveshje historike dhe hapet perspektiva për Maqedoninë për të qenë pjesë e NATO-s, prandaj…

Zoti President, ju kërkoni dhe thoni në letrën drejtuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që “jeni i gatshëm dhe i vullnetshëm që të bëni kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar”. Për çfarë kompromisesh e keni fjalën?

Thaçi: Ne duhet të jemi të hapur dhe transparent. Ne duhet të jemi realist përballë zhvillimeve të reja. E para ajo çfarë ne duam të arrijmë është kjo: njohja e Kosovës nga Serbia si shtet i pavarur dhe sovran dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Kosova kërkon njohjen nga Serbia. A e njeh Kosova Serbinë?

Thaçi: Unë pres që mbas arritjes së marrëveshjes mes shtetit të Kosovës dhe të Serbisë të ketë një njohje reciproke si dy vende të pavarura…

A ka pretendime territoriale Kosova ndaj Serbisë?

Thaçi: Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj askujt, por për të njohur Serbia Kosovën nuk do të jetë e lehtë, do të jetë një proces i vështirë,

Ky është telash i tyre.

Thaçi: Por është i domosdoshëm dhe në të njëjtën kohë kërkohet kreativitet edhe nga ana jonë edhe kompromise të dyanshme që të përmbyllen njëherë e mirë të gjitha çështjet e hapura sepse marrëveshja bëhet për shumë çështje që janë të hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të përmbyllte njëherë e përgjithmonë, … do të jetë një marrëveshje përfundimtare, marrëveshje me njohje reciproke dhe marrëveshje që i hap rrugë të sigurtë Kosovës për në NATO dhe në Bashkimin Evropian, por edhe Serbisë drejt perspektivës evropiane.

Zoti President, nëse flasim për “interesa të balancuara”, është e qartë që interesi i Serbisë është të avancojë drejt Bashkimit Evropian, nëse Serbia nuk e njeh Kosovën edhe pse para ka “karrotën” shumë të madhe, ofertës shumë të mirë që i bën Bashkimi Europian, çfarë oferte tjetër do ta shtynte të njihte Kosovën?

Thaçi: Ok. Lëvizja e Serbisë drejt perspektivës evropiane nuk ka asgjë të keqe as për Kosovën, as për Ballkanin Perëndimor…

…por ajo është nën presion. Ajo tashmë është nën presion të zgjidhë çështjen e Kosovës….

Thaçi: Pikërisht këtë desha të them. Para lëvizjes drejt perspektivës evropiane duhet të definohet qartë territori, duhet të definohet qartë popullata e dy vendeve. Bashkimi Evropian nuk na pranon me problemet që i kemi të hapura tash e një shekull, nuk na pranojnë me problemet lokale, problemet ballkanike, me këto armiqësi, me këto incidente me këto probleme që janë dhe që kërkojnë zgjidhje. Prandaj kemi rifokusim të jashtëzakonshëm të SHBA, të vetë Presidentit Trump, të vetë BE-së që në veçanti pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare të Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë, tani është radha e Kosovës dhe e Serbisë, kështu që unë mendoj se mund të arrihet marrëveshja…

Pak më parë përmendët z.Vuçiq, thatë se keni luftuar kundër tij dhe tashmë jeni të gatshëm për t’u ulur dhe të bërë paqe me të. A jeni takuar me Presidentin Vuçiq jashtë kamerave në Romë?

Thaçi: Jam takuar me presidentin Vuçiq jashtë kamerave disa herë në Bruksel, në korridore dhe në salla…

Takim që nuk ka qenë publik…?

Thaçi: Jam takuar në Vatikan në kohë të caktuara kur ka qenë në ceremoni të ndryshme, gjithashtu jemi takuar edhe në Paris, kur kemi qenë në Konferencën ndërkombëtare të paqes, gjithashtu edhe në Vjenë jemi takuar, Nju Jork kështu që …

Çfarë?

Thaçi: Vetëm të bëj sqarimin: jemi takuar në takime të liderëve të ndryshëm ku kemi diskutuar hapur pa kamera, për zhvillimet në rajon dhe në Ballkanin Perëndimor, ndërsa negociatat të gjitha pa dallim kanë qenë të hapura, transparente dhe në asnjë rrethanë, në asnjë çmim dhe kurrë ndonjëherë asnjë …

Çfarë keni biseduar me Presidentin Vuçiq që mund ta ndani me publikun?

Thaçi: Jo, diçka nga ajo që e theksova këtu. E kam theksuar edhe në konferenca për shtyp, në deklarata se kapitulli fundit apo faza e fundit e dialogut Kosovë – Serbi dhe e kam theksuar qartë edhe në prani të tij edhe në prani të partnerëve ndërkombëtarë se ka kuptim për Kosovën vetëm nëse ndodh njohja reciproke dhe Kosova anëtarësohet në OKB. Për diçka të tillë jam i gatshëm që gjithë kapitalin tim njerëzor, kombëtar dhe politik të investoj për të arritur një marrëveshje të tillë.

Ju keni folur për një kompromis të dhimbshëm…

Thaçi: Nëse sot dikush nga skena politike kudo qoftë në botën shqiptare të ketë kritikë e kuptoj dhe e mirëkuptoj nga ana tjetër e di, që fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë, gjeneratat e ardhshme do ta aprovojnë dhe do të dalin mbi këtë xhelozi, urrejtje, armiqësi, e gjëra të niveleve tona të konspiracioneve dhe paranojave ballkanase në shërbim të investimeve tona të rëndësishme. Pra, politika edhe në Kosovë, por edhe më gjerë, edhe në hapësirat e tjera shqiptare duhet të fokusohet në vendim marrje strategjike e jo në taktika të lojërave elektorale politike ditore. Një gjë të tillë unë e kam tejkaluar një kohë të gjatë.

Në pozicionin që ju jeni si kryetar shteti nuk jeni në garë elektorale, por ju keni thënë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare është i nevojshëm një “kompromis i dhimbshëm”. çfarë dhimbje duhet të kalojë Kosova këtë radhë për të marrë marrëveshjen përfundimtare?

Thaçi: Mendoj që përmbyllja e marrëveshjes Kosovë – Serbi nuk celebrohet vetëm në Prishtinë…

Është një ftesë për të festuar në Shtëpinë e Bardhë…

Thaçi: Mendoj se duhet të jemi realist dhe kush mendon se do të mund të festojë vetëm Beogradi, mendoj se do të zhgënjehet keq. Edhe Presidenti Trump e ka sqaruar shumë mirë, do të jetë një marrëveshje e interesave të balancuara…

Ai flet për një marrëveshje që merr në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë.

Thaçi: Ajo që desha të theksoj është kjo: edhe në Rambuje kemi bërë kompromis, edhe në Vjenë kemi bërë kompromis për pakon e Presidentit Ahtisaari dhe marrëveshja përfundimtare mes dy vendeve me mbi një shekull armiqësi duhet të ketë tolerancë, duhet të ketë mirëkuptim, fleksibilitet, kreativitet, edhe natyrisht me një substancë kompromisi…

Çfarë është një gjë që ju nuk do ta toleronit…?

Thaçi: Nuk do të toleroj në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim një marrëveshje e propozuar nëse nuk garantohet njohja reciproke dhe anëtarësimi në OKB, një gjë të tillë as që e lejoj të hapet për diskutim. Nuk do të lejoj në asnjë rrethanë Asociacion me kompetenca ekzekutive në Kosovë…

Para se të shkonit në SHBA, në Mëngjesin e Lutjeve, ju patët një bisedë telefonike, jo vetëm ju, por edhe kryeministri i Shqipërisë, me John Bolton, këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, një post shumë i rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë.. Me një fjali, çfarë kërkoi Bolton nga ju?

Thaçi: Bolton me një fjali shumë shkurt e them kërkoi pezullimin e taksës dhe hapjen e mundësisë për dialog dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi. Përndryshe siç ka theksuar dhe ai, SHBA-së është duke i humbur durimi.

E shihni të mundshme realizimin e marrëveshjes me Serbinë gjatë këtij viti që është quajtur edhe viti i marrëveshjes.?

Thaçi: Shumë vështirë, por unë shpresoj dhe besoj që po. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Kalo në kategori